.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëOrikumi probleme me ndërprejen e energjisë, investimet miliona euro pa rezultat

Orikumi probleme me ndërprejen e energjisë, investimet miliona euro pa rezultat

Prej vitesh Orikumi nuk po gjen zgjidhje për ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike nga moti i keq. Banorët thonë se energjia mungon edhe me ditë kur ka shi dhe erë, sikurse ndodhi këtë nëntor. Investimet miliona euro të OSHEE-së në Orikum duket se nuk po japin rezultat ndaj banorët e zonës bëjnë thirrje për investime të tjera.

Afize Nelaj, studente

“Si pasojë e motit të keq, disa rajone si Shkodra, Lezha, Vlora, Kruja e Berati patën probleme në rrjetin e shpërndarjes, kryesisht në zonat rurale ku linjat janë ajrore që shtrihen në terren të vështirë malor. Theksojmë se shumica e fiderave jaën stakuar si masë sigurie.”njoftonte Operatori i Shpërndarjes së Energjisë më 20 nëntor, kur moti u përkeqësua me erë të fortë dhe reshje të dendura shiu.

Kaq mjaftoi që zona turistike e Orikumit dhe fshatrat pranë saj, Dukat, Tragjas dhe Radhimë të kishin sërish probleme me furnizmin me energji elektrike. Milionat e investimeve në Orikum nuk I kanë dhënë fund problematikës së ndërprerjes së vazhdueshme të energjisë elektrike. Faktoje ishte në Orikum në nëntor të këtij viti dhe bisedoi nga afër me banorët e zonës, që janë të shqetësuar për ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë.

Orikum, nëntor 2022

Z.K ka një biznes privat në Orikum. Ai thotë se energjia ndërpritet menjëherë kur moti përkeqësohet.

“Sapo fillon të fryjë pak erë ose të bjerë shi, dritat ikin. Kjo mua më ndikon dyfish sepse unë kam edhe një biznes timin këtu. Detyrohem të mbaj një gjenerator për raste emergjente.” –tregon ai për Faktoje duke shtuar se ka pasur raste që gjatë dimrit, energjia ka munguar prej dy apo tre ditësh në Orikum.

“Këtu më shumë jemi pa drita sesa me drita. U lodhëm duke pritur. Dëmi është i pallogaritshëm edhe për ne që nuk kemi biznese sepse çdo ushqim që kemi ne frigorifer prishet, sidomos prodhimet shtazore”.- ankohet një tjetër banore e zonës.

Mungesa e furnizimit të rregullt me energji është problem edhe për moshat e mëdha por sidomos për të vëgjlit që shkojnë në shkollë.

Mësimet i bëj kur vij nga shkolla ose kur vjen mami nga puna dhe kur s’ka drita përdor qirinj sepse s;mund të shkoj pa detyra.” – na tregon një fëmijë 8 vjeç nga Orikumi.

Në vitin 2015, OSHEE nisi zbatimin e një plani të gjerë investimesh në rrjetin e shpërndarjes që arrinte mbi 6 miliardë lekë. Referuar këtij plani, në Orikum nisi puna për ndërtimin e 4 kabinave të reja, në qytet brenda si dhe u rikonstruktua i gjithë rrjeti i tensionit të mesëm te rruga “Ali Demi”, si dhe kalimi i linjës 35 kV, TEC – Skelë, nga ajror në kabllor.

“Me investimet e reja në këto zona, do të rritet cilësia e furnizimit me energji, do të ulen humbjet në rrjetin elektrik si dhe do të reduktohet koha e ndërprerjeve të energjisë për shkak të defekteve.”- shkruhej ndër të tjera në planin e investimeve të vitit 2015.

Në gusht të 2015, Administratori i OSHEE-së Adrian Çela deklaroi nisjen e punimeve për ndërtimin e nënstacionit të Orikumit me vlerë 6 milion euro.

“Në Shtator nisin punimet për ndërtimin e 2 n/stacioneve, një në Himarë dhe tjetri në Orikum.”

Nënstacioni elektrik në Orikum, nëntor 2022

Nga kërkimet e Faktoje rezulton se ndërtimi i nënstacionit të ri në Orikum nuk është I vetmi investim për zonën. Në 2017, OSHEE me të ardhurat e kompanisë, deklaroi një tjetër investim në RIPËRTËRITJEN E RRJETIT ENERGJETIK NË JUG në vlerën e 15 milion dollarëve, që përfshinte edhe Orikumin.

“Eshtë investim i vitit 1971, duket në çfarë situate është. Kemi investuar 60 milionë lekë të reja, me të ardhura të kompanisë, ku kemi fuqizuar transformatorin dhe kemi fuqizuar 5 çela të reja automatike. Këto investime janë me fondet e kompanisë, për linjën 35 kË dhe kjo është faza e parë.”- deklaronte Administratori i OSHEE-së Adrian Cela, gjatë një inspektimi me Kryeministrin Edi Rama në nënstacionin e Radhimës dhe Orikumit në 26 shkurt të 2017.

Por pavarësisht investimeve, banorët në Orikum nuk I shpëtuan dot kufizimeve të energjisë. Në vitin 2018 ata u ngritën në protestë pasi kuptuan se edhe nënstacioni I ri nuk I shmangte ndërprejet e energjisë.

Banorë të Orikumit në protestë, 2018

“Kur përfunduan punimet menduam se nuk do të kishim probleme me dritat, por kjo histori vazhdon ende dhe sot që kanë kaluar katër vite.” – thotë një banor i Orikumit për Faktoje.

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe bisedat me banorët e zonës, Faktoje ju drejtua me kërkesë për informacion Ministrisë së Energjisë dhe Njësisë Administrative Orikum, mbi problematikën e ndërprerjeve të energjisë elektrike. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga këto dy institucione.

Ky shkrim është zhvilluar nga studentet në kuadër të projektit” Forcimi i kapaciteteve mbi verifikimin e Fakteve dhe anëtarësimi i Shqipërisë në EU i mbështetur nga Ambasada Suedeze .

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img