Pretendimi: Kompania e Charlie Kirk, TPUSA, u ble nga komentatori tjetër amerikan Ben Shapiro brenda 24 orëve nga vdekja e Kirk. Kjo provon se Shapiro qëndron pas vrasjes së Kirk.

Verdikti: E paprovuar

——————————————————–

Në rrjetet sociale vijojnë të qarkullojnë pretendime të jashtëzakonshme lidhur me atentatin që vrau konservatorin amerikan Charlie Kirk më 10 shtator 2025. 

Një prej këtyre postimeve pretendon se “pas vrasjes se Charlie qëndrojnë vete zionistët Benjamin ose siç e thirrin Ben Shapiro. Kompania e bashkëthemeluar nga Charlie Kirk, TPUSA, u ble nga Ben Shapiro brenda 24 orëve nga vdekja e Charlie-t.”

Si zakonisht, ky pretendim i jashtëzakonshëm nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo referencë që e mbështet atë.

Si fillim, Turning Point USA është një organizatë joqeveritare, jo një kompani. Si rrjedhojë, ajo nuk mund të blihet, as nga Shapiro, as nga ndokush tjetër.

Nuk ka prova se Ben Shapiro ka marrë drejtimin e organizatës së Kirk. Nuk ka asnjë njoftim të tillë lidhur me ndonjë ndryshim në drejtimin e TPUSA në faqen zyrtare apo në llogaritë e saj në rrjete sociale. Deri më tani është bërë publike organizimi i përshpirtjes së Kirk në një event në Arizona, të planifikuar për 21 shtator 2025.

Ky pretendim duket se e ka zanafillën në një postim në Twitter, imazh i së cilit shoqëron postimin e mësipërm, nga llogaria @cirnosad.

Megjithatë, në postime që pasojnë origjinalin, autori shpjegon se i referohet një deklarate të Shapiro që citohet të ketë thënë: “Do të marr mikrofonin e gjakosur të Charlie dhe do të vazhdoj punën e tij.”

Në të vërtetë, citati i vërtetë i Shapiro është: “Ne do të marrim mikrofonin e gjakosur të Charlie dhe do të vazhdojmë punën e tij.”

Qartazi, pretendimi që po qarkullon në rrjet si fakt, është një interpretim i një deklarate të Shapiro, ku ai as nuk përmend organizatën e Kirk.