Parku Kombëtar i Prespës po shkrumbohet nga zjarri prej gjashtë ditësh, por autoritetet nuk po ndërhyjnë nga ajri. Qindra hektarë sipërfaqe me pyje dhe kullota janë djegur dhe të tjera rrezikojnë të njëjtin ‘fat’, pasi zjarri ka dalë jashtë kontrolli nga terreni i vështirë. Autoritetet vendore bëjnë thirrje për ndërhyrje nga ajri, duke e cilësuar situatën tepër kritike.

Xhensil Shkëmbi

Prej 6 ditësh vatrat e zjarrit në Parkun Kombëtar të Prespës janë aktive, duke djegur rreth 200 hektarë sipërfaqe me bimësi të ulët, bimë medicinale, kullota e së fundmi edhe pjesën pyjore qindravjeçare.

“Presim dhe ditën e sotme sipas situatës, pasi forcat operacionale të mbërrijnë në vendin e ngjarjes, ku do na japin dhe një informacion më të detajuar që të vemë në lëvizje përsëri helikopterin, dhe për ta mbajtur nën kontroll situatën.”, deklaroi Arben Cara, Drejtor i Shërbimit Zjarrfikës në Shqipëri më 11 gusht.

Drejtuesi i Shërbimit Zjarrfikës në Shqipëri, Arben Cara.

“Zjarri mund të depërtojë në Prespë e cila është dhe zonë e mbrojtur, por drejtuesit e strukturave operacionale do të bëjnë vlerësimin në mënyrë që të aktivizojnë ndërhyrjen nga ajri “, vijoi më tej ai.

Verifikim

Verifikimet e Faktoje tregojnë se ndërhyrja e premtuar për shuarjen e zjarrit me ndihmën e helikopterit “Cougar” mungon. Katër orë pasi Drejtuesi i Shërbimit Zjarrfikës në Shqipëri u largua, flakët të favorizuara nga era u përhapën me shpejtësi.

Madje, në orët e mesditës situata u bë kritike, aq sa vet banorët e zonës u mobilizuan me mushka e gomerë për t’i ardhur në ndihmë zjarrfikësve në Malin e Thatë.

Përmes Ministrisë së Mbrojtjes, Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile raporton se në Parkun Kombëtar të Prespës në Malin e Thatë, strukturat vendore po vijojnë punën pa ndërprerje për izolimin e vatrës së zjarrit. Por, zjarri vazhdon aktiv, për shkak të terrenit të vështirë.

Për të mësuar zyrtarisht arsyet se përse nuk po ndërhyhet nga ajri, Faktoje kërkoi nga Ministria e Mbrojtjes, planin e veprimit të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në Parkun Kombëtar të Prespës. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, ne nuk kemi një përgjigje.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, në të gjithë territorin e vendit janë identifikuar 47 vatra zjarri, nga të cilat 11 vijojnë të mbeten aktive.

Reagimet

Kryetari i bashkisë Pustec, Pali Kolefksi, e pranon faktin se situata është emergjente. Ai thotë se do të përballemi me katastrofë ekologjike nëse nuk ka ndërhyrje nga ajri.

“Me të dhënat që kemi zjarri është 2000 m mbi nivelin e detit, forcat tona raskapiten për të arritur në vatra, duhen 3 orë në këmbë. Kjo do jetë katastrofë ekologjike në qoftë se nuk ndërhyhet nga ajri. Njerëzit për momentin janë shumë të lodhur. “, thotë Kolefksi.

Të njëjtin apel bën edhe drejtuesi i zonave të Mbrojtura në juglindje Gjergji Koki. Sipas tij, zjarri në Parkun Kombëtar të Prespës kërkon ndërhyrje nga ajri duke e cilësuar situatë kritike.

“Është një nga situatat më kritike ndër vite në park, situata është vërtet kritike sepse zjarri është munduar të mbahet në majë tek bimësia e ulët por për shkak të vatrave të zjarrit tashmë është bërë e pamundur të menaxhohet dhe të mbahet në kontroll në qoftë se nuk ndrnyrjet nga ajri, për të parandaluar përfshirjen nga flakët ne bimesine e lartë. “, shprehet Koki.

Përfundim

Ditën e tretë të zjarreve helikopteri “Cougar” fluturoi mbi Prespë por nuk mund të hidhte ujin në vatrat e zjarrit për shkak të erës, ndaj dy avionë të Maqedonisë së Veriut erdhën në ndihmë, duke normalizuar situatën. Në ditët në vijim, zjarrfikësit mbeten “jetimë” duke ngjitur malin për orë të tëra.

Zjarri në Parkun Kombëtar të Prespës vijon të jetë aktiv ndaj autorietet vendore bëjnë thirrje për ndërhyrje të tjera nga ajri. Terreni i thyer malor dhe largësia me zonat e banuara e bën thuajse të pamundur mbajtjen në kontroll të flakëve në Malin e Thatë. Por në vend të helikopterit të premtuar, banorët vijojnë të ngjisin ujë me gomerë me shpresën se diçka do të ndryshojë.

Nisur nga verifikimi i bërë dhe informacionet e mbledhura, deklaratën e Drejtuesit të Shërbimit Zjarrfikës në Shqipëri Arben Cara, se në ndihmë të shuarjes së zjarrit në Parkun Kombëtar të Prespës do të vihej helikopteri “Cougar” në rast të përkeqësimit të situatës, do ta kategorizojmë të pavërtetë.