Ne foto: Deputete te PD e PS ne fund te punimeve te seances parlamentare FOTO: LSA

Pas debatit shterpë politik dhe tensioneve në Kuvend të enjten, votimi për ndryshimet në Kodin Zgjedhor lidhur me diasporën u shty për të hënën.

Seanca u ndërpre disa herë mes akuzave për arrestimin e Erion Veliajt, përplasjeve verbale, hedhjes së shisheve dhe shkuljes së mikrofonave.

Votimi për ndryshimet në Kod kërkonte 84 vota, por në një sallë gjysmë bosh, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali njoftoi shtyrjen e seancës, duke fajësuar opozitën për dhunën dhe bllokimin e punimeve. Ajo u bëri thirrje deputetëve të rikthehen të hënën me “mendje më të kthjellët”.

“Uroj që të hënën të vini me mend të tjera dhe të respektoni rregulloren”, tha ajo.

Foto nga seanca e te enjtes

Ndërkohë, jashtë Kuvendit, Sali Berisha deklaroi se PD-ja do të votojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të pengojë votën e emigrantëve.

“Ndryshimet e Kodit ne do t’i votojmë sepse kanë të bëjnë me votën e emigrantëve dhe sigurisht që del e qartë si kristali se, Edi Rama konstaton se ajo votë është kundër tij dhe se po bën gjithçka për ta bllokuar…”, tha Berisha

Deklarata

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi në konferencën e një jave më parë se Partia Socialiste kërkon të përjashtojë nga votimi shqiptarët jashtë vendit, që nuk kanë dokumente shqiptare, një veprim që, sipas tij, cilësohej antikushtetues dhe antidemokratik.

“Kështu që, unë e deklaroj këtu, asnjë votim, asnjë ndryshim nuk bëjmë nëse nuk pranohet ky amendament i yni, që është krejtësisht pa asnjë lloj anësimi politik, por strikt për të respektuar të drejtën kushtetuese të shqiptarëve jashtë vendit. Për ne, ky është kushti”, tha Berisha të mërkurën e datës 5 shkurt

Kuvendi

Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, deklaroi në seancën e sotme parlamentare se ndryshimet në Kodin Zgjedhor synojnë të lehtësojnë procesin e votës për diasporën, duke përfshirë mbulimin e kostos postare nga shteti dhe zgjatjen e afateve për dërgimin e zarfit. Ai theksoi se mbi 130 mijë qytetarë janë regjistruar për të votuar nga jashtë dhe se ky numër mund të arrijë në 200 mijë.

Ne foto: Deputeti i PS-se, Damian Gjiknuri duke folur ne Kuvend

Ndryshimet, sipas tij, lidhen edhe me një rishikim të administrimit të votës së Diasporës, duke përfshirë përfaqësues të partive në procesin e numërimit. Sa i përket financimit të fushatave, Gjiknuri njoftoi rritjen e tavanit të shpenzimeve për partitë politike.  

Ai gjithashtu u ndal në mosdakordësinë me PD-në lidhur me përdorimin e dokumenteve të huaja për votim, duke theksuar se një shtetas që nuk ka pasaportë apo letërnjoftim shqiptar mund të mos ketë lidhje të mjaftueshme me vendin për të ndikuar më pas në fatet e tij  

“Mua me duket absurde që një njeriu që ka humbur çdo lidhje me territorin ndër vite dhe nuk ka interes të marrë një dokument,  vota e tij nuk do të jetë ajo që do të përqafojë fatet e këtij vendi megjithatë ky është një diskutim juridik”, tha Gjiknuri.

Ai la të hapur mundësinë për një interpretim të mëtejshëm të kësaj çështjeje nga Komisioni Rregullator, sa kohë që Oerd Bylykbashi në anën tjetër citoi një nen të Kodit Zgjedhor ku nuk specifikohej që dokumenti duhet të ishte shqiptar në rast votimi.

Ligjet

Socialistët dhe demokratët votuan së bashku dy ditë më parë në Komisionin e Ligjeve për ndryshimet në Kodin Zgjedhor lidhur me diasporën. PS nuk pranoi kërkesën për të lejuar votimin e emigrantëve pa dokumente shqiptare, por pavarësisht kësaj, deputetët demokratë mbështetën ndryshimet, duke pranuar afatet e reja për dorëzimin e listave të kandidatëve, në mënyrë që KQZ të mund të përgatisë fletët e votimit në kohë.

Përfundim

Nisur nga votimi i dy ditëve më parë në komisionin e Ligjeve, deklarata e të enjtes nga Berisha se do të votonin ndryshimet në Kod, qëndrimin e kreut të PD-së të një jave më parë se, do të kushtëzonte votën e grupit parlamentar me votimin nga diaspora edhe të atyre që nuk kishin një dokument shqiptar do ta kategorizojmë të pavërtetë.

Artikulli paraprakTë manipuluara lotët e kryeministrit Rama pas arrestimit të Veliajt
Nevila Gjata
Nevila (Perndoj) Gjata iu bashkua Stafit të Faktoje.al si kryeredaktore në këtë media Ajo vjen në këtë pozicion pas një përvoje 24 vjeçare si gazetare në median e shkruar: “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Mapo”, më pas online GazetaSi.al (në disa prej tyre edhe redaktore politike) si dhe bashkëpunëtore e jashtme për Revistën “Mapo”. Dy vitet e fundit ka qenë bashkëpunëtore e jashtme e Faktoje.al. Ka bashkëpunuar gjithashtu në të kaluarën me Zyrën GIZ Tirana “Programi Migrimi për Zhvillim”. Ajo ka mbuluar zhvillimet politike në vend në këtë çerek shekulli, ka realizuar intervista me personazhe kyç dhe profile të tyre, si dhe ka përgatitur analiza për zhvillimet politike në vend, rajon dhe botë.