Pretendimi: Ky imazh tregon tonelata me ndihma ushqimore të hedhura në Gaza nga avionët ushtarakë kinezë

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se avionë ushtarakë kinezë kanë hyrë pa lejen e Izraelit në hapësirën ajrore palestineze për të hedhur tonelata me ndihma ushqimore në Gaza dhe autoritetet izraelite kanë deklaruar se “ushtria kineze nuk ka respektuar no fly zone të vendosur nga qeveria Netanyahu.”

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi që shoqëron pretendimin nuk tregon ndihmat kineze të hedhura në Gaza së fundmi.

Ai është shkëputur nga një video e botuar më 2 mars 2024 nga agjencia franceze e lajmeve AFP në kanalin e tyre në Youtube. Video origjinale mban titullin “ShBA hedh ndihma në Gazën e shkatërruar nga lufta.”

Sipas AFP, video tregon “parashutat me ndihma humanitare [që] bien nga qielli pas një hedhjeje nga ajri në Rafah. Të shtunën [2 mars 2024], Shtetet e Bashkuara kryen operacionin e parë për të hedhur ndihma humanitare në Rripin e Gazës, i cili sipas OKB është nën kërcënimin e urisë, ndërsa lufta midis Izraelit dhe Hamasit vazhdon.”

Në 2 mars 2024, ShBA bëri hedhjen e parë nga ajri të ndihmave humanitare në Gaza, me më shumë se 30000 vakte të dërguara me parashutë nga tre aeroplanë ushtarakë. Operacioni, i kryer së bashku me Forcat Ajrore të Jordanisë, ishte i pari nga shumë të njoftuar nga presidenti i atëhershëm Joe Biden.

Vende të tjera, përfshirë Jordaninë dhe Francën, kishin kryer më parë dërgesa ndihmash nga ajri në Gaza.

Kritikët e hedhjeve të ndihmave nga ajri thonë se ato kanë vetëm një ndikim të kufizuar në vuajtje dhe se është pothuajse e pamundur të sigurohet që furnizimet të mos përfundojnë në duart e militantëve.

Një raportim i CNN i datës 26 mars 2024 njoftonte se të paktën 12 persona u mbytën në brigjet e Gazës ndërsa përpiqeshin të merrnin pakot e ndihmës që ishin hedhur nga ajri në det, sipas mjekëve palestinezë.

Pas incidentit, Hamasi dënoi hedhjet nga ajri, duke i përshkruar ato si “ofenduese, të gabuara, të papërshtatshme dhe të padobishme” dhe bëri thirrje që ato të ndaleshin.

Nuk ka raportime të besueshme që konfirmojnë se Kina ka hedhur ndihma nga ajri në rajon. Në vend të kësaj, Kina ka ofruar ndihmë ekskluzivisht përmes UNRWA dhe organizatave të tjera humanitare. Dërgesa më e fundit e konfirmuar, 60 mijë pako ushqimore të njoftuara në fillim të Marsit 2025, u shpërnda përmes këtyre agjencive dhe jo nga ajri.

Më 13 maj 2025, në Këshillin e Sigurimit të OKB, Kina bëri thirrje për masa urgjente ndërkombëtare për t’i dhënë fund krizës humanitare në Gaza. Ajo dënoi bllokadën dhe operacionet ushtarake të Izraelit, hodhi poshtë politizimin e ndihmës dhe rikonfirmoi mbështetjen për një zgjidhje me dy shtete, duke kërkuar pajtueshmëri me ligjin ndërkombëtar.

Sipas UNRëA, asnjë ndihmë nuk ka hyrë në Gaza që nga 2 marsi 2025, duke lënë popullatën pa furnizimet thelbësore, ushqim, karburant, ndihmë mjekësore dhe vaksina për fëmijët. Në një intervistë për BBC, Komisioneri i Përgjithshëm i UNRëA, Philippe Lazzarini, paralajmëroi se përdorimi i ndihmës si armë “mund të kualifikohet si krim lufte.”

21 maj 2025, OKB tha se ende nuk është shpërndarë asnjë ndihmë në Gaza, pavarësisht se kamionët me ndihma kanë filluar të kalojnë kufirin pas një bllokade 11-javore. 

Zyrtarët izraelitë thanë se 93 kamionë hynë në Gaza më 20 maj, duke transportuar ndihma përfshi miell, ushqim për fëmijë, pajisje mjekësore dhe ilaçe farmaceutike. Por OKB tha se, pavarësisht se kamionët arritën në anën palestineze të pikës kalimtare Kerem Shalom, deri më tani nuk është shpërndarë asnjë ndihmë.

Zëdhënësja e OKB Stephane Dujarric tha se një ekip “priti disa orë” që Izraeli t’u lejonte atyre të hynin në zonë, por “për fat të keq, ata nuk ishin në gjendje të sillnin këto furnizime në depon tonë.”

Vetëm pesë kamionë me ndihma kishin mbërritur në Gaza deri të martën (20 maj) pasdite dhe punonjësve të ndihmës nuk u ishte dhënë leje për të shpërndarë as atë dërgesë simbolike, tha Jens Laerke, zëdhënës i zyrës humanitare të OKB, në një konferencë për shtyp në Gjenevë.
Izraeli ra dakord më 18 maj të lejonte një “sasi bazë ushqimi” të hynte në Gaza, ku ekspertët globalë kanë paralajmëruar për një zi buke që po afrohet. Zyra e kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se do të “lejojë që të sillet një sasi bazë ushqimi për popullsinë, në mënyrë që të sigurohet që të mos zhvillohet asnjë krizë urie në Rripin e Gazës. Një krizë e tillë do të rrezikonte vazhdimin e Operacionit ‘Qerret e Gideonit’ për të mposhtur Hamasin”, shtoi deklarata.