BallinaTë pambajturaPallatet e Thumanës duhet të ishin gati, kryeministri "konfirmon" shtyrjen edhe me 4 muaj

Pallatet e Thumanës duhet të ishin gati, kryeministri “konfirmon” shtyrjen edhe me 4 muaj

Rreth 20 muaj pas tërmetit të nëntorit 2019, në Thumanën që u kthye në simbol të tragjedisë, ende nuk ka përfunduar ndërtimi i ndonjë banese të re. Në këtë zonë janë planifikuar për t’u ndërtuar 278 apartamente të ndara në 14 pallate, dhe 155 banesa individuale. Ndërkohë që tabelat në kantieret e ndërtimit tregojnë se pallatet duhet të kishin përfunduar, kryeministri Rama ka njoftuar shtyrjen e radhës duke vendosur vjeshtën e këtij viti si afat.

Më shumë se 1 muaj më parë Faktoje raportoi për një kantier prej 4 pallatesh në Thumanë, i cili duhej të kishte përfunduar në muajin maj, por që rezultoi i parealizuar si zotim.

Më 7 korrik, ne u rikthyem në Thumanë, për të verifikuar ecurinë e rindërtimit të pallateve të tjerë, 9 prej të cilave duhej të përfundonin brenda muajit qershor. Përjashtim nga ky afat bën vetëm objekti nr. 4, që po realizohet nga fondacioni “Behgjet Pacolli” dhe duhet të përfundojë brenda muajit korrik.

Kantieri i rindërtimit të njësive kolektive në Thumanë, 7 korrik 2021

Për paketën A, që përfshin 9 njësi banimi kolektive, punimet kanë filluar në muajin janar 2021 dhe duhet të përfundojnë në qershor të po këtij viti, sipas tabelës së punimeve. Vlera e kësaj pakete e tejkalon shumën prej 581 milionë lekësh pa TVSH. Këto 9 njësi kolektive janë katërkatëshe dhe përveç apartamenteve të banimit, përfshijnë edhe njësi shërbimi. Secila prej këtyre 9 njësive kolektive përmban mesatarisht 18 apartamente, ose rreth 160 apartamente në total.

Kantieri i rindërtimit të njësive kolektive në Thumanë, 7 korrik 2021

Situata që gjetëm në terren pak ditë pasi skadoi afati i projektit, tregonte një kantier që kishte marrë formë me pallatet e ngritura, por ende larg përfundimit.

Kantieri i rindërtimit të njësive kolektive në Thumanë, 7 korrik 2021

Ne biseduam me inxhinierin e këtij kantieri, i cili na shpjegoi se një pjesë e objekteve janë pothuajse plotësisht të përfunduara:

“Nga këto 9 objekte, 5 janë pothuajse komplet në përfundim. 2 prej tyre janë plotësisht të përfunduara dhe nuk kanë nevojë për asgjë shtesë, përveç disa dyerve”.

Kantieri i rindërtimit të njësive kolektive në Thumanë, 7 korrik 2021

“Mendojmë se në shtator do të dorëzohen të gjitha, me objektet që ndoshta mund të kenë nevojë për ndonjë riparim ose sistemim të jashtëm. Në tetor mund të futen banorët në shtëpi, nëse realizohen të gjitha” – u shpreh ai për Faktoje.

Kantieri i rindërtimit të njësive kolektive në Thumanë, 7 korrik 2021

13 korrik, pak ditë pas verifikimit të Faktojes në terren, kryeministri Rama me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook, njoftoi afatin e ri të përfundimit të pallateve në Thumanë, që llogaritet të jetë një shtyrje prej 4 muajsh të tjerë nga afati i projektit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img