Pretendimi: Presidenti francez Macron nuk ka përfshirë Gjermaninë dhe Britaninë në samitin e dytë për Ukrainën
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————
Thirrja e një samiti mbi Ukrainën nga presidenti francez Emmanuel Macron është raportuar në disa media shqipfolëse shoqëruar me pretendimin se Gjermania dhe Britania janë lënë jashtë këtij samiti, duke lënë hapësirë për të menduar për hatërmbetje apo ftohje marrëdhëniesh mes këtyre shteteve europiane.
Është e vërtetë se më 19 shkurt 2025 Macron organizoi një takim për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë dhe sigurinë në Europë.
Ky takim pasonte një tjetër takim urgjent të mbajtur në Paris më 17 shkurt, ku ishin të pranishëm krerët e Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës, Holandës, Danimarkës, Komisionit Europian, Këshillit Europian dhe NATO.
Vendet e ftuara në takimin e 19 shkurtit ishin vendet që nuk ishin të pranishme në takimin e 17 shkurtit: Norvegjia, Kanadaja, Lituania, Estonia, Letonia, Republika Çeke, Greqia, Finlanda, Rumania, Suedia dhe Belgjika.
Kjo ishte një përpjekje për të vlerësuar se si mund të duken garancitë e mundshme të sigurisë për Ukrainën, se si Europa duhet të lëvizë më shpejt për të rritur shpenzimet e mbrojtjes ndërsa administrata e ShBA përshpejton diplomacinë për t’i dhënë fund luftës trevjeçare midis Ukrainës dhe Rusisë.
Sipas Reuters, disa vende ishin të pakënaqur që takimi ishte vetëm për krerët e përzgjedhur dhe jo një samit i plotë i BE.
Kështu, duket se takimi i 19 shkurtit u mbajt enkas për udhëheqësit e shteteve që nuk u përfshinë në takimin e parë.
Detyrimisht, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, si dhe pesë shtetet e tjera nga takimi i parë, nuk ishin të pranishëm në takimin e dytë.
Këto takime erdhën pas bisedimeve ShBA-Rusi të mbajtura në Arabinë Saudite, të cilat nuk përfshinin qeveritë evropiane apo Kievin. Njoftimi i negociatave saudite tronditi marrëdhëniet ShBA-Europë mes shqetësimeve se ShBA mund të arrijë një marrëveshje me Moskën në kundërshtim me interesat e sigurisë ukrainase dhe europiane.
Shqetësimet në Europë janë intensifikuar pasi Keith Kellogg, i dërguari i Trump për Ukrainën dhe Rusinë, tha më 15 shkurt se Europa nuk do të përfshihet drejtpërdrejt në bisedimet e paqes.