Pretendimi: Hiqet bonusi i fundvitit për pensionistët
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————————–
Titulli i një artikulli të botuar më 10 nëntor 2025 nga portali Petravu jep lajmin e keq se në Shqipëri do të hiqet bonusi i fundvitit për pensionistët.

Megjithatë, pensionistët nuk duhet të hidhërohen ende. Bonusi i fundvitit për pensionistët do të vazhdojë të jepet në 2025.
Personat me pension nën 20 mijë lekë do të marrin 15 mijë lekë, ndërsa ata me pension mbi 20 mijë lekë do të marrin 10 mijë lekë.
Në brendinë e artikullit, shpjegohet se Ministri i Ekonomisë, Petrit Malaj, ka thënë në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë se bonusi i fundvitit për pensionistët nuk është parashikuar në projektbuxhetin për vitin 2026.
Megjithatë, edhe ky pretendim i Ministrit është i pavërtetë.
Në projektligjin për buxhetin e vitit 2026, depozituar në parlament më 4 nëntor, Neni 4, pika 3, deklaron se “fondi për indeksimin e pensioneve është parashikuar 1 653 milionë lekë dhe
bonusi i pensionistëve 10 000 milionë lekë.”

Projektligji për Buxhetin 2026, Neni 4, pika 3
Kështu, as në vitin 2025, as në vitin 2026 nuk do të hiqet bonusi i fundvitit për pensionistët.
Titujt e mësipërm dukshëm synojnë të përfitojnë klikime duke tërhequr interesin dhe vëmendjen e publikut.






