Prej datës 25 korrik e deri më 1 gusht zyrtarët e lartë, përmes postimeve të tyre në Facebook kanë kërkuar zbatimin e ligjit dhe marrjen e masave ndaj përdoruesve të motorrëve të ujit. Faktoje sjell të gjitha deklaratat publike, të krerëve të lartë gjatë kësaj jave, që nuk janë shoqëruar me masa konkrete në terren, edhe pse situata problematike dhe moszbatimi i ligjit është konstatuar më parë.
————————————————————————————————————————————-
Gjatë një takimi të zhvilluar me drejtuesit e policisë në muajin korrik, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi paralamëroi masa të rrepta për këdo që rrezikonte pushuesit me motorrë uji.
“Me drejtuesit e Policisë së Shtetit përgjatë zonave të bregdetit ndava sot disa shqetësime që lidhen me sezonin turistik…Asnjë tolerancë për këdo që rrezikon pushuesit me motora uji duke thyer në mënyrë flagrante kordonët e sigurisë. Do të përgjigjet personalisht çdo drejtues e punonjës policie që mbyll sytë para paligjshmërisë ose që aplikon standarde të dyfishta”, shkruante Çuçi në Facebook.
Postimi i ministrit Çuçi, 25 korrik 2022
Po në lidhje me këtë çështje, pak pas deklaratës së ministrit Çuçi, ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, nëpërmjet një postimi në Facebook theksonte se bregdeti po patrullohej gjatë gjithë kohës nga forcat e Policisë së Shtetit.
“Patrullimi gjatë gjithë kohës i bregdetit nga Policia e Shtetit që së fundi ka bllokuar edhe mjete të tjera lundruese duke ndëshkuar pronarët e tyre të cilët kryen manovra të rrezikshme në plazhin e Ksamilit”, shkruante Kumbaro në Facebook me 30 korrik.
Postimi i Kumbaros në Facebook, 30 korrik 2022
Në datën 1 gusht, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano udhëroi marrjen e masave shtesë përgjatë muajit gusht për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
“Të caktohen punonjës policie, kryesisht të Policisë Kriminale a të Rendit, për të patrulluar në vijën bregdetare, aty ku ka grumbullime masive të pushuesve dhe të filmojnë çdo rast të tentativës për manovra të rrezikshme nga ‘Jet ski’-të apo skafet, qoftë brenda perimetrit të sigurisë, ashtu edhe në afërsi të perimetrit të sigurisë”, apelonte Nano.
Mirëpo, ngjarja e fundit, ku një 7-vjeçare humbi jetën tragjikisht pasi u përplas nga një mjet uji në breg të detit në Himarë tregoi se të gjitha masat që zyrtarët e lartë deklarojnë se kanë marrë, duket se kanë mbetur në letër.
Siguria në det dhe plazhe
Kuadri ligjor parashikon ndër të tjera që: “Zonat e përdorimit të mjeteve lundruese, të cilat të jenë të shënuara në mënyrë të dukshme me shënues të veçantë, ku të tregohen edhe korridoret e hyrjes dhe daljes nga uji…Vendosjen në vende të dukshme të shenjave sinjalizues të tilla si: ‘Kujdes-zonë ku ndalohet përdorimi i mjeteve lundruese”. Mirëpo, nga pamjet dukej qartë se në det nuk kishte piketa për kufizimin e lëvizjes së mjeteve lundruese.
Screenshot nga VKM-në 321, datë 28.05.2014
Aksidentet me motorët e ujit këtë sezon
Më 16 korrik u shënua incidenti i parë me mjetet e ujit në plazhin e Jalës, një çift turistësh u përplasën nga një motor uji, pasi drejtuesi I tij humbi kontrollin e mjetit.
Dy ditë më vonë, më 18 korrik një 7-vjeçar u përplas nga një gomone në plazhin e Jonufrës teksa notonte në afërsi të bregut.
Thirrja për protestë
Vdekja tragjike e 7-vjeçares në plazhin e Potamit në Himarë ka nxitur revoltën e qytetarëve, të cilët më 4 gusht kanë thirrur një protestë para ambienteve të Ministrisë së Brendshme. Me moton “Nuk e vrau varka, por shteti”, ata apelojnë që të ngrihet zëri për mungesën e sigurisë në plazhe.
Protesta e thirrur para Ministrisë së Brendshme më 4 gusht
*Foto kryesore marrë nga Facebook-u i gazetares Esmeralda Keta