Pretendimi: Papa Leo XIV konfirmon se ka një dhomë sekrete poshtë Qabes, e cila mban një mesazh nga qielli.
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————————
Në fillim të këtij viti, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, qarkulloi lajmi i pazakontë se Papa Leo XIV ka konfirmuar se ka “një dhomë sekrete poshtë Qabes, e cila mban një mesazh nga qielli.”

Si zakonisht, ky pretendim i pazakontë nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo referencë për ta mbështetur atë.
Faktoje gjeti se ky ‘lajm’ ka qarkulluar më parë në rrjet në gjuhën angleze. Megjithatë, në asnjë nga versionet e tij, ai nuk shoqërohet me ndonjë provë apo burim. Portali në anglisht që ka shërbyer si zanafilla e këtij lajmi, ka për synim që të tërheqë interesin e lexuesve për t’i orientuar ata të klikojnë drejt reklamave të ndryshme të biznesit të lojrave online.
Me gjasa, ky lajm i trilluar është frymëzuar nga vizita e vërtetë e Papës Leo XIV në Xhaminë Blu në Stamboll.
Megjithatë, që nga marrja e detyrës në maj 2025, Papa Leo nuk ka vizituar kurrë Qaben, vendin më të shenjtë të myslimanizmit që ndodhet në Mekë, në Arabinë Saudite.
Një kërkim me fjalën “Qabe” në faqen zyrtare të Vatikanit nuk jep asnjë rezultat. Njësoj, një kërkim me të njejtën fjalë në llogarinë zyrtare në X të Papës nuk jep asnjë rezultat. Sigurisht, që nëse do të kishte ndonjë sekret poshtë strukturës së shenjtë për fenë myslimane, kjo nuk do të zbulohej nga kleri i një besimi tjetër.
Pjesa e brendshme e kubesë së shenjtë në Mekë nuk është e hapur zakonisht për besimtarët e thjeshtë, përveç disa drejtuesve fetarë dhe punonjësve të mirëmbajtjes. Në një moment që u bënë publike disa foto në vitin 2021, struktura është e përbërë nga tre shtylla mbajtëse druri, në të cilat qëndron i varur një koleksion llampash të vjetra me vajra aromatikë si dhe tetë gurë të dekoruar me mbishkrime të vjetra arabe.






