Pretendimi: Kjo video tregon izraelitë duke u arratisur nga sulmet raketore iraniane
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————
Një video që është parë mbi 8 mijë herë në Facebook pretendohet se tregon shtetas izraelitë duke u arratisur nga raketat e Iranit.
Klipi tregon një turmë njerëzish me çanta të mëdha dhe duke tërhequr karroca duke ecur me vështirësi nëpër fusha dhe përgjatë një shtegu me dhe.
Megjithatë, video nuk tregon qytetarë izraelitë që largohen nga vendi.
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video ishte postuar në TikTok më 19 qershor, shoqëruar me mbishkrimin, në frëngjisht: “Kampingu i Hellfest u hap dje.”
E njejta llogari që kishte postuar videon e mësipërme, postoi gjithashtu një video tjetër të kampingut më 23 qershor. Çdo vit, në muajin qershor, fshati Clisson në Loire-Atlantique, në Francë, kthehet në destinacionin e preferuar për të gjithë adhuruesit e muzikës Hard rock, heavy metal dhe hardcore punk.
Një kërkim me fjalë kyçe na çoi në një video të ngjashme të postuar në YouTube nga kanali francez TV Sèvre et Maine më 20 qershor.
Një tabelë kuq e zi që ngrihet mbi pjesëmarrësit dhe tendat e festivalit mund të shihet si në videon që pretendon se tregon arratisjen e izraelitëve, ashtu edhe në videon në YouTube.
Për më tepër, një rresht me tenda të bardha pranë të cilave shfaqen pjesëmarrësit e festivalit duke ecur korrespondon me një foto të gjeoetiketuar të kampingut në vitin 2023, e disponueshme në Google Maps.
Imazhet satelitore të Google Earth të marra në qershor 2018 tregojnë gjithashtu kampingjet e gjera të festivalit vjetor Hellfest.
Video po qarkullon ndërsa të huajt nxituan të largoheshin nga Irani dhe Izraeli, pas një fushate të paprecedentë bombardimi izraelit që synonte objektet bërthamore dhe ushtarake të Teheranit më 13 qershor shkaktoi hakmarrje nga Irani.
Të dyja palët shkëmbyen sulme shkatërruese për 12 ditë përpara se një armëpushim i propozuar nga ShBA t’i jepte fund konfliktit që vrau më shumë se 600 njerëz në Iran dhe 28 në Izrael.