.

.

BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitPandemia shton varfërinë në Gjirokastër, komuniteti rom është më i godituri    

Pandemia shton varfërinë në Gjirokastër, komuniteti rom është më i godituri    

RAIMOND KOLA

Askush nuk po i shpëton pasojave degraduese të pandemisë, dhe Gjirokastra nuk bën përjashtim. Deri pak kohë më parë, kjo bashki konsiderohej zonë e gjelbër sa i takon përhapjes së pandemisë, kurse sot me numrin e rasteve në rritje, ajo është kthyer në zonë të kuqe. Efekti zinxhir i dëmeve që nisi më ndërprerjen e komunikimit ndërkufitar me Greqinë dhe kufizimet e tjera, sot ka shkaktuar rritje të varfërisë mes familjeve që jetonin me punën në fasoneri, tregun artizanal apo biznese familjare. Por kategoria që rezulton se po rrënohet nga pandemia, është komuniteti rom, që edhe pse përbën 2% të popullsisë në Gjirokastër, mbetet simbol i mbijetesës në kushte ekstreme dhe i privimit nga shërbimet publike.


Qarku i Gjirokastrës, i njohur si një zonë e gjelbër gjatë gjithë muajve të pandemisë, prej fillimit të nëntorit është kthyer në “zonë të kuqe”, me një dinamikë ditore rritjeje të rasteve të infektimit me koronavirus, nga 10-70 raste. Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka mbyllur në nëntor katër njësi fasonësh me mbi 200 punëtorë secila, në Gjirokastër e Përmet dhe ka kufizuar aktivitetin në institucionet që janë prekur nga infektimet, si Drejtoria e Tatimeve, Spitali Rajonal, Kadastra Shtetërore, etj.

Repart fason në Gjirokastër

“Jemi detyruar të ndërmarrim masa për të frenuar përhapjen e virusit në këto fasoneri. Duke kuptuar rëndësinë që kanë për jetën ekonomike të familjeve, u janë lënë detyra sipërmarrjeve për plotësimin e masave strikte të protokolleve të mbrojtjes nga Covid-19, deri në rihapjen tyre. ”- tha shefi i Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor në Gjirokastër, Edi Sinojmeri për “Faktoje”.

 

Edi Sinojmeri, shefi i Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor në Gjirokastër

Punonjësja e njërës prej këtyre fasonerive, humbi jetën në moshë të re javën e parë të nëntorit dhe dhjetëra punonjës u drejtuan pranë shërbimit të epidemiologjisë për të bërë tamponët, ku një pjesë e madhe rezultuan pozitivë.

Pandemia ka sjellë reduktim të aktivitetit në tregun e vogël industrial të qytetit, pasi blerësit po e frekuentojnë gjithnjë e më pak nga frika e prekjes nga virusi, por edhe nga reduktimi i furnizimit të tregtarëve. Që prej shfaqjes së pandemisë, tregtarët e vegjël kanë pak rrugë për të siguruar mallin, për shkak të kufizimit të lëvizjes drejt Greqisë fqinje. Është vështirësuar furnizimi me mallra në kryeqytet, që realizohej përmes autobusëve apo furgonëve. Situata e vështirë në qarkullimin e mallit është edhe për disa qindra biznese të vogla të cilat kanë reduktuar të ardhurat e mbijetesës për familjet që ushtronin këto aktivitete.

“Nuk kemi punë prej ditësh, njerëzit janë frikësuar të vijnë pasi tregu është i mbyllur”- thonë tregtarët, të cilët kërkojnë dezinfektim më të shpeshtë nga bashkia.

Në tregun industrial ushtrojnë aktivitetin rreth  60 tregtarë të vegjël, të cilët paguajnë një tarifë mujore prej 60 mijë lekësh të vjetra, por një pjesë e tyre i kanë mbyllur fare qepenat.

Tregu industrial në Gjirokastër

Edhe mjeshtëritë tradicionale në zonën historike të Gjirokastrës, pasuri botërore e UNESCOS janë në kushte mbjetese, pasi tregu ka munguar përgjatë gjithë sezonit turistik të këtij viti dhe rrallë ndonjë produkt depërton përmes shitjeve online. Këto mjeshtëri sigurojnë jetesën për qindra familje dhe janë të rëndësishme, sidomos për punësimin e grave dhe të vajzave.

 

Viktor Nurçe, mjeshtër druri

“Situata është vështirësuar më shumë se çdo vit tjetër “- thotë Viktor Nurçe,  mjeshtër druri që ka një dyqan në zonën e Pazarit. Ai na tregon se po e plotëson mungesën e tregut turistik ku shiste prodhimet e drurit, me punime mobiljesh tradicionale. Por edhe ky aktivitet sipas Viktorit, ka rënë ndjeshëm për shkak të rënies të të ardhurave tek njerëzit dhe mungesës së investimeve për mobilim hotelesh apo lokalesh.

Tani janë tërhequr pronarët, ngaqë nuk kanë punë dhe xhiro, e shohin me vështirësi edhe vitin tjetër”- thotë pesimist Viktori.

Biznes i mbyllur në Pazarin e Gjirokastrës

Pak hotele mbeten të hapura në zonën historike, ndërsa disa biznese i kanë mbyllur dyert prej muajsh në pazarin e vjetër, ku gjatë ditës pothuajse nuk qarkullon asnjë grup turistësh. Mbi 150 artizanë me prodhime të ndryshme në Gjirokastër jetonin para pandemisë, kryesisht me të ardhurat e siguruara nga shitja e punimeve në tregun turistik.

Biznese të mbyllura në Pazarin e Gjirokastrës

Bashkia e Gjirokastrës përballë nevojave të rritura ekonomike dhe sociale

Përballë nevojave të rritura ekonomike nga kufizimi vendeve të punës, rënia e qarkullimit tregtar të biznesit të vogël dhe thellimi i varfërisë, Bashkia e Gjirokastrës ka pak financime në dispozicion. Që nga muaji marsi kur nisi pandemia, situata ekonomike ka ardhur duke u vështirësuar për qindra familje.

Buxheti për skemën e ndihmës ekonomike, i miratuar nga Këshilli Bashkiak, ka qenë 500.000 lekë.

Drejtoria e Shërbimeve Sociale dhe Shëndetësore në Bashkinë e Gjirokastrës iu përgjigj interesimit të “Faktoje” duke pohuar se nga janari janë angazhuar në terren mbi 30 grupe patronazhimi, përfshirë bashkinë qendër dhe 6 njësitë administrative.

“Janë verifikuar në terren 200 familje aplikuese në skemën e ndihmës ekonomike. Një listë prej 400 individësh është miratuar nga Këshilli Bashkiak Gjirokastër”- thotë Bashkia e Gjirokastrës.

Sipas informacionit zyrtar të këtij institucioni, 50 individë apo familje që i përkasin skemës së aftësisë së kufizuar në listën e miratuar nga këshilli bashkiak, kanë përfituar pako ushqimore. Gjysma e familjeve përfituese i përket komunitetit rom dhe egjiptian.

Shtëpitë në lagjen e komunitetit rom, Gjirokastër

Sipas bashkisë, rreth 2 mijë fëmijë dhe të rinj kanë përfituar nga fondet e saj dhe të donatorëve, me produkte ushqimore, higjeno-sanitare, medikamente, veshmbathje dhe mjete shkollore. Janë asistuar gjithashtu mbi 600 të moshuar me medikamente, produkte jo ushqimore dhe ushqimore dhe me anë të shërbimit postar, është bashkëpunuar për shërbimin në familje.

Nga muaji prilli deri në korrik, 110 familje të cilat aplikuan për ndihmë ekonomike por rezultonin me pikë të pamjaftueshme, përfituan një pagesë 16.000 lekë bazuar në procedurat e ndihmës financiare për punonjësit e larguar nga puna si pasojë e Covid-19. Bashkia e Gjirokastrës thotë se nga Fondi Social me mbështetjen e organizatës “Save the Children” përfituan 70 familje në përbërjen e të cilave ka fëmijë.

Fondi social në ndihmë të qytetarëve

Drejtoresha e Shërbimeve Sociale dhe Shëndetësore në Bashkinë Gjirokastër, Albana Allushi thotë se pavarësisht situatës së pandemisë po punohet me përkushtim për t`iu gjendur afër qytetarëve. Ajo konfirmon rritje të numrit të qytetarëve që i drejtohen Shërbimit Social gjatë periudhës së pandemisë, ndërsa vëmendja më e madhe është tek familjet me fëmijë, personat me aftësi ndryshe dhe të moshuarit, sipas zonjës Allushi.

“Edhe lista me 400 individë dhe familje që përfituan nga vendimi i këshillit bashkiak, u përqendrua te kjo kategori. Në muajin mars, në skemën e ndihmës ekonomike ishin 73 familje përfituese, ndërsa ky numër është dyfishuar gjatë periudhës së pandemisë. Në muajin maj numri i familjeve përfituese shkoi në 150,  ku 120 janë nga skema e pikëzimit  të ndihmës ekonomike, nga 233 që ishte numri i aplikuesve”- konfirmon Allushi.

Albana Allushi, drejtoresha e Shërbimeve Sociale dhe Shëndetësore në Bashkinë Gjirokastër

Bazuar tek të dhënat zyrtare, në skemën e personave me aftësi të kufizuar po trajtohen 483 persona  të paaftë, 134 të verbër  dhe 46 paratetraplegjikë. Prej datës 4 nëntor për t’iu ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, Bashkia Gjirokastër, për grupmoshën 0-12 vjeç mbulon koston e medikamenteve, në bazë të recetës së mjekut, sipas këtyre kategorive:

-Fëmijët e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike
-Fëmijët e vendosur në kujdestari alternative
-Fëmijët kur një nga prindërit është përfitues i urdhërit të mbrojtjes
-Fëmijët me status jetimi
-Fëmijët që u përkasin komuniteteve rome dhe egjiptiane
-Raste në menaxhim nga Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve

Komuniteti rom më i godituri nga pandemia

Më i godituri nga pandemia në Gjirokastër, mbetet komuniteti rom që banon kryesisht në lagjen periferike të qytetit, të quajtur “Zinxhira”. Aty mungojnë plotësisht infrastruktura dhe shërbimet publike. Rreziku nga përhapja e virusit është edhe më i madh në këtë lagje me shtëpi të improvizuara, të mbipopulluara, ku bëhet i pamundur distancimi fizik, një element kryesor i masave parandaluese të shëndetit publik. Larja e duarve me ujë të ngrohtë dhe sapun është e pamundur për romët që nuk kanë çezma, sepse edhe uji mungon. Për pajisje sanitare, as që bëhet fjalë, në të ashtuquajtura banesa, që herë janë baraka të ngritura me hedhurina, herë streha me plasmas. Kjo kategori është gjerësisht e prekur nga sëmundshmëria e lartë, vdekshmëria dhe efektet psikologjike, sociale dhe ekonomike të pandemisë.

Lagjia e banuar nga romët, Gjirokastër 

“Situata e pandemisë i ka vështirësuar për të gjitha kategoritë e popullsisë këtë vit disa shërbime të kujdesit shëndetsor, që më parë kryheshin edhe për romët”- thotë Bledi Ahmeti, specialist i Shëndetit Publik në Gjirokastër. Ai përmend shërbimin e check up apo atë të mamografisë për gratë rome, gjatë fushatave për parandalimin e kancerit të gjirit.

Bledi Ahmeti, specialist i Shëndetit Publik në Gjirokastër 

Mjerimi i romëve dhe mbijetesa në pandemi

Në një zallishte në krah të majtë të lagjes Zinxhira në Gjirokastër ajo që njihet si lagjia e romëve “nuk dremit” asnjëherë. Natën dhe ditën gjallon jeta e vështirë ku dëgjohen zërat e fortë të fëmijëve, grave, burrave dhe të moshuarve.  Zbathur e të paveshur mire, ndonëse ka nisur dimri, fëmijët duket se janë mësuar me të ftohtin. Të ashtuquajturat shtëpi, ngrihen kaotike në lagjen ku rregullat janë një përjashtim.

“Skemi asnjë kusht! Edhe lagjia shumë e ndotur, nuk vijnë ta pastrojnë. Një pjesë e shtëpive s’kanë energji dhe shumica kanë vështirësi të sigurojnë ujin.”- thotë Bledi Ajdini që na tregon barakën e tij.

Bledi Ajdini

Tek një tub që kalon përmes lagjes, vajzat dhe gratë rome zbresin me bidonë të mëdhenj 30 litërsh për të mbushur ujë të cilin e transportojnë me krahë drejt barakave duke ngjitur në këmbë një segment malor.

Gratë rome duke mbushur ujë

Prej shumë muajsh, tregtarët romë në Gjirokastër kanë ndërprerë aktivitetin e tyre të përditshëm, që realizohej në një zonë periferike. Për disa kohë, tregu u mbyll pasi aktiviteti u zhvendos nga bashkia dhe pas rihapjes, ai funksionon në mënyrë të çrregullt.

“Romët herë dalin për të shitur, herë jo. Nuk kanë mall, ka ditë që tremben të vijnë, nga infektimi”- thotë Sokoli, një tregtar që shet pajisje ngrohëse më gaz.

Sokoli, shitës në tregun e romëve

Burimet e të ardhurave për shumë nga familjet rome, nga tregtia e rrobave të përdorura janë zvogëluar ndjeshëm prej muajit mars, kur nisi pandemia. Edhe aktiviteti i romëve që grumbullojnë hekurishte dhe paketime metalike të pijeve, i ka ulur ndjeshëm të ardhurat.

Tregu rom, herë mbyllur – herë hapur

Tregu rom, herë mbyllur – herë hapur

 Studimi për Romët në Gjirokastër

“Në Bashkinë Gjirokastër jetojnë 189 familje rome dhe egjiptiane gjithsej, ose 900 persona kundrejt 37,610 banorëve që ka në total qyteti. Thënë ndryshe, 2% e popullsisë së Gjirokastrës përbëhet nga komuniteti rom”- thuhet në një studim të tre  viteve më parë nga Ministria e Zhvillimit Urban. Në këto shifra nuk janë përfshirë familjet rome që në periudhën e studimit ndodheshin  jashtë vendit për arsye emigrimi, si dhe familjet që kanë migruar brenda vendit për arsye pune ose janë shpërngulur nga Gjirokastra për të jetuar në një vend tjetër të Shqipërisë.  Gjithashtu nga të dhënat e studimit rezultojnë se janë 80 familje të tjera që aktualisht nuk ndodhen në Gjirokastër ose ndodhen jashtë vendit në emigrim për arsye të ndryshme ekonomike – sociale dhe kryesisht janë të lokalizuar në zonën e Janinës.

Varfëria e pjesëtarëve të komunitetit rom

Sipas studimit, romët në qytetin e Gjirokastrës vuajnë nga mungesa e të ardhurave,  kushtet e këqija të jetesës, mungesa e shërbimeve publike, si kujdes mjekësor dhe arsimim, mungesa e aksesit në tregun e punës, në regjistrimin civil dhe sigurinë. Mungesa e strehimit dhe ujit të pijshëm konsiderohet problemi më i madh, pas ushqimit. Romët strehohen në shtëpi të mbipopulluara ku mungojnë kushtet elementare si kanalizimet dhe uji i pijshëm. Në zonat ku janë përqendruar romët, familjet jetojnë në kasolle ose në ndërtesa të braktisura, që më parë kanë qenë pronë e shtetit.

Midis dy komuniteteve, atij rom dhe egjiptian, romët përbëjnë shumicën e këtyre grupeve.

Edhe problemet e tyre të varfërisë, strehimit, dhe përjashtimit janë më të mprehta se ato të komunitetit egjiptian. Shumë familje përpiqen të krijojnë kushte jetese për veten e tyre, nëpërmjet aktiviteteve ekonomike informale.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img