Pretendimi: Presidenti amerikan Joe Biden ngrin në skenë, e tërheq Obama prej dore

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————

Një numër portalesh shqipfolëse kanë raportuar më 17 qershor se presidenti amerikan Joe Biden ka “ngrirë” në skenë gjatë një takimi për mbledhje fondesh në Los Angeles duke iu dashur të orientohet si pasojë nga ish-presidenti Barack Obama.

Artikujt e mësipërm i referohen një klipi të xhiruar gjatë një takimi për mbledhje fondesh në Los Angeles. 

Video u shpërnda edhe nga ish-presidenti dhe kundërshtari i Biden në zgjedhjet e Nëntorit 2024 Donald Trump, shoqëruar me përshkrimin “A është ky vërtet ai që doni të jetë presidenti juaj?”

Pamje të tjera nga eventi tregojnë se Biden duke përshëndetur me dorë, treguar me gisht, dhe duartrokitur krahas presidentit Obama, ndërsa komediani Jimmy Kimmel pret në anë. Më pas, Biden qëndron pa lëvizur duke parë publikun për rreth 7 sekonda. Ai lëviz sërish kur Obama i kap krahun dhe i vendos dorën në shpinë ndërsa të dy largohen nga skena.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates, e përshkroi momentin si “presidenti duke vështruar një turmë duartrokitëse për disa sekonda”. Zëdhënësi i fushatës së Biden, James Singer, i quajti karakterizimet negative një taktikë shpërqendrimi nga ata që “kanë aq frikë se do humbasin ndaj Joe Biden, sa do të bëjnë gjithçka për të hequr vëmendjen nga fakti se kandidati i tyre për president, Donald Trump, është dënuar për 34 krime, u gjet përgjegjës për dhunë seksuale, ka kryer mashtrim financiar dhe kujdeset vetëm për veten e tij.”

Një burim që ndihmoi në organizimin dhe mori pjesë në event i tha Associated Press se nuk kishte asgjë të pazakontë në këtë moment dhe se Obama donte të ishte “miqësor” duke dalë nga skena me Biden.

Lewis Kay, një zëdhënës i Kimmel, i quajti pretendimet e përhapura në internet “gjepura”.

“Të pranishmit në fillim të turmës po i bërtisnin atij dhe Presidenti Biden po përpiqej t’i dëgjonte,” tha ai. “Është kaq e thjeshtë.”