Një keqkuptim efekti shërues i xhenxhefilit ndaj kancerit të gjirit

7

Pretendimi: Xhenxhefili shkatërron qelizat burimore të kancerit të gjirit dhe është 10,000 herë më i fuqishëm se kimioterapia

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————————–

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon sërish pretendimi se xhenxhefili shkatërron kancerin dhe është 10 mijë herë “më i fuqishëm“ se kemioterapia.

Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk citon ndonjë provë, burim apo referencë për të mbështetur pretendimin e tij.

Megjithatë, duke kërkuar me fjalë kyçe, Faktoje gjeti një studim të botuar në 2015 në revistën shkencore PLoS One nga ku mund të jetë frymëzuar postimi i mësipërm.

Vetë studimi diskuton efektivitetin e përbërjes “6-shogaol” që gjendet tek xhenxhefili kundër qelizave burimore të kancerit që janë “kimio-rezistente”. Studiuesit arritën në përfundimin se “produkti i xhenxhefilit 6-shogaol ishte efektiv në qelizat e kancerit të gjirit në kulturën me një shtresë dhe kulturën sferoide në përqendrime të krahasueshme dhe në kushte ku taxol, edhe pse shumë efektiv në qelizat me një shtresë, ishte plotësisht joefektiv.”

Studimi eksploronte potencialin e xhenxhefilit për të plotësuar ndoshta trajtimin e kancerit. Ai nuk pohon se xhenxhefili është 10 mijë herë më mirë se kimioterapia, duke eliminuar nevojën për këtë të fundit.

Referenca ’10 mijë herë’ mund të gjurmohet në një fjali në raportin e studimit, e cila thotë: “Taxol [një medikament kemioterapie], edhe pse ishte shumë aktiv në qelizat me një shtresë, nuk tregoi aktivitet kundër sferoideve edhe në një përqendrim 10 mijë herë më të lartë në krahasim me 6-shogaol”.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se 6-shogaol është 10 mijë herë më i mirë se kimioterapia, siç pretendohet. Studiuesit thonë se Taxol “nuk tregoi aktivitet kundër” qelizave specifike edhe kur përdorën një përqendrim 10 mijë herë më të lartë të tij. 

Ç’është më e rëndësishme, studimi i vitit 2015 ishte mbi qeliza në një pjatë laboratorike, jo në një trup njeriu.

Dr Sameer Kaul, Konsulent i Lartë i Onkologjisë dhe Robotikës në Institutin e Kancerit Apollo, tha për The Quint se: “Të thuash se xhenxhefili është më efektiv se kimioterapia është të jesh i papërgjegjshëm, mashtrues dhe i gabuar.”