Sindroma e këmbëve të lodhura nuk mund të trajtohet me sapun me livando poshtë çarçafëve. Portalet kanë risjellë një sugjerim të mjekut që i përket vitit 2010, ndërkohë që doktori që i artibuohet kjo këshillë ka edhe raste të tjera këshillash jo profesionale.
Portalet kanë publikuar disa këshilla për sindromën e këmbëve të lodhura, një sëmundje neurologjike, duke këshilluar trajtimin e saj me vendosjen e një sapuni me livando poshtë çarçafëve.
“Kjo eshte arsyeja perse mjeku i njohur rekomandon vendosjen e nje sapuni poshte çarçafeve gjate gjumit”, shkruan portali “Gazeta Diaspora”.
Screenshot, lajmi i publikuar nga portali
“Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të artikullit në fjalë, për shkak të rëndësisë që kanë për qytetarët lajmet që lidhen drejtëpërdrejtë me shëndetin. Por, fillimisht çfarë është kjo sindromë?
Sindroma e këmbëve të lodhura është një sëmundje neurologjike që karakterizohet nga një nevojë e pakontrollueshme dhe urgjente për të lëvizur këmbët. Kjo simptomë e bezdisshme ndodh para se të flini, në të njëjtën kohë me relaksimin e muskujve që shfaqet para gjumit dhe bëhet më keq gjatë natës. Gjithashtu mund të shoqërohet me ndjesi të pakëndshme dhe nganjëherë të dhimbshme.
Nga kërkimi në Google rezulton se kjo metodë është sugjeruar nga doktor Mehmet Oz, një ish-kardiolog amerikan I bërë I njohur për emisionin e tij televiziv ku ofron këshilla të ndryshme për teleshikuesit, plot 10 vite më parë. Mirëpo, nuk ka asnjë mbështetje nga kolegët e tij apo studim që një gjendje e tillë mund të trajtohet me sapun me livando poshtë çarçafëve. Edhe vetë artikulli I portalit, e pranon se këshilla e doctor Oz, është “me të dëgjuar” nga pacientë të tjerë dhe jo një trajtim i mirëfilltë i provuar prej tij apo i bazuar në eksperimentime shkencore.
Sipas studimeve, për të luftuar sindromën e këmbëve të lodhura është e nevojshme, nëse është e mundur, të eliminohen shkaqet. Për shembull, në qoftë se çrregullimi është i lidhur me mangësinë e hekurit, është e rëndësishme të ndryshoni dietën. Rekomandohet të evitohet gjithashtu alkoli dhe konsumi i ushqimeve që sjellin gjumë të parehatshëm.
Në rastet më komplekse, mjeku mund të vendosë të përdorë trajtim mjekësor, me ilaçe që përmirësojnë nivelin e dopaminës.
Mjeku Mehmet Oz njihet për pretendimet e tij ta pabazuar në fakte shkencore. Mediat amerikane kanë renditur 8 prej këtyre pretendimeve të rreme, ku njëra prej tyre ishte edhe “kura me sapun livandoje”.
‘Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin