.

.

BallinaRajoni përmes faktevePas lajmit të Portalb filloi ndërrimi i tabelave të Shqipërisë së Enverit

Pas lajmit të Portalb filloi ndërrimi i tabelave të Shqipërisë së Enverit

SHEFKIJE ALASANI

U deshën mbi 50 vite që Ndërmarrja Publike “Makedonijapat” të fillojë ndërrimin e tabelave informative ku Shqipëria fqinje akoma figuron si Republikë Popullore. Ndërhyrja e ekipit të NP “Makdeonijapat” vjen pasi disa javë më parë Portalb.mk ngriti këtë çështje shqetësuese bashkë me lëshimet e përdorimit të gjuhës shqipe në tabelat informative.


Portalb.mk inspektoi nga afër ndërrimin e tabelave. Nga inspektimi në terren vërejtëm se momentalisht është ndërruar vetëm njëra nga katër tabelat ku Shqipëria na paraqitet si Republikë Popullore, në dy tabela tjera vetëm është mbuluar vetëm shkronja N (nga maq. Н – Народна/Popullore) ndërsa njëra nga tabelat vazhdon të mbetet e njëjte.

Detaj tjetër që bie në sy është se në tabelën e re mungon informimi në gjuhën shqipe. Me pyetjet se: A do të ndryshohen gjitha tabelat në këtë zonë dhe pse tabela e re në Shën Naum nuk informon në gjuhën shqipe? redaksia jonë u drejtua në NP “Makedonijapat”. Në pyetjet tona u përgjigj shkurt drejtori i këtij institucioni, Bekim Memedi, i cili tha: “Të gjitha tabelat do të ndërrohen dhe do të vendohen në gjuhën shqipe”.

Tabelat në Shën Naum pas intervenimit të NP “Makedonijapat” (19.03.2021)

Tabelat në Shën Naum para intervenimit të NP “Makedonijapat” (02.02.2021)

Çfarë parashikon Ligji për përdorimin e gjuhëve? 

Duke pasur parasysh se në Maqedoninë e Veriut me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, redaksia jonë kërkoi shpjegim nga Agjencioni për Zbatimin e Gjuhëve.
Nga ky institucion na u përgjigjën se çështjen në fjalë e sqaron neni 16 paragrafi (2) i Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve (“Gazeta Zyrtare e RM-së” nr. 7/19) theksohet:

“Në vendkalimet kufitare të Republikës së Maqedonisë dhe aeroportet që gjenden në rajonin ku së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase, emrat e institucioneve, mbishkrimet tjera dhe udhërrëfyesit shkruhen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj, si dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabetin e saj.”

Përndryshe, Më 11 janar 2018parlamenti i Maqedonisë së Veriut votoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike, me të cilin avancohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në të gjitha organet e pushtetit qendror. Ligji për gjuhët parasheh përdorimin e plotë të gjuhës shqipe, apo siç thuhet të gjuhës që e flasin më shumë se 20 për qind e popullatës, ndryshe nga maqedonishtja, në Qeveri, Kuvend, organet e pushtetit gjyqësor, administratën publike si dhe ndërmarrje e institucione tjera. Për institucionet që nuk do të respektojnë ligjin e gjuhëve u parapanë edhe gjoba nga 4 deri në 5 mijë euro, ndërsa ndaj zyrtarëve ose administratorëve që nuk e respektojnë këtë parim do t’u zbritet 30 për qind nga rroga.

“R. Popullore e Shqipërisë”, edhe pas kaq dekadash është shqetësuese për shqiptarët

Për anashkalimin e autoriteteve maqedonase, për portalb.mk reaguan edhe nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare.  Mos ndryshimin e tabelave informative ku Shqipëria edhe pas kaq shumë vitesh paraqitet si Republikë Komuniste, Loren Kocollari vlerëson se në momente të caktuara nga qeveri të ndryshme mbase është bërë injorim i shtetit shqiptarë.

“Duhet kuptuar nëse neglizhenca e institucioneve të Maqedonisë së Veriut është e vullnetshme ose jo, për të thënë më pas nëse është shqetësuese. Për rastin në fjalë të ngjan disi e vështirë të mendohet se gjithë këto vite, askush nuk e ka vënë re një problem të tillë. Në momente të caktuara qeveri të ndryshme ndoshta kanë dashur të japin mesazhin e tyre përmes mosveprimit, duke injoruar kështu shtetin shqiptar. Por në anën tjetër, marrëdhënia e dy qeverive aktuale është në një moment të mirë, ndaj ajo që mund të ketë qenë një neglizhencë e vullnetshme dhe shqetësuese në të shkuarën, sipas gjasave ka evoluar në një harresë të së tashmes, që sidoqoftë do duhet të marri një zgjidhje sa më shpejt. Sado në dukje diçka simbolike, për shumicën e shqiptarëve Republika Popullore e Shqipërisë është një emërtim që mbart kujtime tragjike, dhe ri sjell makthet e një diktature që la pasoja shkatërrimtare në shumë drejtime. Ndaj qeveria shqiptare duhet të bëjë një kërkesë zyrtare që kjo çështje të adresohet sa më shpejt”, thonë mes tjerash nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img