.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPemët e padjegura në Los Angeles nuk provojnë zjarrin e qëllimshëm

Pemët e padjegura në Los Angeles nuk provojnë zjarrin e qëllimshëm

Pretendimi: Pemët e padjegura në Los Angeles janë provë e zjarreve nga armë me lazer

Verdikti E pavërtetë

Zjarret masive që kanë shkatërruar Los Angelesin ditët e fundit kanë rritur edhe teoritë konspiracionisteve në rrjetet sociale. Në foton e publikuar në Facebook thuhet se zjarret janë shkaktuar nga ajo që quhet “armë e energjisë të drejtuar”,

Pretendohet se kjo armë i ngjan një lazeri masiv, mbahet e fshehtë nga ushtria amerikane dhe është fajtore për zjarret.

Në foton e shpërndarë online shihet se ura është shkrumbuar nga zjarri, ndërsa pemët janë të paprekura nga flakët.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Në lidhje me këto pretendime, ne bëmë fillimisht një kërkim online. Një verifikim i bërë nga kolegët e “Reuters” tregon se zjarret nuk janë shkaktuar nga armët me energji të drejtuar, duke pyetur ekspertë të fushës mbi këtë çështje.

Specialistët argumentuan për “Reuters” se pemët e veçuara mund t’i mbijetojnë zjarrit në varësi të lagështisë që përmbajnë dhe shpejtësisë së zjarrit.

Shkencëtari Jon Keeley theksoi në një email për kolegët e “Reuters”: “Nuk është e pazakontë për zjarret që ndodhin nëpër zonat urbane, të shohim pemët që mbijetojnë teksa shtëpitë ngjitur digjen. Arsyeja kryesore është se pemët kanë rrënjë që sjellin ujë për të mbajtur gjethet me lagështi. Shtëpitë jo. Ato janë të ndërtuara nga materiale të thata dhe zakonisht janë në ekuilibër me kushtet e ambientit.”

Sipas tij, një tjetër faktor që ndikon është edhe era. “Pemët kanë më shumë gjasa të mbijetojnë, sepse gjethja e lagësht nuk do të digjet derisa të nxehet mjaftueshëm për të larguar lagështinë. Kur erërat lëvizin me shpejtësi, ato shpesh kalojnë përtej pemëve përpara se ato të jenë tharë mjaftueshëm për të marrë flakë”, shton shkencëtari Jon Keeley.

Gjithashtu, edhe ekspertë të tjerë konfirmuan për “Reuters” se është e zakonshme të shohësh pemë që nuk janë djegur pas zjarreve në zonat urbane.

“Mbijetesa e pemëve gjatë një zjarri në pyje do të varet nga shumë faktorë, duke përfshirë përshtatjet fizike dhe kushtet e vetë pemës, si dhe natyrën e zjarrit”, theksuan më tej shkencëtarët.

Fotografitë e shkrepura nga kolegët e “Reuters”, të marra pas zjarreve në Australi në vitin 2020, në Kili në 2023 dhe në Meksikë në 2024, tregojnë pemë që qëndrojnë në zona të prekura nga zjarri.

Imazhet e pemëve të mbetura në këmbë mes shtëpive të djegura në Los Angeles nuk janë dëshmi se zjarret atje janë shkaktuar nga e ashtuquajtura energji e drejtuar me armë, siç pretendohet në postimet në internet.

*Foto kryesore marrë nga AP

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img