Një trillim ky maskim si dele i emigrantëve algjerianë në kufirin spanjoll

9

Pretendimi: Këto imazhe tregojnë tre burra algjerianë që u arrestuan pasi u maskuan si dele për të kaluar kufirin në Spanjë

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

——————————————————————–

Në mes të shkurtit 2026, në rrjetet sociale shqipfolëse nisën të qarkullonin imazhe të tre burrave të veshur si dele, që pretendohet se ishin 3 algjerianë, të cilët u arrestuan teksa përpiqeshin të kalonin kufirin në Spanjë të maskuar si dele.

Një kontroll i lajmeve ndërkombëtare dhe njoftimeve zyrtare nga autoritetet algjeriane, policia spanjolle dhe Europol tregon se nuk ekziston asnjë rast i raportuar për persona të maskuar si dele që tentuan të hynin në Spanjë. Një episod i tillë nuk figuron as në bazat e të dhënave të mediave ndërkombëtare dhe nuk ka asnjë deklaratë të institucioneve ligjzbatuese që e mbështet historinë.

Më 27 janar 2026, Spanja miratoi një plan për të legalizuar qëndrimin e rreth 500 mijë migrantëve pa dokumente.

Në vitin 2025, Rruga Perëndimore Mesdhetare u bë pika kryesore e hyrjes së Spanjës, me më shumë se 19,400 mbërritje, sipas Qendrës së Migracionit të Përzier. Nisjet nga Algjeria dominuan rrugën, pavarësisht se ky vend nuk ndan një kufi tokësor me Spanjën. Qindra njerëz vdesin ose zhduken çdo vit në këtë rrugë për shkak të kushteve të vështira dhe anijeve të papërshtatshme për lundrim.

Në gusht 2025, Europol raportoi përpjekjet e autoriteteve spanjolle për të shkatërruar një rrjet kontrabande që sillte migrantë nga Algjeria në Spanjë me anije.

Megjithatë, imazhet që pretendojnë të tregojnë tre algjerianë me kostume delesh janë të gjeneruara nga programe kompjuterike me inteligjencë artificiale (AI).

Në imazhin e gjunjëzuar, maskat e deleve duken jashtëzakonisht të gjalla.

Në imazhin tjetër, vetëm burri i parë ka një bri, i cili është më i gjatë dhe me formë të ndryshme. Dora e burrit të mesëm është gjithashtu e paplotë, duke u bashkuar në mënyrë të panatyrshme me krahun e burrit të tretë.

Vlen të përmendet se dy koka kostumesh që ngjajnë me lodra prej pelushi ndodhen në tokë, megjithatë vetëm një nga treshja e arrestuar është i pamaskuar në imazhin që i tregon ata në këmbë.

Uniformat e policisë gjithashtu ndryshojnë ngjyrë midis imazheve, blu në njërën dhe jeshile të errët në tjetrën. Përveç kësaj, gishtat e oficerëve duken të deformuar në të dyja imazhet, një defekt i zakonshëm në pamjet e gjeneruara nga inteligjenca artificiale.

Fakotje ka përgënjeshtruar dhe më parë një imazh që pretendonte se tregonte tre burra të maskuar si dele që të kalonin kufirin në Spanjë.