.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëPaketa antishpifje, koloneli që nuk u bë kurrë gjeneral!

Paketa antishpifje, koloneli që nuk u bë kurrë gjeneral!

Ina Allkanjari

Për herë të parë, që nga shpallja e nismës së kontestuar të qeverisë për paketën antishpifje, përfaqësues të maxhorancës u tërhoqën publikisht. I ftuar në konferencën e mbajtur nga Faktoje në 1 prill, nënkryetari i komisionit të Medias Petro Koçi, duke përdorur metaforën e ‘kolonelit që nuk u bë gjeneral’ konfirmoi se nuk do të ketë një paketë antishpifje. Aktualisht në Kuvend ka mbetur ‘I ngrirë’ dekreti i presidentit për kthimin e ligjit të miratuar në 2019-n, por ende ky dekret nuk është përfshirë në seancat e komisionit të medias.

——————

“Ne do ta miratojmë ligjin, sepse në këtë xhungël dizinformimi, keqedukimi, sulme ndaj personaliteteve përmes shkeljes së përditshme të etikës së medias, së paku individët të kenë të drejtën të kërkojnë llogari përpara gjykatës ndaj çdokujt që i sulmon dhe fshihet pas anonimatit apo burimeve të jashtme. Në fakt u bien njerëzve si të ishin të pavlerë në shoqërinë tonë. Kjo nuk mund të vazhdojë”. Kështu deklaroi në datë 7 tetor 2020 Kryeministri Edi Rama gjatë një konference të përbashkët me ministren e Jashtme suedeze, Anne Linde.

E ashtuquajtura paketa anti-shpifje ka të bëjë me kompetencat e zgjeruara që i jepen Autoritetit të Mediave Audio-Vizuale, (AMA) dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike edhe Postare, (AKEP). Këtyre dy institucioneve shtetërore paketa nw fjalw u jepte kompetenca për të vendosur gjoba dhe për të mbyllur portale elektronike nëse në publikimet online “shpifin dhe cënojnë dinjitetin e individit.”

Në datë 1 Prill, në konferencën e organizuar nga Faktoje me mesazhin “Mos u Rrej! Fakto dhe Ti”, çështja u rikthye sërish në vëmendje, pas interesimit të gazetarëve se çfarë do të ndodhë me këtë draft.

Deputeti i Partisë Socialiste Petro Koçi, njëkohësisht nënkryetar i Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve te Informimit Publik, i ftuar në këtë konferencë u shpreh se kjo çështje është mbyllur përfundimisht duke theksuar se heshtja është një mënyrë mosmiratimi.

“Përsa i përket çështjes së ligjit kundër shpifjes, nuk është në axhendë, sepse do të ishte në komisionin tonë, do të vinte te kalendari i komisionit tonë. Unë di të them se vullneti i maxhorancës i shprehur edhe nëpërmjet meje, është që kjo është një çështje e mbyllur tashmë përfundimisht pavarësisht se është dekreti në Kuvend. Di që heshtja është një mënyrë për të mos aprovuar diçka, pra për ta lënë njëherë e përgjithmonë.

Kujtoj rastet kur ne si Ministri e Mbrojtjes, kur kam qenë atje, i propozonim presidentit dekretimin e disa kolonelëve për t’u bërë gjeneralë dhe propozimi as nuk është refuzuar dhe as nuk është aprovuar, por do të thotë që ato persona nuk u bënë dot ndonjëherë gjeneralë! Kështu është dhe me këtë ligj, ky ligj nuk do të bëhet ndonjëherë general!”- u shpreh Petro Koçi.

Kjo deklaratë u replikua nga deputetetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, njëkohësisht anëtare e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve te Informimit Publik. Zhupa u shpreh se ky ligj nuk mund të kalojë në heshtje, duke theksuar se çdo herë kalendari trejavor parashikon një pikë, ku është prezent ky ligj.

“Në fakt ligji vjen gjithmonë në kalendarin që dërgon administrata e kuvendit si një nga çështjet që komisioni i medias duhet të shqyrtojë. Çdo herë unë mund t’ju vendos në dispozicion dhe e keni publik. Çdo herë kalendari trejavor parashikon një pikë, ku është edhe ky ligj. Ajo çfarë ndodh është që ne nuk na vjen në komision, pra kryesia e komisionit apo sekretaria e komisionit, nuk e di çfarë ndodh është mister, nuk na vjen që të vendosim një datë dhe një orë siç ndodh në kalendaret e tjera.

Për aq kohë sa futet në kalendar do të thotë që në çdo moment parlamenti ka detyrimin që ta votojë dekretin e presidentit, pro ose kundër. Në këtë rast, nëse e voton pro rrëzohet ligji, nëse e voton kundër, ligji qëndron siç e ka miratuar qeveria” – deklaroi Ina Zhupa.

Faktoje vendosi të verifikojë kalendarin e punimeve të kuvendit për periudhën 28 mars – 15 prill 2022, ku evidentuam se Dekreti i Presidentit për rishqyrtimin e këtij ligji figuron i parashikuar në kalendar.

Screenshot, kalendari i punimeve të kuvendit për periudhën 28 mars – 15 prill 2022

Sipas nenit 86 të Rregullores së Kuvendit, në rastin e dekretit të Presidentit për rikthimin për rishqyrtim të ligjeve, dekreti i kalon menjëherë Komisionit përgjegjës (në këtë rast Komisioni i Medias). Sipas pikës 4 të këtij neni, Komisioni përgjegjës përgatit raportin për seancën plenare me propozimin për pranimin ose rrëzimin e dekretit të Presidentit brenda 4 javëve nga data e depozitimit të tij në Kuvend.

Ndërkohë, dekreti i Presidentit vijon të mbetet në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit, por pa një datë për shqyrtimin e tij.

Në datat 1 dhe 4 prill Faktoje pati një komunikim zyrtar me kryeministrinë përmes kërkesave për informacion ku interesoheshim nëse planifikohet të miratohet një paketë e re Anti-Shpifje apo do të bëhen ndryshime në paketën ekzistuese.

Screenshot, kërkesa për informacion drejtuar Kryeministrisë datë 01.04.2022

Screenshot, kërkesa për informacion drejtuar Kryeministrisë datë 04.04.2022

Kryeministria në datë 4 Prill solli këtë reagim:

“Në përgjigje të kërkesës tuaj, dëshiroj t’ju informoj se në Kryeministri nuk rezulton të jetë depozituar ndonjë projektligj, për sa kërkoni”.

Përgjigja e Kryeministrisë datë 04.04.2022

Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion edhe Kuvendit të Shqipërisë por deri në publikimin e këtij artikulli nuk morëm një përgjigje nga ky institucion.

Më herët, Faktoje në një artikull të datës 28 shkurt kishte verifikuar se deri në atë moment as nuk ishte depozituar ndonjë draft i ri për paketën antishpifje, ndërsa shqyrtimi i dekretit të persidentit për paketën e miratuar dy vite më parë ka mbetur ‘i ngrirë’. Nga ana tjetër kryeministria nuk ktheu asnjë përgjigje në atë kohë ndërsa përfaqësues të maxhorancës duke kërkuar të mos citohen, pranuan se nuk do të ketë një rikthim të kësaj pakete.

Nisma e nxituar për Antishpifjen

Diskutimet zyrtare për ndryshimet e ligjit për Median Audiovizive dhe ligjit të AKEP-it nisën në dhjetor 2018. Këto ndryshime ligjore, të cilat parashikonin mes të tjerave masa administrative të majme për mediat, u shoqëruan me kritika dhe protesta nga ana e komunitetit të gazetarëve, shoqëria civile si dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare. Pavarësisht kritikave, e ashtuquajtur “paketë anti-shpifje” u miratua nga shumica parlamentare në dhjetor 2019. Në janar 2020, Presidenti nuk dekretoi këto ndryshime ligjore duke i rikthyer ligjet  me argumentin se ato cënojnë lirinë e shprehjes në Shqipëri.

Më 22 janar kur dekreti i Presidentit ishte futur në rendin e ditës së Kuvendit, me mazhorancën që kishte shprehur publikisht vullnetin e saj për të rrëzuar dekretin, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës njoftoi se i kishte kërkuar Komisionit të Venecias, të paraqiste një opinion në lidhje me të ashtuquajturën “paketë anti-shpifje”. Në këtë pikë, Kuvendi vendosi të pezullojë ndryshimet në ligjin për Mediat Audiovizive, për të pritur opinionin e Komisionit të Venecias.

Kujtojmë se në qershor të vitit 2020 Komisioni i Venecias publikoi opinionin e tij duke rrëzuar ndryshimet në ligjin për Median Audiovizive duke i quajtur ato si të pazbatueshme në stadin aktual.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img