Pretendimi: Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka ngjashmëri me George Soros, si djali me babain
Vlerësimi: Jashtë konteksti
Pavarësisht origjinës së përbashkët hebreje, presidenti ukrainas Zelensky nuk është djali i George Soros siç pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale.
Prej nisjes së luftës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vijon të ndodhet nën shenjëstrën e dezinformimit të propagandës ruse. Një prej sulmeve ndaj tij është edhe aludimi për një lidhje familjare me miliarderin hebre George Soros. Së fundi, është bërë publike një foto, ku tregohet ngjashmëria mes tyre, duke aluduar se Soros është i ati i Zelensky.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të këtyre postimeve, duke iu referuar informacioneve që vijnë nga mediat e besueshme. Pretendimet mbi lidhjen familjare mes tyre kishin qarkulluar edhe më herët në rrjetin e konsipracionistëve në Botë dhe kjo është hedhur poshtë në disa artikuj nga kolegët e verifikimit të fakteve në Europë.
Së pari, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i lindur më 25 janar 1978, nuk është djali i miliarderit George Soros. Ai është politikan dhe ish-aktor ukrainas dhe mban postin e presidentit të Ukrainës që prej vitit 2019. Zelensky ka lindur në një familje hebreje-ukrainase.
Para se të merrej me aktrim, ai u diplomua në Fakultetin Juridik në “Universitetin Ekonomik Kombëtar” të Kievit. I ati i tij është Oleksandr Zelenskyy, një profesor i shkencave kompjuterike dhe shef i Departamentit të Kibernetikës në Universitetin Shtetëror të Kyiv.
Nëna e Zelensky, Rima Zelensky ka punuar si inxhiniere. Gjyshi i Volodymyr Zelensky, Semyon Ivanovic Zelensky, shërbeu në ushtri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Babai i Semyonit dhe tre vëllezërit e tij u vranë gjatë Holokaustit.
Në mars 2022, Zelensky zbuloi se gjyshërit e tij u vranë kur ushtarët gjermanë dogjën shtëpinë e tyre gjatë një masakre. Kontrolluesit e fakteve të “Associated Press” kanë hedhur poshtë tashmë pretendime të ngjashme në lidhje mbi një marrëdhënie midis Volodymyr Zelensky dhe George Soros, duke pretenduar se ata ishin kushërinj.
Ukraina është një vend i pavarur, demokratik me integritetin dhe sovranitetin e vet territorial, i sulmuar nga Rusia, në një pushtim ushtarak që çoi në viktima të shumta, dëme materiale, zhvendosje të popullsisë dhe e gjithë kjo për hir të mbrojtjes së atdheut të tyre, Ukrainës.
Volodymyr Zelensky, i cili mbeti në Ukrainë gjatë gjithë pushtimit ushtarak dhe koordinoi situatën e jashtme dhe të brendshme të vendit, inkurajoi popullin e tij në betejën për liri dhe mbrojtjen e sovranitetit.