Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj ka deklaruar se karta e studentit mundëson që çdo i ri i kësaj kategorie përfiton shërbime të ndryshme me çmime të reduktuara. Faktoje bëri një verifikim në disa pika shërbimi, si në mensa, kancelari, supermarket dhe tek dyqanet elektronike. Nga vëzhgimi konstatuam se i vetmi reduktim i ndjeshëm në çmim është ai i abonesë së transportit urban, ndërsa për të tjerat, ulja është e papërfillshme.
Më 25 nëntor 2020 Kryetari Bashkisë Tiranë gjatë një interviste deklaroi se me Kartën e Studentit përfitohen ulje të konsiderueshme për një numër shërbimesh të domosdoshme për studentët.
“Gama kryesisht është me fokus studentor, duke filluar nga mensa ku mund të hash më lirë, tek kancelaritë, ku mund të blesh mjete për universitetin, tek dyqanet elektronike, se shumë mësime po bëhen online, të gjitha këto ofrojnë ulje.”
Karta e Studentit është mjeti nëpërmjet të cilit rreth 40 mijë studentët që studiojnë në kryeqytet, synohet të përfitojnë çmime të reduktuara për produkte dhe shërbime të nevojshme për ta. Por nga verifikimi në terren dhe dëshmitë e studentëve, i vetmi shërbim ku ndihet reduktimi i çmimit është aboneja për transportin urban.
Mensa e Qytetit Studenti, 10 shkurt 2021
Faktoje shkoi në mensën që ndodhet në qendër të Qytetit Studenti ku pyeti se çfarë uljeje përfitohej me paraqitjen e kartës. Menaxherja e mensës u përgjigj:
“Ne nuk ofrojmë ulje për studentwt, madje nuk jam e informuar fare për këtë pjesë, këtu të gjitha mensat janë private”.
Më 19 janar 2021, Bashkia e Tiranës firmosi një marrëveshje me rrjetin e supermarketeve SPAR. Nënkryetarja e bashkisë Tiranë, Anisa Ruseti tha se Karta e Studentit ofron më shumë se 700 shërbime për ta dhe se prej asaj dite, atyre u shtohej edhe përfitimi në produktet e këtij rrjeti.
Nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Anisa Ruseti firmos marrëveshjen me SPAR, 19 janar 2021
Faktoje gjatë një vëzhgimi në terren ndaloi në disa pika të këtij rrjeti, për të pyetur se sa është ulja që përfitohet me kartën e studentit.
Foto të supërmarketit SPAR ku përfitohet ulje me Kartë Studenti, 10 shkurt 2021
Një punonjëse e këtij supërmarketi tha për Faktojen:
“Studentet me anë të kartës përfitojnë 3 për qind ulje në të gjithë artikujt, si të blesh një si të blesh 10 artikuj, ulja është vetëm 3 për qind .”
Faktoje pyeti një studente e cila sapo kishte bërë një blerje në rrjetin e supermarketeve të sipërcituar. Për blerjen prej 2000 lekësh të reja, me kartën e studentin ajo kishte përfituar më pak se 100 lekë ulje, e cila konsiderohet e papërfillshme.
Librari Adrioni, Sheshi ‘Skënderbej’, 10 shkurt 2021
Faktoje shkoi pranë librarisë ‘Adrion’ e cila ofron një ulje prej vetëm 10 për qind. Një libër që kushton 1000 lekë të reja, një student e blen 900 lekë.
Faktoje verfikoi nëse me kartën e studentit përfitohej ulje në dyqanet e telefonëve smart, të cilat sipas kryebashkiakut Veliaj ofronin çmime të reduktuara në këtë periudhë pandemie për studentët, kur procesi mësimor bëhët online. Në dyqanet ku shkuam e ku shiten kryesisht celularë, tableta apo kompjutera, shitësja tha për Faktoje:
“Celulari.al është një dyqan që e ka aplikuar shërbimin për studentët, por ka pak kohë që nuk e ofrojmë si shërbim”.
Shpresa.al dhe Techmobile, ofrojnë shërbime të ndryshme elekronike, por nuk ofrojnë çmime të reduktuara për studentet.
Dyqan optike ku ofrohet ulje për mbajtësit e kartës së studentit, Tiranë shkurt 2021
Dyqani i syzeve optike në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë ofron 30 për qind ulje, për mbajtësit e kartës së studentit, siç na e konfirmoi menaxherja e tij.
Por A.D, studente në degën Histori në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë e ka të pamundur ta përballojë edhe çmimin e reduktuar.
“Dyqani e ofron këtë shërbim për studentet, por ne nuk mund t’i blejmë gjithsesi, sepse janë shumë të shtrnejta dhe pavarësisht uljes, shumica e moshatarëve të mi nuk arrin t’i blejë. 30 për qind sipas mendimit tim duhet të ishte ulja në dyqanet e ushqimeve apo librari.”-sugjeron studentja.
Karta e Studentit deri më sot, aplikohet vetëm për studentët që mësojnë në Tiranë, ndërsa për studentët e universiteteve në qytete të tjera, ende nuk është realizuar, edhe pse në qershor 2019 kryeministri Edi Rama deklaroi se do të niste të aplikohej karta e studentit edhe për qytetet që kanë universitete.
“Do bëjmë një takim me bashkinë e Tiranës dhe bashkitë e tjera që kanë universitet për të vazhduar procesin e kartës edhe në qytetët e tjera”.
Faktoje pyeti studentë të universiteteve në Shkodër, Vlorë, Durrës, Gjirokastër, Elbasan të cilët na informuan se nuk janë pajisur me këtë kartë.