Pretendimi: Uraganët krijohen nga aktorë që kontrollojnë motin për të kontrolluar botën

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————

Pasi uraganët Helenë dhe Milton goditën gjirin e Meksikës në fund të shtatorit dhe në fillim të tetorit 2024, në rrjete sociale nisi të rishpërndahej teoria konspiracioniste e kontrollit të motit nga një ‘elitë’ misterioze që ka për synim kontrollin e botës.

Si zakonisht, këto pretendime nuk shoqërohen me ndonjë lloj prove apo reference.

Uraganët janë një fenomen natyral, dhe nuk ka prova që ata mund të krijohen apo manipulohen nga njerëzit.

Sipas Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) amerikane, “një uragan është një lloj stuhie e quajtur ciklon tropikal, e cila formohet mbi ujërat tropikalë ose subtropikalë. Uraganët e kanë origjinën në pellgun e Atlantikut, i cili përfshin Oqeanin Atlantik, Detin e Karaibeve dhe Gjirin e Meksikës, Oqeanin Paqësor Verlindor.”

Siç tregohet në grafikun e mësipërm, uraganët formohen në zona tropikale ku temperatura e oqeanit është mbi 26 gradë celsius. Këto ujëra avullojnë, duke formuar ajër të ngrohte dhe të lagësht, i cili vepron si ‘karburant’ për stuhinë. Për shembull, shumë nga uraganet që godasin ShBA formohen mbi Afrikë dhe udhëtojnë drejt perëndimit mbi Atlantikun tropikal, ujërat e të cilit janë të ngrohta.

Ajri i ngrohtë dhe i lagësht ngrihet lart në atmosferë, ku nis të ftohet. Avulli kondensohet dhe rikthehet në formën e lëngët, duke formuar re të mëdha stuhie. Ndërsa ajri i ngrohtë ngrihet lart, era nis të fryjë në një rreth. Këto erëra spirale mbledhin një grumbull resh. Kur era rrotulluese arrin shpejtësinë 120 km/h, stuhia quhet zyrtarisht uragan.

“Gjatë vetëm një uragani, erërat e furishme mund të nxjerrin aq energji sa gjysma e kapacitetit gjenerues të energjisë elektrike të të gjithë botës,” shpjegon NOAA.

Duke pasur parasysh madhësinë dhe fuqinë e tyre, shkencëtarët aktualisht nuk kanë ndonjë mënyrë për të ndaluar uraganët. Departamenti Kërkimor i Uraganëve në NOAA shpjegon se ka patur një sërë idesh të sugjeruara për modifikimin e mundshëm të një uragani; një metodë, e quajtur mbjellja e reve, u hulumtua për të ulur intensitetin e një uragani, por nuk funksionoi. Ky hulumtim u krye nga mesi i viteve 1960 deri në fillim të viteve 1980, por Departamenti shpjegon se “vëzhgimet treguan se uraganet përmbajnë pak nga uji i superftohur i nevojshëm për funksionimin e mbjelljes së reve”. Në lidhje me metodat e tjera hipotetike, ata shpjegojnë:

“Sado që të arsyetohen me kujdes disa nga këto sugjerime, asnjëra nuk arrin rezultatin sepse nënvlerësojnë madhësinë dhe fuqinë e cikloneve tropikale. Për shembull, kur uragani Andrew goditi Floridan e Jugut në 1992, syri dhe muri i syrit shkatërruan një zonë 20 milje të gjerë. Energjia e nxehtësisë e lëshuar rreth syrit ishte 5000 herë më shumë se gjenerimi i nxehtësisë dhe energjisë elektrike të termocentralit bërthamor Turkey Point mbi të cilin syri kaloi.

Aftësia për të modifikuar dhe ndryshuar rrugën dhe intensitetin e uraganëve mund të shpëtojë jetë dhe të parandalojë dëme masive. Megjithatë, fatkeqësisht, nuk ka asnjë provë shkencore që sugjeron se kjo është aktualisht e mundur.