Pretendimi: Ne jemi gjenerata e fundit që do shohë xixëllonjat
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————-
“Ne jemi gjenerata e fundit që do shohë xixëllonjat”, alarmon një postim në Instagram i 22 shtatorit 2025. Postimi shpreh shqetësime në lidhje me zhdukjen e xixëllonjave brenda gjeneratës së ardhshme.

Megjithatë, admiruesit e xixëllonjave nuk duhet të dëshpërohen ende.
Ndërsa ekzistojnë faktorë stresues klimatikë mbi disa lloje xixëllonjash, lloje të tjera janë përshtatur mirë me ndryshimet e habitatit urban, duke e bërë të pamundur që ato të zhduken deri në fund të shekullit, thonë shkencëtarët.
“Shkurt, jo, ne nuk do të jemi brezi i fundit që do të shohim xixëllonja,” tha për AFP Clyde Sorenson, profesor në departamentin e entomologjisë dhe patologjisë së bimëve në North Carolina State University.
Pretendimi i mësipërm duket se e ka zanafillën në një artikull të revistës National Geographic të botuar më 22 prill 2025 me titullin “A do të shohim ende xixëllonja këtë verë?” Ndërsa artikulli pohon në hyrje se “shkencëtarët dyshojnë se shumë specie janë në rënie”, ai shton se “shumë pyetje mbeten pa përgjigje dhe jo çdo shpresë ka humbur.”
Ky artikull nuk thotë askund se gjenerata e tanishme mund të jetë e fundit që do të shohë xixëllonja. Ai thotë se disa specie janë në rënie, për shkak të aktiviteteve njerëzore, sipas shkencëtarëve të Grupit të Specialistëve të Xixëllonjave të Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), të cilët ndjekin trendet e popullatës. Ekspertët e intervistuar thonë se ata “po vazhdojnë përpjekjet e tyre për ruajtjen e tyre” dhe janë “në rrugën e duhur.”
Ekzistojnë mbi 2 mijë specie xixëllonjave, në çdo kontinent përveç Antarktidës.
Megjithatë, ajo që është në rrezik gjatë gjeneratës së ardhshme është diversiteti i xixëllonjave, thonë shkencëtarët.
Shumë specie jetojnë në ekosisteme që i janë nënshtruar me shpejtësi ndryshimeve domethënëse të shkaktuara nga njeriu. Ato mund të përballen me kërcënime ndaj ekosistemeve të tyre për shkak të zhvillimit njerëzor, përdorimit të pesticideve, ndotjes nga drita, ndryshimeve klimatike dhe fatkeqësive natyrore.
“Speciet që jetojnë në kënetat bregdetare ose mangrovët mund të zhvendosen ndërsa rritja e nivelit të detit eliminon habitatet e tyre,” tha Sorenson.
Individët mund të kontribuojnë në ruajtjen e xixëllonjave duke ruajtur bimësinë vendase në pronat e tyre, duke kufizuar përdorimin e insekticideve dhe duke zvogëluar ndriçimin e natës sa më shumë që të jetë e mundur.