Parku Urban në Spitallë, punimet nuk kanë përfunduar ende

Faktoje” verifikoi në terren në tetor dhe nëntor 2025 se parku nuk është ende funksional

18

Jona Cenameri

Më 25 nëntor 2024, kryeministri Edi Rama njoftoi publikisht nisjen e punimeve për ndërtimin e Parkut Urban në Spitallë, një projekt që synon ta transformojë zonën në një hapësirë rekreative moderne për qytetarët e Durrësit.

“Ka nisur puna për ndërtimin e Parkut Urban në Spitallë, që do ta kthejë këtë zonë në një hapësirë rekreative në shërbim të qytetarëve, me gjelbërim të shtuar, zonë për këmbësorët, pistë biçikletash, terrene sportive dhe zonë të dedikuar për fëmijë”,  shkroi Rama në një postim në Facebook.

Ky projekt parashikon një park linear me gjatësi gati 1,3 kilometra, ndërtuar mbi një kanal të mbyllur të ujërave të larta, i cili ishte aktiv që prej viteve ’90 dhe kishte shkaktuar probleme mjedisore për banorët e zonës. Parku do të përfshijë sipërfaqe të gjelbra, shtigje për biçikleta e këmbësorë, terrene sportive, kënde për fëmijë dhe hapësira për aktivitete komunitare.

Në mars 2025, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, publikoi pamje nga kantieri, duke theksuar se punimet “po vijojnë me ritme të mira dhe do të sjellin një hapësirë të re publike për qytetarët e Durrësit”.

Në prill 2025, Rama dhe Sako rikthyen sërish vëmendjen tek kantieri, duke theksuar progresin dhe duke prezantuar më në detaje elementët e parkut, që do të shtrihen përgjatë gjithë gjatësisë së kanalit të mbyllur.

Verifikimi në terren

Gjatë verifikimit të kryer më 7 tetor 2025, “Faktoje” konstatoi se punimet në terren nuk ishin përfunduar. Punonjësit në kantier thanë se realizimi deri në atë moment ishte “rreth 60-70%”, ndërsa përfundimi parashikohej për në nëntor.

Në rikthimin e dytë në terren në 20 nëntor 2025, situata mbeti e njëjtë: parku ishte ende në ndërtim, pjesë të terrenit ishin të pa përfunduara dhe nuk kishte ende elementë përfundimtarë si gjelbërimi, ndriçimi dhe instalimet dekorative. Punëtorët pohuan se punimet pritet të përfundojnë më 5 dhjetor 2025.

Në tabelën e punimeve, financues figuron Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Financave, zhvillues Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) dhe përfitues Bashkia Durrës.

Afati i kontratës, sipas Open Procerement dhe tabelës së punimeve, është 12 muaj, me një vlerë totale prej 109,579,163.94 lekësh me TVSH.

Përgjigjet zyrtare

Në përgjigjen për “Faktoje”, Bashkia Durrës konfirmon se punimet “kanë filluar sipas zbatimit të kontratës” dhe janë ende në proces.

Ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që luan rolin e agjencisë zbatuese të projektit, deklaron:

“Sa i përket Parkut Urban Spitallë, duke konsideruar sezonin veror dhe temperaturat e larta të periudhës, realizimi fizik i punimeve të zbatimit ishte rreth 45% në muajin korrik dhe pritet të përfundojnë brenda muajit nëntor”

Megjithatë, verifikimi në fund të muajit nëntor tregoi se projekti nuk është ende i dorëzuar, duke tejkaluar afatin e kontraktuar.

Përfundimi

Edhe pse punimet kanë avancuar ndjeshëm dhe projekti pritet të sjellë një hapësirë moderne për komunitetin e Spitallës, Parku Urban ende nuk është përfunduar, megjithëse kanë kaluar 12 muaj nga nisja e zbatimit.

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare dhe verifikimin në terren, “Faktoje” e kategorizon premtimin për përfundimin e Parkut Urban në Spitallë si pjesërisht të mbajtur.

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.