Pretendimi: Kjo pikturë horror është ekspozuar në sallat e Parlamentit Europian

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————

Një pikturë që duket se tregon dy fëmijë me flokë bjondë duke u prerë këmbët dy krijesave humanoide po shpërndahet në rrjete sociale shoqëruar me pretendimin se atë mund ta gjeni të ekspozuar në sallat e Parlamentit Europian. Kjo sillet si provë e “vlerave të kalbura” evropiane.

Piktura e mësipërme, e titulluar “Operacion II”, është vërtetë punë e piktores suedeze Lena Cronqvist nga viti 2001. 

Megjithatë, ajo nuk gjendet e ekspozuar në sallat e Parlamentit Europian. 

Një pikturë tjetër e Cronqvist, më pak makabre se “Operacioni”, bëri njëfarë buje në 2023, kur ishte ekspozuar përkohësisht në ndërtesën Paul Henri Spaak të Parlamentit Europian në Bruksel për të shënuar Presidencën suedeze të Këshillit Europian.

Piktura “Fytyra të Shtrembëra”

Europarlamentarja franceze Aurélia Beigneux i drejtoi një sërë pyetjesh Komisionit Europian për të shprehur shqetësimin e saj mbi “promovimin e artit makabër që përfshin fëmijët.”

Komisioni mohoi që Cronqvist të merrte fonde nga programi i financimit të BE dhe pohoi angazhimin e tij për mbrojtjen e fëmijëve dhe shprehjes artistike. Parlamenti Europian ekspozon mbi 500 vepra arti në ambjentet e tij për të promovuar kulturën dhe artin.