Pamjet e raketës NASA nuk kanë lidhje me sistemin HAARP

11

Pretendimi: Kjo video tregon veprimtarinë e sistemit HAARP që modifikon klimën

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————–

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon në veprim sistemin HAARP, i cili akuzohet se kontrollon klimën.

Në të vërtetë, makineria që duket në video është një motorr rakete.

Me anë të motorrit të kërkimit Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është shkëputur nga një video më e gjatë e botuar në korrik 2017 me titullin “Testimi i një sistemi të ri kontrollues motorri për RS-25.”

Sipas përshkrimit që e shoqëron, video tregon testimin e motorrit RS-25 për raketën SLS në Qendrën Hapësinore Stennis në Mississipi më 25 korrik 2017. Specifikisht, “testin e tretë në një seri testesh të kontrolluesit të fluturimit RS-25 më 25 korrik 2017, për raketën e Sistemit të Lansimit në Hapësirë ​​(SLS) të NASA.”

Një fletëpalosje që prezanton motorrin RS-25

Raketa SLS, më e fuqishmja që nga raketa Saturn V që dërgoi njerëzit e parë në Hënë në vitet 1960, është dizenjuar për të transportuar astronautët përtej orbitës së Tokës, në destinacione si Hëna dhe Marsi. Ajo do të ketë katër motorrë R2-25 çdo fluturim.

Motori R2-25 shkarkon kryesisht avuj uji sepse ai djeg hidrogjen dhe oksigjen të lëngshëm. Kombinimi i këtyre elementeve prodhon ujë, i cili në formën e avullit prodhon “retë” që duken në video dhe trembin konspiracionistët.

Siç “Faktoje” ka shpjeguar më parë, HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015. 

Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore duke e etiketuar si shkaktar i përmbytjeve, uraganeve, thatësirave, tërmeteve, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.

Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në një vend në Alaska dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhesh për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”

“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë pretendime të ngjashme mbi sistemin HAARP.