Pretendimi: Nostradamus dhe Baba Vanga kanë parashikuar se Shqipëria do vuajë në vitin 2025
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————-
Teksa afrohet fundi i vitit dhe fillimi i një tjetri, portali shqipfolës ckemi.net ka vendosur të alarmojë lexuesit me një artikull që mban titullin “Shqipëria do vuajë! Zbulohet parashikimi l FRIKSHEM i Baba Vanga dhe Nostradamus për vitin 2025!”
Në brendinë e tij, artikulli pretendon se dy personazhet kanë parashikuar një luftë që do të shpërthejë në Europë dhe do të vrasë shumë njerëz. Shqipëria, si pjesë e Europës, rrjedhimisht pritet që të vuajë.
Megjithatë, shqiptarët, apo edhe europianët, nuk duhet të dëshpërohen ende nga parashikimet e Baba Vanga dhe Nostradamus për vitin 2025.
Baba Vanga
Baba Vanga, një grua e verbër dhe gjysëm analfabete nga Bullgaria, raportohet të ketë parashikuar saktë një sërë ngjarjesh të rëndësishme historike nga ndjekësit e saj. Fatkeqësisht, megjithatë, ajo vdiq në 1996 pa i shkruar parashikimet e saj. Kjo ia lehtëson punën atyre që duan t’i atribuojnë asaj lloj-lloj parashikimesh. Duke qenë se nuk ka prova me shkrim për parashikimet e saj, zonja Vanga mund të detyrohet të thotë çfarë të dojë çdokush.
Gazeta bullgare 24 Chasa botoi në 2010 një artikull që përgënjeshtron një sërë parashikimesh që i atribuohen gabimisht Baba Vangës. Të afërm dhe miq të saj thanë për gazetën se Vanga njihej si parashikuese në komunitetin e saj për këshillat që ajo i jepte atyre që e vizitonin, por ajo nuk kishte parashikuar ndonjëherë luftra botërore.
Sipas miqve të saj, ajo fliste rrallë për politikën dhe nuk mendonte për fundin e botës. “Ajo ishte optimiste, i shihte gjërat e këqija, por gjithmonë jepte këshilla se si të jetoje më mirë.”
Sipas rrethit të afërt të Baba Vangës, parashikimet e saj sensacionaliste si ato për luftra apo fatkeqësi natyrore janë shpikur ose ekzagjeruar pas vdekjes së saj. “Tani është e lehtë, Vanga nuk është më, kështuqë nuk mbrohet dot. Ata i venë lloj-lloj budallëqesh në gojë,” tha mikja e saj Boyka Kostadinova.
Nostradamus
Sa i përket parashikimeve të Nostradamus, ato janë të shkruara dhe kanë të bëjnë me ngjarje madhore historike si luftra, sëmundje dhe fatkeqësi natyrore.
Megjithatë, është e pamundur të thuhet se çfarë Nostradamus ka parashikuar për vitin 2025 sepse viti 2025 nuk përmendet aspak në parashikimet që Nostradamus shkroi në librin e tij Profecitë.
Megjithatë, edhe në rastet kur Nostradamus ka përmendur një vit në parashikimet e tij, këto të fundit lënë për të dëshiruar. Për shembull, në Shekulli X, Nr. 72 të Profecitë, ai shkroi:
“Viti 1999, muaji i shtatë,
Nga qielli do të dalë një Mbret i madh i Terrorit:
Për të rikthyer në jetë Mbretin e madh të Mongolëve,
Para dhe pas Marsit të mbretërojë me fat.”
Qartazi, asgjë e tillë nuk ndodhi në vitin 1999.