Komuniteti i organizatave fact-checking nga 30 vende të Europës, mes të cilave edhe Faktoje, si pjesë e grupit të punës, miratuan Kodin Profesional Europian të Standardeve, në kuadër të luftës kundër dizinformimit. Kodi, i konsultuar me akademikë dhe ekspertë të fushës, do të shërbejë si kushtetuta e organizatave faktverifikuese që aspirojnë të anëtarësohen në Rrjetin Europian, EFCSN dhe janë të përkushtuara për t’i shërbyer interesit publik.
Mbi 40 organizata faktverifikuese (fact-checking) nga e gjithë Europa u dakordësuan mbi një Kod profesional që përcakton standardet e metodologjisë, etikës dhe transparencës të domosdoshme për të luftuar me efikasitet dhe integritet dizinformimin.
“Kodi europian i standardeve për organizatat e pavarura fact-checking”, i publikuar sot, u zhvillua në kuadër të një projekti që përfshiu organizatat faktverifikuese nga 30 shtete të Europës.
Kodi është rezultati i një pune disamujore kërkimore, anketash, debatesh dhe diskutimesh mes organizatave fact-checking europiane, në bashkëpunim me akademikë dhe ekspertë të fushës. Varianti përfundimtar i këtij Kodi u miratua nga 44 organizata nga 45 të përfshira në votim.
Standardet e Kodit përfshijnë çështje që nisin nga cilësia e burimeve, paanshmëria dhe transparenca financiare dhe janë një detyrim për t’u zbatuar nga të gjitha organizatat fact-checking që aspirojnë të bëhen anëtare të verifikuara të Rrjetit Europian të Standardeve Fact-Checking (European Fact-Checking Standards Network, EFCSN), i cili do të organizojë, mbështesë dhe përfaqësojë këtë komunitet. Anëtarësimi në këtë rrjet i tregon publikut se cilat organizata europiane fact-checking operojnë të pavarura, etike dhe me përkushtimin për t’i shërbyer interesit publik.
Me përmbajtjen e Kodit tashmë të miratuar, komuniteti i organizatave europiane fact-checking do të mblidhet në Madrid në fund të shtatorit për të diskutuar dhe përcaktuar misionin dhe strukturat e rrjetit, sikurse edhe trupën drejtuese që do të mbikqyrë zbatimin dhe respektimin e këtij Kodi.
Gjithashtu, në muajt e ardhshëm EFCSN do të mbështesë komunitetin e Open Source Investigation (OSINT), në hartimin e një grupi të veçantë udhëzimesh të përshtatura për punën dhe misionin e tyre.
Ky projekt është pjesë e Call of Integrity of Social Media i Komisionit Europian dhe udhëhiqet nga 6 organizata europiane të përkushtuara në luftën kundër dizinformimit: Fundación Maldita.es (Spanjë), AFP (Francë), CORRECTIV (Gjermani), DEMAGOG (Poloni), Pagella Politica/ Facta (Itali) dhe EU DisinfoLab (Belgjikë).
EFCSN mund ta ndiqni në Twitter dhe LinkedIn për t’u informuar me përditësimet e vazhdueshme mbi projektin.
deklarata_ Approval of the EFCSN Code _ shqip