PD mbështet Binajn si kandidat për Tiranën

Florian Binaj, aktor dhe moderator, është një hap larg zyrtarizimit

59

Sebi Alla – Emri i tij 48 orë më parë kaloi mes shumë të tjerëve të “vetëofruar” si kandidat i mundshëm i disa partive të opozitës (përfshi PD) për zgjedhjet e pjesshme vendore në Bashkinë Tiranë, por tashmë Florian Binaj, aktor dhe moderator, është një hap larg zyrtarizimit.

Kryetari i Partisë Demokartike Sali Berisha tha sot në një konferencë shtypi se forca më e madhe opozitare kishte vendosur të mbështesë kandidaturën e Binajt.

“Grupi i mandatuar nga PD do u paraqesë aleatëve tanë mendimin dhe sugjerimin që të mbështesim së bashku artistin e mirënjohur, personalitetin e shquar të artit, luftëtarin e paepur të kauzave të qytetarëve shqiptarë, komunikatorin e talentuar, e lindur, zotin Florjan Binaj”, tha Berisha.

Diskutimet

Aleatët tradionale të dekadës së fundit të PD-së, si Partia Republikane, ajo Agrare Ambientaliste dhe Partia e Lirisë zhvilluan takimet e para mes tyre duke përcaktuar fillimisht “profilin e kandidatit” dhe më pas të kalohej në emra.

Më e avantazhuar në negociata duket se ishte Partia Mundësia e Agron Shehajt i cili disa muaj më parë shprehu qëndrimin se Bashkisë së Tiranës i nevojitej një kandidaturë e cila nuk vinte nga radhët e partive politike, por nga shoqëria civile.

Ndër emrat e propozuar që patën impakt dhe hapën diskutime ishin Ermal Hasimja, politolog, Edlira Çepani, drejtuese e një organizate për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe Florian Haçka, përfaqësues i diasporës, një nga nismëtarët për të ndryshuar ligjin zgjedhor për votimin e emigrantëve.

Gjithashtu edhe përfaqësues të Partisë Demokratike shprehën interes për kandidim, por vendimi politik i PD-së ishte i qartë që në zgjedhjet lokale të pjesshme në gjashtë bashki të vendit, Tirana, Vlora, Berati, Tepelena, Mati dhe Çërriku përparësi do kishin kandidatët që vinin nga shoqëria civile dhe personalitete të fushave të ndryshme.

Lëvizjet e fundit

Pas njoftimit nga kreu i PD-së edhe Partia e Lirisë shprehu mbështetje për kandidatin Binaj, ndërsa më herët në rrjetet sociale Adriatik Lapaj drejtuesi i partisë “Shqipëria Bëhet”, mbështeti kandidaturën e Binajt.

Zgjedhjet e pjesshme lokale pritet të zhvillohen më datë 9 nëntor sipas dekretit të shumëdiskutuar të Presidentit të Republikës, pasi Erion Veliaj ka ankimuar fillimisht vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas edhe dekretin e Presidentit.

Aktualisht Veliaj ndodhet në dhomat e paraburgimit.

Ai u arrestua më 10 shkurt të këtij viti me kërkesë të Prokurorisë Speciale që e akuzon për korrupsion pasiv, dhe fshehje të pasurisë, pastrim parash dhe shpërdorim detyre në 13 episode.