Paga e Ramës nuk është sa 50 pensione, në muaj

Sali Berisha ka deklaruar se Rama paguhet sa 50 pensionistë në një muaj ndërsa Begaj merr rrogë sa 60 pensione në muaj

80
Ne foto: Kryetari i PD-se, Sali Berisha, ne konference per mediat me 12 tetor

Më 12 tetor të këtij viti, kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi përmes një konference online për mediat se kryeministri Edi Rama paguhet sa 50 pensionistë në muaj ndërsa Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, merr rrogë sa 60 pensionistë në muaj. 

Deklarata e kryetarit te PD-se, Sali Berisha, me 12 tetor lidhur me hendekun e pagave dhe pensioneve

Konteksti

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në bazë të afateve të Kodit Zgjedhor, pritet të mbahen në periudhën 20 prill-11 maj 2025. Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare të ISSH në vend janë 791,257 pensionistë, indikacion ky që tregon se ata janë zë i konsiderueshëm në vota për zgjedhjet e 2025, edhe pse nuk ka të dhëna të detajuara publike, që tregojnë saktësisht përqindjen e tyre si grup votues specific. Ndaj dhe, krahasimi i çdo të dhëne me këtë shtresë vulnerabël në periudha para zgjedhore shërben si aksiomë e frytshme politike qoftë për njërën palë për të rezonuar shpejt dhe kuptueshëm kur bën opozitën e qeverisjes, e qoftë për palën tjetër në pushtet për të siguruar vota. Në këtë kontekst duhet parë edhe deklarata publike e ish-kryeministrit dhe kryetarit të PD-së, Sali Berisha, më 12 Tetor.  

Në konferencën e tetorit me median, Berisha, duke folur për pagat, tha se, Shqipëria aktualisht ka hendekun më të lartë në Europë midis rrogave më të larta dhe atyre më të ulëta si dhe pensioneve

“Ky disproporcion i pamëshirë i kultit të pagesave super të larta të zyrtarëve ku presidenti merr një rrogë të barabartë me 60 pensionistë në muaj, ku kryeministri merr një rrogë të barabartë me 50 pensionistë në muaj, nuk mund të ekzistojë askund në një vend të lirë, ku të mirat, të ardhurat kthehen në mirësi për mbarë qytetarët”, u tha Berisha gazetarëve pëmes një komunikimi online nga shtëpia e tij.

Faktoje.al (me konsultimin paraprak edhe të një eksperti të ekonomisë) bëri një verifikim të deklaratës së Berishës duke krahasuar pagën mujore që merr kryeministri Edi Rama dhe shumën që paguhet Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, me pensionin mesatar mujor në zonat urbane dhe atë rurale

Të dhënat

Sot Presidenti i Republikës, Bajram Begaj paguhet 425 mijë lekë në muaj. Për të llogaritur se sa pensionistë marrin rrogën e Presidentit në muaj, Faktoje.al i është referuar krahasimit të pagës së kreut të shtetit me pensionin mesatar në zonat urbane dhe atij në zonat rurale. Pensioni mesatar mujor në zonat urbane është 18,234 lekë+ 748 lekë (më shumë) pas indeksimit me 4.1% nisur nga muaji tetor. Nga përllogaritjet rezulton se paga e Presidentit është sa 22 pensione mesatare në muaj. I njëjti krahasim edhe me pensionin mesatar në zonat rurale.  Në zonat rurale, pensioni mesatar mujor është 11,051 lekë+453 lekë indeksim (i aplikuar nga 1 tetori).

Referuar sa më sipër, rezulton se paga e Presidentit është sa 37 pensione mesatare në muaj.

Kryeministri Edi Rama merr pagë mujore bruto 393,125 lekë. Sot pensioni mesatar në zonat urbane është 18,982 lekë (bashkë me indeksimin e fundit)  

Duke krahasuar pagën e kryeministrit në një muaj me pensionin mesatar (18.982) na rezulton se Rama paguhet sa 20.7 pensione mesatare (urbane) në muaj.

E njëjta përllogaritje edhe me pensionin mesatar në zonat rurale. Paga nuk kalon shumën e 34 pensioneve mesatare në muaj.

Përfundim

Nisur nga verifikimi i të dhënave na rezulton se deklarata e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, mbajtur më 12 tetor të këtij viti për pensionet është e pavërtetë.