Esmeralda Topi
Në kulmin e fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama i propozoi befas bizneseve planin për “Paqe Fiskale”, të cilin e cilësoi si “të frymëzuar nga parimet e Romës së Lashtë”.
“Kemi menduar një plan (…) të përdorur herë pas here në forma të ndryshme, një plan paqeje fiskale”, deklaroi Rama.
Por ndërsa nisma u paraqit si një hap drejt qetësimit të marrëdhënieve mes shtetit dhe sipërmarrjes, në Bruksel ajo nuk u prit me të njëjtin entuziazëm. Në një reagim zyrtar për Faktoje.al, Komisioni Europian konfirmon se nuk është pyetur për këtë propozim.
“Komisioni është në dijeni për propozimin ‘Paqja Fiskale’, të bërë në kontekstin e fushatës elektorale. Ne nuk jemi konsultuar nga autoritetet shqiptare për këtë propozim”, tha një zëdhënës i Komisionit Europian për Faktoje.al, teksa shton se si nisma mund të prekë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë.
“Në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, kjo nismë do të diskutohet si pjesë e negociatave për kapitujt përkatës të acquis të BE-së”, përfundon ai.
Ndërsa në Shqipëri flitet për falje borxhesh, rishikime tatimore dhe “qartësi për bizneset”, në Bruksel ngrihen pikëpyetje për mënyrën si kjo nismë është shpallur: pa transparencë, pa konsultim dhe në një moment delikat politik.
Çfarë parashikon ‘Paqja fiskale’?
Sipas qeverisë “Paqja Fiskale” është një paketë lehtësuese që përfshin falje masive borxhesh dhe rishikim të detyrimeve tatimore. Paketa nuk është pjesë e programit politik “Shqipëria 2030”, por qeveria argumenton se ajo do të sjellë më pak stres për bizneset, më pak kontrolle dhe më shumë qartësi.
Tre shtyllat kryesore të Paqes Fiskale:
- Tatim i Dakordësuar mbi Fitimin
- Rishikim i Pasqyrave Financiare
- Falje e Detyrimeve dhe Kamatë Vonesave
Nisma parashikon fshirjen e plotë të borxheve tatimore më të vjetra se 10 vite, nëse janë ende të pashlyera. Për detyrimet nga 5-10 vite parashikohet fshirje 50% e borxhit, nëse biznesi e paguan menjëherë. Ndërsa bizneset që nuk kanë mundësi për shlyerje të menjëhershme, do të ketë një marrëveshje 12 mujore dhe falja do të jetë në masën 25%. Nuk përfshihen këtu detyrimet për sigurimet shoqërore.
Po ashtu, paketa propozon edhe rishikimin e deklaratave të mëparshme të tatim fitimit.
Bizneseve u jepet e drejta që të rishikojnë deklaratat tatimore për 5 vitet e fundit pa gjoba e kamatvonesa (legjislacioni aktual e lejon për 3 vjet) por duke paguar tatim fitimi prej 5% për çdo diferencë fitimi që krijohet nga rishikimi.
Bizneset shqiptare i detyrohen shtetit 162.5 miliardë lekë, ose 1.6 miliardë euro, borxhe të papaguara në tatime dhe dogana. Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe tatimi mbi fitimin janë taksat kryesore që bizneset nuk kanë paguar ndër vite. Të dhënat zyrtare tregojnë se 84.7% e borxhit është me vjetërsi mbi 2 vite. Ndërsa detyrimet e pashlyera në kohë prej më shumë se 5 vitesh zënë 64.4% të totalit.
- 84.7% e këtij borxhi është më i vjetër se 2 vite.
- 64.4% i përket periudhës mbi 5 vite.
Ekspertët e ekonomisë dhe financave e kanë kritikuar ashpër nismën, duke e cilësuar si një sinjal të gabuar dhe të rrezikshëm. Ish-drejtori i Tatimeve, Artur Papajani, e quan fshirjen masive të borxheve një ndëshkim për bizneset që kanë qenë korrektë ndër vite, ndërsa audituesi ligjor Julian Saraçi shkon më tej, duke e përshkruar si një kapitullim të shtetit përballë informalitetit të toleruar. Sipas tij, kjo nuk është një marrëveshje, por një shpëlarje faji për dështimet institucionale në mbledhjen e borxheve.