.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëOlta Xhaçka nuk abstenoi për dërgimin e mandatit të saj në Gjykatën Kushtetuese

Olta Xhaçka nuk abstenoi për dërgimin e mandatit të saj në Gjykatën Kushtetuese

Votimi i kërkesës së deputetëve të opozitës që mandati i Olta Xhaçkës të vlerësohet në Gjykatën Kushtetuese për konflikt interesi ishte një nga zhvillimet më të ndjekura të aktualitetit politik të javëve të fundit.

Kuvendi vendosi që mandati i deputetes Xhaçka të mos shqyrtohet në Kushtetuese, duke votuar kundër “dërgimit të mocionit në lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka”. “Mburojë” e deputetes u bënë 72 kolegë të saj socialistë në parlament, të cilët dhanë votën kundër për këtë mocion.

“Kanë qenë 39 vota pro, dhe 72 kundër, duke bërë që kjo kërkesë të mos kalojë. Vetë Xhaçka ka zgjedhur që të abstenojë.” – shkruan artikulli i gazetës SOT në datë 11 prill, pasi fton lexuesit të njihen me mënyrën sesi vetë deputetja votoi për rastin e saj.

Në fakt deputetja Olta Xhaçka nuk abstenoi në votimin për dërgimin apo jo të mandatit të saj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Xhaçka, edhe pse ishte prezente në sallën e parlamentit, zgjodhi të mos merrte pjesë në votim në këtë rast. Kjo kuptohet nga numrat e shfaqur në tabelën e seancës plenare, ku gjatë votimit nuk pati asnjë abstenim.

Mos pjesëmarrja në votim e deputetes Xhaçka vërtetohet edhe nga konfigurimi i votave sipas ulëseve të deputetëve ku votat “Pro” shënohen me ngjyrë të gjelbër, ato “Kundër” me ngjyrë të kuqe dhe votat “Abstenim” mbajnë ngjyrë të verdhë. Ndërsa për ulëset ku deputeti nuk ka votuar, ngjyra mbetet gri, siç duket edhe në ulësen që mban emrin e deputetes Xhaçka.

Për kontrast mund të shohim rastin e votimit të ndryshimeve në strukturën organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave për Komiisonertë Publikë, e votuar gjatë të njëjtës seancë parlamentare, ku deputetët që kanë abstenuar shënohen me ngjyrë të verdhë në ekran.

Ndryshimi mes mos marrjes pjesë në votim dhe “abstenimit” është se në rastin e parë deputetja refuzon të tregojë qëndrimin e saj për çështjen në fjalë. Ndërsa abstenimi tregon qëndrimin neutral, as pro dhe as kundër, për një çështje të caktuar.

Prapavijë

Në seancën parlamentare të datës 11 prill, rendi i ditës parashikonte votimin e kërkesës për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Procedura parlamentare parashikon që në këtë rast parlamenti vendos me shumicë të thjeshtë votash të deputetëve. Me 72 vota socialistësh kundër, 39 pro dhe asnjë abstenim, parlamenti vendosi të mos e dërgojë për shqyrtim në Kushtetuese mocionin që pretendon se ka konflikt interesi në ushtrimin e detyrës së Olta Xhaçkës, nisur nga fakti se bashkëshorti i saj është shpallur nga qeveria si investitor strategjik gjatë periudhës kur Xhaçka ishte ministre.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img