.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëOrikum, ujërat e zeza në det. Banorët, probleme me ujin e pijshëm

Orikum, ujërat e zeza në det. Banorët, probleme me ujin e pijshëm

Në Orikum, një nga zonat më të rëndësishme turistike të qarkut Vlorë, banorët vuajnë mungësen e furnizimit të pandërprerë me ujë të pijshëm. Një tjetër problematikë për zonën është dhe derdhja në det e ujërave të zeza, pasi impianti i përpunimit të tyre, nuk është vënë ende në punë. Premtimet e vazhdueshme dhe milionat e investuara nuk i kanë dhënë ende zgjidhje këtyre dy problematikave.

Afize Nelaj, studente

Edhe pse është një nga zonat më të rëndësishme të turizmit veror për qarkun e Vlorës në Orikum ende ujërat e zeza derdhen në det. Impianti i ujërave të zeza, një investim rreth 530 milionë lekë, ende nuk është vënë në punë.

Impianti i përpunimit të ujërave të zeza, Orikum

Në 2015, Orikumi u bë pjesë e projektit “ Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale”, një program i financuar nga banka gjermane KFW. Projekti u vu në zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Por 7 vite më vonë problematika e ujërave të zeza mbetet e pazgjidhur, pasi impianti nuk është vënë në punë për shkak të disa dëmtimeve që ka shfaqur.

Në nëntor të 2022 Faktoje ishte në Orikum dhe foli nga afër me banorët e zonës. I.L na tregon se investimi për këtë impiant do të duhej të funksiononte në formën e një unaze për qytetin, duke u mbështetur në tre pika kryesore.

“Këto pika në rrjet do të mundësonin jo vetëm përpunimin e ujërave të zeza, por edhe furnizimin me ujë të pijshëm. Deri tani nuk është bërë e mundur lidhja e shtëpive me rrjetin deri në impiant”. – argumenton ai për Faktoje.

Një tjetër banor i zonës na thotë se impianti ka pësuar dëmtime pranë dy bizneseve që ndodhen në vijën bregdetare dhe ujërat e zeza shkarkohen në sipërfaqet e tokave aty pranë.

“Unë kam një pjesë toke këtu dhe gjithë ujërat e zeza derdhen aty.Vetë nuk i jap dot zgjidhje,po dhe ata që e kanë në dorë nuk bëjnë gjë.Këtë problem nuk e kam unë, po edhe gjithë ata që kanë toka edhe shtëpi këtu.” – thekson ai.

Krahas zgjidhjes që do t’i jepte përpunimit të ujërave të zeza, vënia në punë e impiantit do të zgjidhte edhe furnizmin e pandërprerë të Orikumit me ujë të pijshëm.

“Uji këtu tek ne vjen nga ora 7 deri në 9 të mëngjesit dhe një orë mbasdite, kurse ata që jetojnë ne pallate shumica furnizohen nga pusi. Gjatë atyre orëve nuk largohem dot nga shtëpia. Ka pasur plot raste ku jam detyruar të largohem në këto orare për punë të miat dhe kam ngelur pa ujë.”– tregon për Faktoje një banor i Orikumit.

Për këto problematika, në 2016, ministri i infratrukturës së asaj kohe Sokol Dervishaj, premtonte zgjidhje.

“Jemi duke diksutuar për të parashikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm të sektorit përkatës një investim shtesë me paratë e buxhetit për të ndërlidhur një rajon sa më të gjerë të gjithë fshatrave përreth edhe me burimet alternative të ujit.” – deklaronte Dervishaj, pas një inspektimi në Orikum.

Ndërkohë, dy vite më pas, edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit përmes një njoftimi bëntë të ditur se kishte gati planin e veprimit për vënien në punë të impiantit.

“Është gati plani i veprimit për hartimin e studimit të fizibilitetit për vënien në punë të impiantit të trajtimit të ujrave të ndotur në Orikum, ndërtimi i të cilit përfundoi në vitin 2015, si dhe për zgjerimin e sistemit të kanalizimeve dhe përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë në të gjithë zonën.”- shkruhej në njoftimin e FSHZH më 18 dhjetor të 2018-s.

Për të marrë një përgjigje zyrtare mbi ecurinë e këtij investimi, Faktoje u është drejtuar më kërkesa për informacion dy institucioneve, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Njësisë Administrative Orikum. Por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk kemi marrë përgjigje.

Derdhja e ujërave të zeza në det ndalohet me ligj, konkretisht në nenin 67 të ligjit “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, por Orikumi është rasti tipik i shkeljes së ligjit.

Ky shkrim është zhvilluar nga studentet në kuadër të projektit” Forcimi i kapaciteteve mbi verifikimin e Fakteve dhe anëtarësimi i Shqipërisë në EU i mbështetur nga Ambasada Suedeze .

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img