Nga Sebi Alla- Në katin e nëndheshëm të pavionit të Konsultave Pediatrike në QSUNT, mesditën e 30 gushtit rendën sanitare dhe personel që të shpëtonin nga përmbytja pajisjen EEG, Elektroencefalogramë (Ezheja), që e kishin lënë aty për “mungesë ambienti”.
Arritën ta nxirrnin në kohë, pa dëmtime, por e gjithë kjo betejë ishte një shfaqje për të siguruar atë aparaturë vetëm si inventar, pasi prej më shumë se pesë vitesh është jashtë funksionit. “Nuk ka ezhe për momentin”, të thotë nën zë kushdo punonjës, nga sanitarja tek mjeku në pavionin e konsultave pediatrike.
Me këtë përgjigje u përball edhe fëmija G.T vetëm 5 vjeç, prindërit e të cilit u detyruan që për ta ekzaminuar të shkonin në privat, në një ambient të vogël përballë spitalit pediatrik. “Pagova 60 mijë lekë (të vjetra) dhe tani më duhet t’ua nis përgjigjen mjekëve neurologë”, thotë prindi i fëmijës, i cili kërkon ruajtjen e anonimatit sepse “me gjasë fëmija im do kalojë në kemp dhe e meriton, por nuk dua të hap telashe”, argumenton ai.

Pesë vite një problem
Pas informimit nga prindërit e fëmijëve për këtë problematikë, Faktoje.al u interesua për mosfunksionimin e kësaj aparature. Në letra, shërbimi EEG duket i “plotë”. Së pari e kanë në inventar, madje edhe një infermiere të dedikuar specifikisht për të kryer shërbimin ezhe. Rituali i punës së saj është i përcaktuar: mbërrin në mëngjes në orën 08.00 për të hapur “kabinetin e shërbimit EEG” dhe e mbyllin në orën 15.00, pa kryer një ekzaminim të vetëm. “Ka më shumë se pesë vite që EEG nuk është venë në funksion…”, thotë një burim për Faktoje.al.
Në heshtje të vazhdueshme kjo aparaturë ndodhet si gjendje për të qenë korrekt me “letra”, por në realitet pacientët e vegjël, shumica e të cilëve vijnë nga rrethet, detyrohen të shkojnë në privat.
Faktoje.al iu drejtua QSUNT me disa pyetje për problemin e pajisjes EEG, por deri në botimin e këtij shkrimi nuk patëm përgjigje.
Jo larg pediatrisë
Faktoje.al nga burime të konfirmuara mësoi se ka një mesatare prej 18-20 pacientë fëmijë në ditë që u kërkohet ekzaminimi EEG (Ezhe), jo vetëm për të përcaktuar diagnozën e saktë, por edhe si dokument që shërben për plotësimin e kartelës mjekësore të pacientit. “Fëmijët që ekzaminohen janë nga rrethe të ndryshme të vendit, shumë prej tyre janë referuar fillimisht nga mjeku i familjes e më pas nga mjeku neurolog në spitale rajonale për të kryer ekzaminime më të specializuara pranë shërbimit Pediatrik në QSUNT”, thonë burime pranë repartit të kunsultave pediatrike.
Pajisja (s) punon…
Katër vite më parë, pas disa ankesave të prindërve, mësohet se administratorë të repartit të Konsultave Pediatrike nisën shkresa në drejtorinë e QSUNT për të sjellë “grup specialistësh” që të kryenin shërbimet e nevojshme për aparaturën. Teknikët mbërritën dhe dolën në përfundimin se aparatura ishte në rregull dhe funksionale. Por javë më vonë, në momentin e printimit të ekzaminimit shfaqej në letër një njollë e vogël e vazhdueshme që atë kohë u konsiderua nga mjekët si “e palexueshme dhe e pasaktë”. Aparatura vijoi të figuronte në dokumente, por zyrtarisht nuk konfirmohet se pati kërkesa për zëvendësimin, ose riparimin e saj. Ndërkohë, vetëm 40 hapa larg Spitalit Pediatrik ndodhet një klinikë e vogël e cila ofron shërbimin EEG.

Në bodrum
Me rikonstruksionin e godinës së Spitalit Pediatrik edhe shërbimi i konsultave njohu ndryshime të ambienteve. Dy nga aparaturat, EEG dhe Audiograma, fillimisht u lanë në një dhomëz të vogël. Prej pak muajsh të dyja përfunduan në katin e nëndheshëm, duke e arsyetuar këtë lëvizje si nevojë dhe ‘kushte specifike’ larg zhurmave, sidomos për pajisjen audiogranë, ndërsa EEG zuri pluhur, pa kryer ekzaminim. Pacientët e vegjël, disa prej të cilëve me probleme të shëndetit mendor, por edhe fizik, detyrohen që të shkojnë për ekzaminim në klinikën private. Një i mitur pacient me probleme neurologjike e ka të nevojshme ekzeminimin me EEG, të paktën dy herë në vit.
Për çfarë shërben Ezheja?
Ezheja (EEG) Elektroencefalogramë, është pajisje mjekësore që ndihmon për të diagnostikuar dhe më pas monitoruar të gjitha llojet e konvulsioneve (dridhjeve), qofshin këto nga epilepsia, tumoret e trurit, nga trauma të kokës, infeksione të trurit deri te çrregullime të gjumit, dhimbje të kokës (migrena dhe gjithë llojeve të tjera të dhimbjes të kokës) si dhe çrregullime të caktuara sjelljes. Nga viti në vit numri i fëmijëve që referohen me këto probleme ka ardhur në rritje dhe reparti i konsultave Pediatrike është i vetmi që e ofron shërbimin e specializuar, pikërisht në këtë repart.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë
