Pretendimi: Nikola Tesla zbuloi që magnetizmi ofron energji të pashtershme, por kjo na është mbajtur e fshehur

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————

Një video që duket se tregon një bobinë që aktivizohet nga dy magnetë po qarkullon në rrjet me pretendimin se inxhinieri revolucionar Nikola Tesla ka zbuluar një shekull më parë se magnetizmi ofron energji të pashtershme, por kjo është mbajtur e fshehtë. 

Në video nuk shpjegohet se si lëviz bobina nga veprimtaria magnetike. Një sy i kujdesshëm mund të vërrejë se boshti rrotullues është i lidhur me një kabëll, i cili mund të jetë duke e furnizuar me energji elektrike.

Nikola Tesla zbuloi në vitin 1882 fushën magnetike rrotulluese dhe patentoi edhe një pajisje për të nxitur rrymë elektrike në një rotor që rrotullohej midis dy mbështjelljeve të elektrizuara teli. Ky ishte motori i parë elektromagnetik në botë dhe e bëri të famshëm emrin e Teslës. Megjithatë, motori vihej në lëvizje nga energjia elektrike që nuk ishte falas, ashtu siç pretendohet në videon e publikuar në Facebook. 

Ideja e energjisë së lirë ose të pashtershme lidhet ngushtë me konceptin e makinës me lëvizje të përhershme, një makineri hipotetike, e cila lëviz në mënyrë perpetuale pa patur një burim energjie të jashtme.

Ekzistenca e energjisë së pashtershme dhe lëvizjes së përhershme është e pamundur sepse ekzistenca e tyre do të shkelte ligjin e parë dhe/ose të dytë të termodinamikës.

Ligji i parë i termodinamikës bazohet në ligjin e ruajtjes së energjisë, i cili dikton se energjia nuk mund të krijohet ose shkatërrohet, por vetëm të shndërrohet nga një formë në një tjetër. Ligji i parë i termodinamikës thotë se energjia totale e një sistemi mbetet konstante, edhe nëse shndërrohet nga një formë në tjetrën.

Një makinë me lëvizje të përhershme do të duhej të prodhonte pa burim energjie.

Ligji i dytë i termodinamikës vendos konceptin e entropisë si një veti fizike e një sistemi termodinamik. Ligji thotë se gjendja e entropisë së të gjithë universit, si një sistem i izoluar, gjithmonë do të rritet me kalimin e kohës. Ligji i dytë gjithashtu thotë se ndryshimet në entropinë në univers nuk mund të jenë kurrë negative. Kjo do të thotë se, ndërsa energjia transferohet ose transformohet, humbet gjithnjë e më shumë.

Për shembull, është e pamundur të konvertohet energjia e nxehtësisë në energji mekanike me efikasitet 100%. Pas procesit të ngrohjes së një gazi për të rritur presionin e tij për të lëvizur një piston, gjithmonë ka një nxehtësi të mbetur në gaz që nuk mund të përdoret për të bërë ndonjë punë shtesë. Kjo nxehtësi e mbetur duhet të ‘hidhet poshtë’ duke u transferuar në një ‘depozitë nxehtësie’. Në rastin e një makine, kjo bëhet duke dërguar përzerien e ajrit dhe karburantit të shpenzuar nga motori në atmosferë përmes tubit të shkarkimit.

Për më tepër, çdo pajisje me pjesë të lëvizshme prodhon fërkim që konverton energjinë mekanike në nxehtësi që përgjithësisht është e papërdorshme dhe duhet të hiqet nga sistemi duke e transferuar atë. 

Një makinë me lëvizje të përhershme do të duhej të kishte energji që nuk harxhohet kurrë.

Nëse një makinë me lëvizje të përhershme do të funksiononte, do të duhej të kishte disa tipare. Do të ishte pa fërkim dhe krejtësisht e heshtur në funksionim. Nuk do të lëshonte nxehtësi si pasojë e punës së saj dhe nuk do të lëshonte asnjë rrezatim të asnjë lloji, sepse kjo do të ishte humbje energjie. Megjithatë, një makinë e tillë nuk do të funksiononte përgjithmonë sepse, për shkak të rrotullimit, pjesët e saj do të përshpejtoheshin vazhdimisht. Materia përbëhet nga grimca të ngarkuara dhe ngarkesat përshpejtuese rrezatojnë energji. Kjo do të shkaktonte ndryshime në makinë, duke e bërë atë të ngadalësonte ose të ndalonte eventualisht.

Megjithatë, nëse një makinë mund të rrotullonte një rrotë me shpejtësi konstante për një kohë shumë të gjatë, pa zvogëlim të matshëm të shpejtësisë, dhe pa absolutisht asnjë energji hyrëse, ne mund ta konsideronim atë, për të gjitha qëllimet praktike, si lëvizje të përhershme. Por ajo do të ishte vetëm një kuriozitet i padobishëm, sepse nëse do të përpiqeshim të nxirrnim punë prej saj, së shpejti do të ngadalësonte dhe do të ndalonte.