Nga Kosova te “lufta hibride”, narrativa e Vuçiç për zvarritjen e anëtarësimit të Serbisë në BE

Vuçiç e justifikon ngadalësimin e integrimit me “njohjen e Kosovës” dhe akuzon “aktorë të jashtëm” për “luftë hibride” kundër Serbisë

22

Jona Cenameri

Në një intervistë të fundit, presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se “Serbia mund të anëtarësohet në BE para vitit 2030”, duke e lidhur ngadalësimin e kursit europian me “çështjen e Kosovës” dhe duke folur sërish për një ‘luftë hibride’ kundër Serbisë, që sipas tij, po zhvillohet nga aktorë të jashtëm. 

Çfarë tha Vuçiç? 

Në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS), Vuçiç tha se ekziston mundësia që Serbia të anëtarësohet në BE para vitit 2030, por se pengesa kryesore mbetet çështja e Kosovës: “Unë nuk mund dhe nuk do ta pranoj pavarësinë e Kosovës” Ai theksoi se Serbia po përballet me një ‘luftë hibride serioze’ që, sipas tij, synon destabilizimin e vendit, ndërsa ai vetë po përpiqet të ruajë paqen dhe unitetin kombëtar. Këto deklarata u publikuan nga RTS dhe më pas u përhapën gjerësisht në mediat rajonale përfshi serbe dhe ato shqiptare.

Serbia përballë BE-së

Por si është sot pozicioni i Serbisë ndaj kushteve për anëtarësim në Bashkimin Europian?

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Europian, Serbia ka hapur deri më tani 22 nga 35 kapitujt e negociatave për anëtarësim dhe vetëm dy prej tyre janë mbyllur provizorisht. Kjo tregon një progres të kufizuar dhe të ngadaltë në procesin e anëtarësimit, pavarësisht premtimeve optimiste të udhëheqjes politike në Beograd. 

Raportin e Zgjerimit 2024, Komisioni vlerëson se Serbia ka bërë “përparim të kufizuar” në fusha thelbësore si sundimi i ligjit, liria e medias, lufta kundër korrupsionit dhe pavarësia e gjyqësorit. Për më tepër, përputhja e saj me Deklaratat dhe Masat e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) të BE-së ka rënë në 47 %, kryesisht për shkak të refuzimit për t’u bashkuar me sanksionet ndaj Rusisë. Këto të dhëna përbëjnë tregues se Serbia nuk është në një trajektore që e çon drejt anëtarësimit përpara vitit 2030. 

Siç shpjegon eksperti i politikës së jashtme Ledion Krisafi, pengesat më të mëdha që Serbia ka për momentin në rrugën drejt BE-së janë mungesa e zbatimit të ligjit, kapja e mediave, korrupsioni, manipulimi i zgjedhjeve dhe orientimi i politikës së jashtme, që në shumë raste është në një linjë me Rusinë dhe Kinën. Gjithashtu sipas ekspertit, mungesa e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe fakti që shumica e serbëve janë kundër anëtarësimit e bëjnë këtë proces edhe më të vështirë. Krisafi shton se një ndryshim i thellë në qeverisje do të ishte i domosdoshëm për ta bërë Serbinë gati për anëtarësim deri në 2030, diçka që, në kushtet aktuale, duket shumë pak e mundshme.

“Lufta hibride” 

Vuçiç e ka përdorur shpesh frazën “luftë hibride” për të përshkruar kritikat ndërkombëtare dhe protestat e brendshme, duke i atribuar “aktorëve të jashtëm” përpjekje për destabilizimin e Serbisë. Sipas ekspertit Krisafi kjo është një mënyrë për të mbajtur popullin serb pas vetes, duke i thënë se Serbia dhe serbët janë viktima të komploteve ndërkombëtare.

Pse “Kosova” si alibi?

BE nuk kërkon një njohje formale të Kosovës për hapjen e mëtejshme të kapitujve, por zbatimin e plotë të marrëveshjeve të dialogut dhe një normalizim funksional të marrëdhënieve, përfshirë krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Paraqitja e Kosovës si pengesë e vetme sipas ekspertit të politikës së jashtme Krisafi, është një mënyrë për të zhvendosur përgjegjësinë nga mungesa e reformave të brendshme te një faktor i jashtëm politik.