Mbi 280 familje presin ende përfundimin e rikonstruksionit të pallateve të kompleksit Jedas në Durrës, edhe pse u premtua se punimet do nisinin në mars 2021. Një pjesë e banorëve kanë hyrë në apartamentet e pakolauduara, pasi kanë 8 muaj pa e marrë bonusin e qirasë. Si të mos mjaftonte gjitha, atyre u duhet të paguajnë një dorë të mirë parash për ashensorët, shpenzim që firma ndërtuese refuzon ta mbulojë.
Në mars të vitit 2021, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako njoftoi:
“Riforcimi i objekteve të cilësuar në nivel dëmi DS4 pritet të fillojë këtë muaj. Në këtë lot të projekteve, ne kemi objekte të rëndësishme, të cilat u bënë si simbol i shkatërrimit të tërmetit të 26 nëntorit, siç është pallati i Jedasit”.
Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Durrësit, ku pyetëm se në çfarë faze ishin punimet për kompleksin që përfshin diku tek 185 apartamente. Në përgjigjen zyrtare që mban datën 20 nëntor, Bashkia e Durrësit sqaron:
“Objekti pallat Jedas është në fazë kolaudimi. Banorët nuk konsiderohen të pastrehë për sa kohë objekti i është nënshtruar riforcimit dhe në momentin që përfundon kolaudimi, objekti rikthehet i banueshëm dhe banorët i rikthehen apartamenteve të tyre, pasi është përforcim dhe jo rindërtim.”
Verifikimi në terren
Pavarësisht se Bashkia mohon t’i quajë banorët e kompleksit Jedas të pastrehë, verifikimi i Faktoje në Durrës më 14 nëntor tregon se rreth 283 familje nuk kanë hyrë në apartamentet e tyre.
“Ky është ndër komplekset e para që ka filluar rindërtimi dhe ndër më të mëdhenjtë, por është më mbrapa nga të gjithë. Konkretisht po lidhet energjia elektrike. Kanë ngelur edhe disa punime të vogla për të bërë, këto pjesët e shkallëve, hyrjet për t’i shtruar me pllaka”, thotë një prej banorëve të kompleksit që mezi pret të hyjë në apartamentin e tij, 4 vjet pas dëmtimit nga tërmeti tërmetit.
Edhe pse pallati ende nuk është kolauduar, disa banorë kanë hyrë në apartamentet e papërfunduara, sepse prej 8 muajsh nuk e marrin bonusin e qirasë dhe askush nuk pranon t’i strehojë pa pagesë.
“Disa familje kanë hyrë, sepse këta nuk po japin as bonuset e qirasë. Sa të mbarojë rregullimi i korentit na kanë thënë, do të sistemohen edhe katet e tjera”, thotë një banor i pallatit.
Mungesën e bonusit të qirasë e konfirmon zyrtarisht edhe bashkia e Durrësit në përgjigjen për Faktoje:
“Në Qarkun e Durrësit trajtohen ose janë në listat e familjeve që përfitojnë ende bonus qiraje rreth 2500 familje, të cilët që nga prill i vitit 2023 nuk janë trajtuar me bonus qiraje. Bashkia Durrës i ka kërkuar fonde për subvencionimin e qirasë për familjet e prekura nga tërmeti i datës 26.11.2019 Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me shkresën 30/4 datë 18.07.2023 dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje mbi vazhdimin e lëvrimit të fondeve”.
Banorët e kompleksit Jeda: Po na kërkojnë lekë për ashensorët
283 familjet e kompleksit Jedas, ende pa hyrë në apartamente po përballen me një tjetër problem.
“Kanë ngelur ashensorët që nuk po i japim dot drejtim. Duhen ashensorë të rinj dhe është shumë e lartë pagesa që asnjë banor nuk e përballon. Një ashensor shkon të paktën 45 mijë euro, duhen 4 ashensorë.”- thotë një tjetër banor, i cili shton:
“Nuk kanë lekë njerëzit, e kanë mobiluar shtëpinë nga e para, tani po na kërkojnë dhe lekë për ashensorë. Kati i parë thotë nuk e dua, i dyti, i treti dhe i katërti po ashtu. Nuk e kishim parashikuar këtë punën e ashensorit me pagesë”.
Pas tërmetit shkatërrimtar, ekspertët vlerësuan se kompleksi Jedas kishte shkallë dëmtimi DS4 dhe duhej do t’i nështrohej rikonstruksionit.