.

.

BallinaAktualitetOSBE/ODIHR jep raportin pararak për votimin e 25 prillit

OSBE/ODIHR jep raportin pararak për votimin e 25 prillit

3 përfaqësues të misionit ndërkombëtar vëzhgues të OSBE/ODIHR bënë raportimin paraprak mbi gjetjet për procesin e votimit të 25 prillit.

 

Azay Guliev, kooridnator special dhe drejtues i misionit afatshkurtër të OSBE/ODIHR prezantoi raportin ku mes të tjerash përmendej ngjarja e para disa ditëve në Elbasan ku mbeti i vrarë një person, ngjarje për të cilën u kërkua të hetohej. Një tjetër çështje për të cilën vëzhguesit shprehën shqetësim ishte përdorimi i të dhënave personale të zgjedhësve.

“Qytetarët duhet të jenë të sigurtë! Pse është vota e fshehtë? Çdo rrjedhje informacioni që tregon se si duhet të votojë qytetari përbën kërcënim për të. Ky është kërcënim për demokracinë dhe për votimin normal.”-u shpreh Aleksander Pociej Drejtues i delegacionit të misionit vëzhgues PACE.

Vëzhguesit raportuan se ishin njohur me akuza lidhur me shitblerjen e votës, por thanë se informacione më të plota lidhur me këto akuza kishin vëzhguesit afatgjatë të misionit të OSBE-së.

“Është e vështirë të gjurmosh çështje të tilla, SPAK-u ka raste të cilat po i ndjek në lidhje me shitblerjen e votës. Ne vazhdojmë të dëgjojmë akuza për shitblerje. Nëse do vijohet kështu shqiptarët do humbasin besimin në sistemin zgjedhor.”-tha Urszula Gacek, ambasadorja e ODIHR.

Sipas konkluzioneve të tjera të këtij misioni, procesi i organizimit të zgjedhjeve ishte i mirë, dita e zgjedhjeve ishte transparente, sistemi elektronik ishte funksional dhe sugjerohej që në zgjedhjet e ardhshme përdorimi i teknologjisë të shtrihej më gjerë, si një mënyrë për të shmangur votimin abuziv.

Sa i përket ndalimit të pjesëmarrjes në votime të personave të prekur nga covid, vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se këta qytetarë duhej ta kishin ushtruar të drejtën për votim, megjithatë ky vendim u takon autoriteteve vendase.

Raportit paraprak të vëzhguesve të misionit të OSBE/ODIHR i paraprinë deklaratat e njëpasnjëshme të ambsadorëve të vendeve të BE, asaj të SHBA Juri Kim, kryediplomatit britanik Norman dhe zotit Luigi Soreca. Diplomatët kanë qenë në terren prej ditës së djeshme bashkë me dhjetëra vëzhgues të huaj për të ndjekur nga afër procesin e votimit dhe më pas atë të numërimit.

Pak orë para raportimit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, Ambasadori i BE, Luigi Soreca u shpreh për mediat:

“Procesi i numërimit duhet të vijojë pa probleme dhe pa vonesa, pasi qytetarët duan të mësojnë rezultatin e zgjedhjeve. Derisa te numërohet vota e fundit, të mos arrijmë në konkluzione. 50 ekipet e BE po vijojnë vëzhgimin e procesit të numërimit.”

Ndërkohë Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Dunkan Norman gjatë vizitës në një qendër numërimi në Vlorë tha:

“Me të mbaruar ky proces do kemi mundësinë të flasim lidhur me të gjatë javëve në vijim. E rëndësishme tani është t’u japim hapësirën këtyre burrave e grave (numëruesve) të bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale.”

Ndërsa Ambasadorja e SHBA Juri Kim e cila shoqërohej gjatë vëzhgimit në Tiranë nga ambsadorja e ODIHR Gacek dhe kryediplomati spanjoll, tha:

“E gjithë bota po sheh nga Shqipëria. Është gjë shumë e mirë që numëruesit të punojnë fort. Votuesit e bënë punën e tyre, autoritetet po bëjnë punën e tyre. Detyra e partive dhe kandidatëve është të presin të qetë dhe me durim rezultatin. Nga entuziazmi i çastit disa kandidatë kanë shpallur fitore, por të presim deri në fund për të parë çfarë ka thënë populli.”

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img