.

.

BallinaInvestigimeNjë përrallë e dy lumenjve

Një përrallë e dy lumenjve

Hidrocentralet- ‘Kanceri’ që po përhapet në territorin e Shqipërisë

Elton Qyno

Përmbytje pronash, shkatërrim i pashmangshëm lumenjsh, shpenzime marramendëse dhe dëme në mjedis, të gjitha këto,për vetëm pak energji.

Përmbytja e pronave të fshatarëve në Velçan, aty ku kultivohet lulja e shafranit, duke se ka qënë e pashmangshme, pas ndërtimit të një hidrocentrali. Banorët e këtij fshati në qarkun Korçë, kanë protestuar më herët kundër ndërtimit të digës në lumin Selca, por pa sukses. Pjesa dërrmuese e fshatarëve, shprehen se uji i bllokuar nga ndërtimi i digës, përmbyti tokat dhe të mbjellat e tyre.

“…uji i hidrocentralit më ka përmbytur vaskat e peshkut dhe pemët me qershi dhe mollë…”-thotë njëbanor dhe pronar toke i kësaj zone, me profesion mjek.

Përveç dëmit të shkaktuar nga përmbytja banorët po përballen edhe me një problem tjetër, “mbivendosjen e pronave” në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive në Korçë.Sipas banorëve, ky ishte rezultat i veprimeve arbitrare të investitorëve të HEC-eve në bashkëpunim me autoritetet vendore të Korçës.

Arjan Hoxhallari, kultivues i bimës së shafranit në fshatin Velçan, Korçë

Lulja e shafranit

Plantacionet e shafranit 

Arjan Hoxhallari, banor i fshatit Velçan është kultivues i shafranit, një lule e rrallë, ndër më aromatiket dhe më të shtrenjtat në tregun evropian, e cila kushton 2-4 mijë lekë kilogrami.

Sipas Hoxhallarit, ai dhe pesë persona të tjerë në Shqipëri, janë të vetmit që kultivojnë këtë bimëaq dobiprurëse.

“…jemi 5 vetë në Shqipëri që e kultivojmë këtë lule aromatike dhe tepër të shtrenjtë në tregun europian. Por, tokën ku unë e kultivoj dhe që e zotëroj me dokumenta të rregullta, ma kanë mbivendosur me pasuri të tjera, të bashkëfshatarëve të mi, duke hyrë në një konflikt që s’po zgjidhet…”-thotë ai.

Ai na shpjegoi fenomenin e mbivendosjes së pronave në këtë zonë.

“…prej më shumë se një viti po endem dyerve të hipotekës së Korçës për të rregulluar këtë problem, por deri në këtë fazë asnjë gjë nuk kam arritur. E gjitha ka ndodhur me ndërhyrjet dhe mbivendosjet që kanë bërë në prona investitorët e hidrocentralit në bashkëpunim me zyrtarëte hipotekës Korçë…”.

Foto satelitore të terrenit në vitet 2013 dhe 2018

Këto pamje satelitore tregojnë gjendjen e relievit të lumit Selcë, në dy periudha të ndryshme, në vitin 2013 dhe në 2018-n. Fotografia tregon qartë se mbi përroin, dikur të gjelbëruar është hedhur beton. Kjo pllakë formondigën e hidrocentralit, e cila me rritjen e nivelit të ujit, sjell përmbytjen e tokave bujqësore të fshatarëve të Velçanit.

Diga dhe hidrocentrali janë ndërtuar nga kompania “Xhengo-Energji”,në pronësi të biznesmenit Shyqyri Xhengo.

Kjo kompani e themeluar në vitin 2013 me bashkimin e operatorëve “Xhengo-Larti” me administrator biznesmenin Shyqyri Xhengo, ka mundur të sigurojë një leje konçesionare për ndërtimin e një dige mbi ujërat e lumit Selcës, në Velçan të Korçës.

Por ndryshe nga projekti që kompania “Xhengo-Enerji” ka paraqitur pranë ministrisë së Energjetikës, kur ka aplikuar për të fituar lejen, gjatë zbatimit në terren, projekti ka ndryshuar.

Kjo, pasi sipas banorëve kompania në fjalë ka zhvendosur projektin për ndërtimin e digës, duke e ulur në 550 metra dhe jo tek pozicioni real që kishte paraqitur në ministri.

Banorë të zonës janë të revoltuar,pasi mbi lumin e Selcës, janë vendosur katër diga hidrocentrali, ku kompanitë private, larg syrit të institucioneve të shtetit, “kafshojnë” nga të katër anët, terrenin e lumit Selcë.

Një nga banoret e fshatit Selcë, Shegushe Ibrahimllari, thotë:

”…e kemi të pamundur t’i gjejmë fundin problemeve me pronësinë e tokës në hipotekë, pasi thuajse të gjitha parcelat afër hidrocentralit janë të mbivendosura, duke sjellë lindjen e konflikteve…”.

I kontaktuar në telefon kryebashkiaku i Maliqit, Gëzim Topçiu tha:

“…banorët nuk i kanë problemet me bashkinë, por me vetveten e tyre.Bashkia nuk mund të kryejë mbivendosje dhe të sjellë probleme me pronësinë, por është hipoteka ajo që meret me korrektësinë e dokumentacionit të pronave…”.

Ne tentuam disa herë të komunikojmë me telefon me Nada Bandillin, drejtuesen e hipotekës së Korçës, lidhur me problematikat e shfaqura me rregjistrimin e pronave në Velçan të Korçës, por nuk arritëm t’i merrnim një opinion, deri në fazën përmbyllëse të botimit të këtij shkrimi.

Yllson Ibrahimllari, mjeku ortoped: Foto 2-Pemët e qershive të përmbytura: Foto-3 Diga e ndërtuar nga kompania “Xhengo-Energy”.

Një nga të dëmtuarit më rëndë nga veprimtaria e këtij hidrocentrali, është Yllson Ibrahimllari, një mjek i njohur Ortoped që prej disa vitesh e ushtron profesionin në Tiranë. Origjina e doktor Ibrahimllarit rrjedh nga malësia e Gorës, pikërisht nga fshati Velçan ku ai, përveç tokës së trashëguar nga gjyshi ka blerë një tjetër sipërfaqe për 1.4 milionë lekë të reja.

Në pronën prej 3800 metrash katrorë, Ibrahimllari ka vendosur të mbjellë qershi e mollë,ka ndërtuar një shtëpizë dhe ka vendosur vaska për kultivimin e peshkut “troftë”, me ujin e kulluar të përroit të Selcës.

Por shumë shpejt plani i doktor Ibrahimllarit për t’u bërë edhe një fermer i suksesshëm u zbeh në pranverën e vitit 2017, atëherë kur qershitë, mollët dhe fidanët e mbjellë, filluan të lulëzonin.

Lumi i Selcës që dikur ujiste 580 rrënjë qershi dhe mollë, e ku 5 vaska me troftë ushqeheshin çdo ditë, tashmë ështe kthyer në një liqen me mijëra metra kub ujë.

Uji i hidrocentralit ka dëmtuar një pasuri të subvencionuar nga Ministria e Bujqësisë.

Nëpërmjet Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rural, kjo ministri subvencionoi familjen e doktor Brahimllaritnë vitin 2013, me 740 mijë lekë të vjetra, me qëllimkultivimin e fidanëve të qershive.Por ky investim shkoi dëm pas ndërtimit në 2017-n të hidrocentralit nga kompania “Xhengo-Energji”, vetëm 550 metra poshtë pemëtoreve e vaskave.

Një nga juristet e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rural që nuk pranoi të identifikohet, tha për këtë shkrim inestigues se subvencioni në fjalë ka shkuar dëm.

“…Ne si agjenci nuk e dinim që pak metra më poshtë pronës së mbjellëme qershi e mollëtë cilën e kishim subvencionuar, do ndërtohej një hidrocentral i tillë, ku do ngrihej digë betoni. Për këtë rast dhe shumë raste të tjera ne nuk kemi rakordim me ministrinë e Energjitikës…”-tha në kushtet e anonimatit juristja e AZHBR-së.

Nga ana tjetër ministria e Energjitikës dhe Transporteve refuzoi të japë një koment lidhur me këtë rast, duke e cilësuar si problem periferik, pasi administrata e këtij dikasteri, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 ka qënë në terren për evidentimin e dëmeve.

Doktori Yllson Ibrahimllari, këmbëngul se planifikimi fillestar i ndërtimit të digës nga kompania “Xhengo-Energy” ishte në një terren që ndodhet mbi pronën e tij.

“…kompania ka bërë një ndryshim plani ndryshe nga çfarë ka paraqitur në ministrinë e Energjitikës gjatë fazës së plotësimit të dokumentave për fitimin e koncesionit. Në planifikimin fillestar, ishte përcaktuar ndërtimi i digës në një terren mbi sipërfaqen tokësore që unë disponoj. Gjatë fazës së punimeve është ulur 550 metra nga plani fillestar, duke ndërtuar digën në terrenin ku ndodhet sot…”-shprehet doktor Ibrahimllari.

Më tej ai shton se diga është ndërtuar në një sippërfaqe toke e cila është blerë nga biznesmenët Shyqyri dhe Ali Xhengo, dhe pas bllokimit total të rrjedhës së lumit Selcë, uji ka përmbytur pronën e tij, rrugën e vjetër të fshatit dhe disa prona të tjera të fshatarëve të zonës.

I kontaktuar në telefon Ali Xhengo tha “…në 2017 e kemi vënë në punë hidroçentralin. Dy toka që janë përmbytur i kemi blerë. Pjesa tjetër, e përmbytur është tokë shtetërore, livadhe dhe kullote dhe më pas është rregjistruar në hipotekë, në emër të dy pronarëve nga Velçani, që s’kishin lidhje me këtë pasuri. Por hyrja e Ibrahimllari, i cili ka mundur ta rregjistrojë pronën në hipotekën e Korçës, ka sjellë këtë konflikt, që vetëm na ka stresuar se gjë tjetër s’na ka bërë…”.

Doktori Yllson Ibrahimllari, tregon se pas përmbytjes së tokës, ka mësuar nga hipoteka në Korçë se sipërfaqja e tokës prej 3800 m2, ishte zhvendosur disa metra më lart, duke iu mbivendosur pronës së një bashkëfshatari të zonës.

“…tokën e kisha me certifikatë pronësie, por çuditërisht nga ana e drejtueses së hipotekës në Korçës këto certifikata janë çrregjistruar.E gjithë kjo skemë është kryer nga përfaqësues të kompanisë “Xhengo-Energji”, me të cilët jam në konflikt, pasi jo vetëm që më përmbytën 580 rrënjë me mollë e qershidhe asgjësuan vaskat me peshk troftë, por njëherësh synuan të më zhduknin dhe tokën që tashmë e ka përmbytur uji…”-thotë Ibrahimllari.

Tashmë doktori ortoped endet mes profesionit dhe kërkimit të pronës së tij dyerve të gjykatës së Korçës, ku është përfshirë në një proces me hipotekën e këtij rrethi dhe kompaninë “Xhengo-Energji”.

Momentalisht kjo çështje është denoncuar në Prokurorinë e Posaçme ku kërkohet ndjekje penale, për Kryebashkiakun e Maliqit, Gëzim Topçiu, drejtuesen e hipotekës Korçë,Shyqyri Xhengo dhe disa zyrtarë të tjerë.

Si doktor Yllsoni, thuajse të njëjtin fat kanë dhe banorë të tjerë të zonës të cilëve u janë përmbytur pronat nga rritja e nivelit të ujit të hidrocentralit, dhe sot e kësaj dite nuk kanë marrë dëmshpërblim.

Etja për ndërtim HEC-esh, përplasje mes aksionerësh

Konfliktet midis aksionerëve të ndërmarrjeve është një çështje tjetër që lidhet me HEC-et në lumin Selca në Velcan.

Disa kilometra mbi digën e HEC-it “Xhengo Energji”, shihet se një hidrocentral tjetër po ndërtohet mbi të njëjtin lumë nga një tjetër kompani shqiptare “MP-HEC”, dhe në pronësi të “Energy Albanian Grup” të administruar nga dy ndërmarrje italiane “ETRA SRL” dhe “GHIGGIA INGEGNERIA D’IMPIANTI SRL”.

Diga e ndërtuar nga kompania MP-HEC në lumin Selca.

Nga një vëzhgim në terren,ndërtimi i këtij HEC-i vazhdon edhe sot, ndërsa Prokuroria në Korçë ka përfunduar hetimet për një konflikt mes aksionerëve të së njëjtës kompani.

Situata e Lumenjve dhe shpërndarja e HEC-eve

Sot lumenjtë në Shqipëri dhe shumë degë të tyre si Valbona, Seta, Osumi, Lengarica, Fani dhe Mati janë në situatën më të rëndë, për shkak tëHEC-eve të ndërtuara mbi to.

Harta e HEC-ve te vogla dhe të mëdha të ndërtuara në territorin shqiptar.

Në këtë hartë, të lëshuar nga Ministria e Energjisë, tregohet shpërndarja e HEC-eve në territorin shqiptar.

Që nga viti 2002 deri më sot, janë nënshkruar 183 kontrata koncesionare për ndërtimin e 524 HEC-eve. Nga këto kontrata, 117 janë përfunduar tashmë, 43 të tjera janë në ndërtim e sipër dhe 364 janë në fazën fillestare të zbatimit në terren.

Tabela e konçesioneve nga 2002 deri në më sot.

Kontrata të përfundura HEC-e               117 copë
Kontrata në ndërtim e sipër HEC-e               43  copë
Kontrata në zbatim fillestar HEC-e               364 copë
TOTALI I KONTRATAVE HEC-e               524 copë
   

 

Sipas një studimi të botuar nga PNUD në shkurt 2018, ndërtimi i HEC-ve të vogla është në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara nga autoritetet shqiptare. Sot në Shqipëri, lumenjtë rrezikojnë të vdesin për shkak të ndërtimit të pakontrolluar të HEC-eve.(Faximile e Raportit, faqe 3)

Studimi thotë se kompanitë nuk bëjnë llogaritjen e kostove të mjedisit, dhe as nuk ekziston ndonjë rregullim ligjor për dëmet mjedisore, që mund të shkaktohen gjatë ndërtimit të HEC-eve. Si rezultat, dëmet mjedisore rëndojnë mbi taksapaguesit shqiptarë.

Ambjentalisti, Martin Gjonaj gjatë një proteste në mbrojtje të natyerës nga ndërtimi i HEC-ve në Mirditë.

Ambientalisti dhe aktivisti i Shoqërisë Civile Martin Gjonaj tha se ndërtimi i HEC-eve në lumenj të vegjël është një pushtim i burimeve ujore, të cilat janë nën kontrollin e pushtetit vendor. “Sipas mendimit tim ata janë pushtues, duhet të trajtohen si të tillë dhe nuk meritojnë fat tjetër ”- tha Gjonaj.

Ai pohon se sasia e energjisë së prodhuar dhe përfitimet në shkallë kombëtare nuk mund të krahasohen me dëmet që shteti po ishkakton  mjedisit dhe burimeve ujore në zonat e mbrojtura.

Ndërsa, sipas një studimi të hartuar nga FlUVIUS[1] (Ekologjia e Terreneve të Rrezikuara dhe Menaxhimi i Baseneve të Lumenjve) dhe financuar nga Komisioni Europian në 2019-n thuhet se HEC-et e vogla po prodhojnë pak energji,por dëmet e shkaktuara në mjedis dhe komunitetit shkojnë shumë larg.

Faksimile e kërkesës për informacion dërguar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës.

Ne i dërguam një kërkese Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës, më 2 janar 2020, për të pyetur mbi rëndësinë e ndërtimit të shumë HEC-ve, të vogla në territorin e Shqipërisë, ministria nuk ktheu përgjigje.

Në të njëjtën letër, kërkuam nga ministria në fjalë se sa është përqindja e energjisë totale në rang kombëtar, që prodhohet nga HEC-et e vogla në Shqipëri? Por edhe për këtë pyetje nuk morëm përgjigje, ndërkohë që afatet ligjore per kthimin e përgjigjes janë tejkaluar me disa javë.

“Përbindëshat” mbi Valbonë

Valbona është një nga lumenjtë më të pastër në Shqipëri. Ujërat e tij rrjedhin nga maja më e lartë e Alpeve Shqiptare, duke përshkuar Luginën e Valbonës, për t’u bashkuar me rrjedhën e saj me ujin e lumit Drin në digën e Liqenit të Komanit.

Lumi Valbonë

Vendi ku rrjedh lumi është një nga peizazhet më piktoreske të Shqipërisë, e njohur për natyrën e bukur e të rrallë dhe ajrin e pastër. Dy imazhet satelitore, paraqitur më poshtë, tregojnë situatën e tokës afër lumit Valbonë. Aty mund të dallohen dëmet që natyra e pacënuar ka pësuar gjatëperiudhës nga 2007 deri në 2019.

Fotot satelitore tregojnë ndryshimin në terren nga viti 2007 deri në 2019.

Ndërtimi i një dige mbi lumin Valbonë, gusht 2019.

Gjatë viteve të fundit, zona ka parë një zhvillim të shpejtë falë turizmit malor, dhe ka fituar besimin dhe respektin e vendasve dhe vizitorëve të huaj.

Dy kompanitë ndërtimore, “Gener 2” dhe “Dragobia” po përdorin buldozerë në shpatet e maleve ku rrjedhin degët e lumenjve Valbonë, Dragobi dhe Çeremi.

Tre nga pesë HEC-et në Luginën e Valbonës janë në fazën e fundit të ndërtimit dhe së shpejti do të fillojnë punën me kapacitet të plotë.

Një HEC në fazën përfundimtare, gusht 2019

Qeveria ka miratuar ndërtimin e 14 HEC-eve në total në lumin Valbonë dhe përrenjtë e tij, me procedura që sipas aktivistëve,përbëjnë shkelje të panumërta ligjore.

Banorët e zonës, të mbështetur nga Organizata Ndërkombëtare e Mjedisit dhe personalitete në fushën e artit botëror, kundërshtojnë këto projekte energjetike, duke i konsideruar të dëmshme për mjedisin dhe turizmin.

Pavarësisht, protestave të banorëve, ankesave të njëpasnjëshme nga Organizatat Ndërkombëtare dhe hapjes sënjë procesi gjyqësor që vijon në Gjykatën Administrative në Tiranë, planet e kompanive të ndërtimit, të miratuara nga qeveria shqiptare në një nga zonat më të mbrojtura, të njohura si “Park Kombëtar”, nuk janë penguar.

Gjatë një vëzhgimi në muajin gusht 2019, kompanitë koncesionare punonin 24 orë, ndërsa zona e Valbonës ishte e mbushur me vizitorë vendas dhe të huaj.

 Tubacionet e hidrocentraleve të grumbulluara pranë lumit Valbonë, gusht 2019.

Shtrati prej betoni ku parashikohet të futet lumi i Valbonës

 Valbona në dorë të pak njerëzve

Sherif Margjekaj,një nga investitorët në hoteleri në Valbonë

Sherif Margjekaj është pronar i hotel “Margjekaj” në Valbonë. Ai shpjegon se ndërtimi i HEC-eve, në Parkun Kombëtar ka shkatërruar mjedisin e zonës dhe qetësinë e komunitetit.

“Turistët duan të vizitojnë Luginën e Valbonës për bukurinë dhe qetësinë e saj. Një turist do të vinte në Valbonë për të shijuar natyrën dhe jo për të parë hotelin tim apo hotele të tjera. Ka hotele të ndryshme, ku ai mund të zgjedhë të qëndrojë, por qëllimi i tij kryesor është të shijojë natyrën “- tha Margjekaj.

Ai shtoi se HEC-et, gjithnjë e më shumë po kërcënojnë bukurinë e natyrës së Valbonës, dhe kjo do t’i detyrojë turistët të braktisin zonën.

“… nëse zona do të përmbytet nga uji dhe lumi do të shkatërrohet plotësisht, çfarë do të mbetet këtu? Vetëm tre njerëz do të pasurohen, ndërsa komuniteti do të pësojë një humbje të madhe. Sot, shumë prej përrenjve të Valbonës janë tharë, ndërsa nesër edhe Lumi do të vdesë. ”- shpjegon Margjekaj.

Pamje nga Lumi i Setës në fshatin Arrëz të Dibrës

Njësoj si në Valbonë, situata po përsëritet në përrenjtë e lumit Seta, ku po ndërtohet Hidrocentrali “Seta 4” në Arrez, një fshat në Dibër.

Ujërat e këtij lumi janë mbledhur në një tubacion, duke shkatërruar jetën e egër dhe pritet që më shumë se 6 mullinj uji, disa burime natyrore si dhe disa rezervuarë peshku të vuajnë pasojat.

Zona ku po ndërtohen këto HEC-e është brenda Parkut Kombëtar, të renditur në kategorinë e tretë. Në Kanionin e Setës, makineri të tonazhit të rëndë po punojnë për ndërtimin e HEC-ve të cilat janë të ndaluara me ligj në territorin e zonave të mbrojtura.Për pjesën më të madhe të sipërfaqes në këtë zonë zbatohet kategoria e parë e mbrojtjes.

Dokumentet që tregojnë nivelin e kategorive dhe harta e Zonave të Mbrojtura.

Por, ndryshe nga vendimi i qeverisë për prishjen e digës,të ndërtuar në kanionin e Holtës në Gramsh, reagimi për ndërtimin e HEC-ve mbi lumin Seta ka qenë zero.

Dibër, vendburimi i Lumit Seta,brenda shpellës Seti Gorge (Saponika)

Banorët e çuan çështjen në Gjykatën Administrative të Tiranës ku kërkuan pezullimin e ndërtimit të HEC-eve, por pa sukses. Përpjekja e tyre e parë është rrëzuar nga Gjykata në Shtator 2019.

E njëjta gjë po ndodh në Kanionin e lumit Flim, në Gjoncaj dhe Mat.

Eksperti i mjedisit Sazan Guri na tha se Qeveria Shqiptare ka miratuarndërtimin e HEC-eve që po përhapen si metastaza në territorin e Shqipërisë.

“… HEC-et janë përhapur kudo; ndërmarrjet e ndërtimit gjejnë një rrymë dhe e rrethojnë atë me beton. Kjo është absolutisht një praktikë e gabuar që do të sjellë varfëri ”- tha Guri.

Ai sqaroi se bashkë me disa kolegë ndërmorën nismanë gjykata dhe në terren me qëllim parandalimin e ndërtimit të HEC-eve në zonat e mbrojtura, por këto nuk merren parasysh.

Ndërsa betejat ligjore vazhdojnë ende në Gjykatat shqiptare, dhe mjedisi e komunitetet po vuajnë pasojat, ndërtimi i HEC-eve nuk ndalet. Mbrojtja e mjedisit konsiderohet si një sfidë e vështirë nga ambientalistët shqiptarë dhe aktivistët e shoqërisë civile. Pornë krah të tyre ka dalë një zë i fuqishëm, çka konfirmon se jehona e asaj çfarë po ndodh me natyrën shqiptare, ka shkuar shumë larg.

Postimi i aktorit Leonardo Di Caprio në Instagram për lumin Vjosa.

Aktori me famë botërore, Leonardo Di Caprio, një aktivist i apasionuar pas mbrojtes së klimës dhe mjedisit,reagoi në profilin e tij në Instagram më 31 tetor 2019 për Vjosën, lumin e fundit të egër në Evropë, i rrezikuar nga lejet për ndërtimin e HEC-ve.

[1] Studimi mund te gjendet ketu: https://balkanrivers.net/sites/default/files/European%20Hydropower%20summary%20doc%202019_w.pdf

*Artikulli nuk shpreh domosdoshmërisht qëndrimin e “Faktoje”

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img