Pretendimi: Presidentja aktuale e ShBA është Sabrina Wallace
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————–
Një postim në rrjetin social Facebook pretendon se në vend të Joe Biden, presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara është zyrtarisht dikush me emrin Sabrina Wallace. Si “provë” për këtë sillet prezantimi i karrierës presidenciale të saj nga ekrani e një faqeje në dukje enciklopedie interneti të quajtur The Road of Time Wiki.
Faktoje gjeti se faqja në fjalë ekziston vërtet në rrjet. Sipas saj, “Sabrina Charlotte Wallace Morrison (lindur më 5 dhjetor 1980) është një politikane amerikane që shërbeu si presidentja e 46-të e Shteteve të Bashkuara nga 2021 deri në 2029. Më parë ajo shërbeu si Senatore e Klasit 1 të Shteteve të Bashkuara nga Texas nga 2019 në 2021, dhe në Dhomën e Përfaqësuesve të Texas nga viti 2011 deri në vitin 2019. Ajo është anëtare e Partisë Demokrate.”
Megjithatë, personi i përshkruar më sipër nuk ekziston. E gjithë faqja, në fakt e gjithë faqja e internetit The Road of Time Wiki, është një trillim.
Siç shpjegohet në ballinën e The Road of Time Wiki, faqja është “një faqe e përbashkët komunitare që kushdo, duke përfshirë ju, mund të ndërtojë dhe zgjerojë.” Më tej, faqja është krijuar “për të shkruar skenarë realë dhe fiktive për të ardhmen, të kaluarën dhe të tashmen. Ju mund të shkruani skenarë në histori alternative, në skenarë të ardhshëm ose në histori alternative dhe wiki të ardhshme.”
Pra, skedari i mësipërm mbi Sabrina Morrison është krejtësisht dhe qëllimisht fiktiv. Fotografia e përdorur në skedar si të ishte e Morrison, në fakt është një fotografi e modifikuar e politikanes (reale) amerikane Elizabeth Warren.
Fotografia e modifikuar (majtas) dhe ajo origjinale (djathtas)
Në komentet e skedarit, kjo shpjegohet edhe nga autori i skedarit fiktiv. “Përmes një aplikacioni të quajtur FaceApp, ndërrova fytyrën e Elizabeth Warren me dikë tjetër,” tregoi përdoruesi Unown67.