Pretendimi: Kjo foto tregon një zog mekanik të përdorur për spiunazh
Verdikti: Foto e gjeneruar me AI
————————————————–
Në rrjete sociale po qarkullon imazhi i një pëllumbi me kurrizin e hapur, nga ku duken tela dhe qarqe elektrikë, me pretendimin se këto zogj janë në të vërtetë makineri spiunazhi.
Megjithatë, ky imazh dukshëm është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI). Kjo mund të dallohet nga këndi i dritës dhe konturet e sfumuara që shpesh i japin këtyre lloj imazheve pamjen e pikturave më shumë se fotove.
Për t’u siguruar më tej, Faktoje përdori mjetin AI or Not, i cili zbulon nëse një imazh ka gjasa të jetë gjeneruar me AI. Ky mjet gjithashtu konfirmoi se ky imazh është gjeneruar me AI.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Reverse Image Search, Faktoje gjeti se imazhi është postuar për herë të parë në rrjet në Facebook më 27 maj. Autori i postimit ka shënuar qartazi në përshkrimin e imazhit se ai është gjeneruar me AI.