Nevila Gjata
Kuvendi miratoi (me 74 vota) të enjten e 30 majit në seancë plenare komisionin për ngritjen e komisionit të posaçëm për thellimin e reformave, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin, e propozuar nga PS, si pjesë e një rezolute që u miratua në fillim të javës po me votat e mazhorancës. PD e Rithemelimit e kryesuar nga Gazment Bardhi bojkotoi votimin, edhe pse pesë prej tyre Ervin Saljani, Lindita Metaliaj, Elda Hoti, Ilda Dhori dhe Albana Vokshi qëndruan në sallë duke votuar kundër. Vendimi për bojkot erdhi më së shumti nga mungesa e një qëndrimi të unifikuar nga grupi, ku pati zëra për pjesëmarrje, të tjerë kërkuan përfshirje me kusht, ndërsa shumica ishin kundër. Kundër votoi edhe deputeti i opozitës Agron Shehaj i shkëputur ndërkohë nga PD. Bojkotoi votimin edhe grupi “Basha”.
Ministrja e Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali, tha më herët në Kuvend se komisioni do të prodhojë një plan kombëtar për mirëqeverisje dhe sundimin e ligjit.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ndan një tjetër këndvështrim.
Duke paralajmëruar bojkot të votimit e për pasojë mospjesëmarrje në komisionin e ardhshëm, Basha tha se nisma në thelb lidhet me një manovër të pastër elektorale, por edhe me një ‘komplot kundër SPAK’.
Lulzim Basha, PD
Presidenti i PL-së, Ilir Meta, është shprehur më herët se nuk merr pjesë në komisionin për reformat me argumentin se korrupsioni duhet luftuar me veprime dhe jo me ‘tallava’.
Negociatat
Grupi parlamentar i PD së Rithemelimit nuk arriti të dalë me një qëndrim të unifikuar sa i përket pikës së rendit të ditës për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për shkak të qëndrimeve të ndryshme të mërkurën, disa pro dhe disa kundër.
Shumëkush në grup e lidhi kushtëzimin e pjesëmarrjes me ngritjen e një qeverie teknike në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare
Gazment Bardhi, në një prononcim për mediat, e lidhi përfshirjen në komision me garancitë që duhet të merrte opozita për një tjetër debat të pazgjidhur; reformën zgjedhore.
”Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të ketë luftë ndaj korrupsionit. Nëse e kanë seriozisht ta nisin nga kjo çështje”, tha Bardhi
Gazmend Bardhi, PD
Përbërja e komisionit
Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët 6 janë përfaqësues të shumicës parlamentare dhe 5 përfaqësues të opozitës. Nuk do të ketë dy bashkëkryetarë. Por vetëm një kryetar të propozuar nga PS
Komisioni do të përbëhet nga Kryetarë dhe Zëvendëskryetarë të Komisioneve të Përhershme: për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut (2); për Ekonominë dhe Financat (2); për Çështjet Evropiane (2); për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik (2); dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian (2).
Këshilli i Ministrave mund të përfaqësohet gjithashtu në veprimtaritë e Komisionit me pjesëmarrjen e ministrit të Shtetit, por edhe ai Për Pushtetin Vendor.
Emrat e anëtarëve të tij do të përcaktohen me vendim të Kuvendit.
Pranë Komisionit të Posaçëm do të ngrihet dhe funksionojë grupi i punës i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë. Këta të fundit ftohen për monitorim dhe asistencë teknike
Grupi i ekspertëve do të organizohet në 3 nëngrupe që do të angazhohen për 3 fushat e objektit të veprimtarisë së këtij komisioni.
Do të ngrihet gjithashtu një sekretariat teknik i përhershëm me juristë dhe këshilltarë kryesisht nga administrata.
Komisioni i Posaçëm do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 10 mujor. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të komisionit, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit.
Debati
Ndryshe nga PD-ja e Rithemelimit, e cila ende nuk ka një qëndrim përfundimtar, PD-ja zyrtare e drejtuar nga Lulzim Basha e ka lidhur ngritjen e komisionit me punën që po bën SPAK.
“Partia Demokratike as nuk do të ngrejë kartonat as nuk bëhet pjesë dhe as nuk do të mbështesë, përkundrazi do të denoncojë me forcë çdo përpjekje kundër drejtësisë e në veçanti kundër SPAK-ut”, është shprehur Basha.
PS në anën tjetër e ka mohuar një mundësi të tillë.
“I gjithë procesi që do të ndërmerret dhe mbikëqyret nga Komisioni, do të realizohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse në fuqi dhe citoj ‘në asnjë mënyrë nuk do të cënojë kuadrin ekzistues kushtetues e ligjor për ngritjen e institucioneve të pavarura të drejtësisë”, është deklarata më e fundit e PS-së përmes deputetit Toni Gogu.
Çfarë thuhet në objektin e komisionit Komisioni i Posaçëm në bashkëpunim edhe me grupin e ekspertëve, do të organizojë: Seanca dëgjimore me qëllim konsultimi, tryeza pune dhe diskutime publike lidhur me temat objekt pune të këtij komisioni me: i) Institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë; ii) Institucionet e sistemit të drejtësisë;iii) Institucionet publike të pavarura të krijuara nga Kuvendi; iv) Agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, që kanë objekt të veprimtarisë së tyre luftën ndaj korrupsionit, administrimin e pasurisë publike, krimin ekonomik, parandalimin e pastrimit të parave, auditimin dhe inspektimin financiar, kontrollin e brendshëm, informalitetin apo mbikqyrjen e tregut, regjistrimin e administrimin e pronës etj…
Projektvedimi për Komisionin Anti-korrupsion
Çili është objekti i punës së komisionit?
Komisioni i Posaçëm ka për objekt të veprimtarisë së tij të realizojë ndërhyrje në tri fusha.
Cilat janë fushat sipas PS?
1) Përmirësimin dhe konsolidimi i praktikave të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet, 2) Thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe 3) Forcimi i mëtejshëm i zbatimit të ligjit, duke pasur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit Screening të Komisionit Evropian për grupkapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike”
Çfarë do të bëhet konkretisht?
i)Një vlerësim / analizë të situatës aktuale në të tri fushat (sa më sipër), përmes një angazhimi gjithëpërfshirës me institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore, agjencitë ekzekutive e ato publike të pavarura, institucionet e sistemit të drejtësisë, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, subjekte të tjera të interesuara, organizatat e shoqërisë civile dhe vetë opinionin publik;
ii) Hartimin dhe miratimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë dhe të qëndrueshme për adresimin e sfidave përkatëse në këto fusha, duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale, të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse.