Tekstet shkollore të adaptuara përpara një dekade nga kurikulat e Britanisë së Madhe kanë nevojë urgjente të rishikohen, por ekspertët theksojnë se zhvillim i arsimit mbahet peng dhe nga mungesa e infrastrukturës digjitale në shkolla.
Suela është nënë e një vajze në klasën e gjashtë në shkollën “Kosova” në kryeqytet. Pavarësisht se propagandohet se librat shkollor janë falas, prindërit që kërkojnë tekste të reja duhet të paguajnë nga xhepi.
Suela tha se ka shpenzuar 5800 lekë për blerjen e librave këtë vit shkollor për vajzën, por nuk është kjo çka e shqetëson më shumë. Më shumë se paratë Suelën e shqetëson cilësia e dobët e teksteve shkollore, ku në shumë raste ka gabime logjike dhe mospërputhje më kontekstin shqiptar.
“Shumica e teksteve janë përkthime”, ankohet Suela. “Kanë probleme pafund, duke filluar që nga gabimet drejtshkrimore, e gabime në përmbajtje,” shtoi ajo, ndërsa bëri thirrje për rishikimin e tyre.
Të njëjtin mendim ndan dhe Merita – mësuese e cila ka më shumë se 15 vite eksperiencë në sistemin arsimor, e cila thotë se tekstet shkollore janë të papërshtatshme.
“Është e rëndësishme të dëgjohet zëri i mësuesit përpara se të bëhen reforma [dhe] ndryshime në legjislacionin arsimor,” tha ajo, ndërsa shtoi se duhet të bëhet unifikimi i të gjitha teksteve, si në arsimin publik dhe atë privat.
Suela dhe Merita nuk janë të vetme. Të dhënat e mbledhura nga Faktoje nëpërmjet një ankete online tregojnë se 63% e prindërve që kanë plotësuar pyetësorin dhe 61% e mësuesve janë të pakënaqur me cilësinë e teksteve shkollore në Shqipëri.
Sipas ekspertëve tekstet shkollore shqiptare janë përkthime nga Britania e Madhe, por ato nuk janë përditësuar prej të paktën një dekade.
“Kur tekstet shkollore u morën nga Britania e Madhe premtimi më i madh ishte se këto tekste do të nxisnin mendimin krijues dhe atë kritik,” kujtoi eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti.
“Por në fakt ndodhi e kundërta,” shtoi ai, ndërsa theksoi se sipas testit PISA të OECD-së, Shqipëria kishte vetëm 13 pikë në mendimin kritik dhe renditej e fundit.
Mehmeti shpjegoi se tekstet janë marrë nga vitet 2007 dhe 2013, pra të shumë viteve më pare dhe nuk janë përditësuar.
“Një pjesë jo e vogël e teksteve nuk ofrojnë dije për grup-moshën që i drejtohet, kanë shumë pak tema për aftësi digjitale dhe po ashtu pak mundësi për aftësim praktik të nxënësve,” tha ai.
“Ka ardhur, madje ka kaluar koha që këto tekste të rishikohen dhe të ketë një reformë tërësore, duke përfshirë formimin fillestar të mësuesve, trajnimin e tyre profesional, kualifikimin, etj”, shtoi Mehmeti.
Aktivisti Kolindo Vjerdha nga organizata “Qëndresa Qytetare” mendon se paqëndrueshmëria e zhvillimit të kurikulave mbetet një plagë e sistemit arsimor shqiptar, ndërsa thekson se ndryshimet e shpeshta kanë sjellë vështirësi për nxënësit dhe mësuesit.
“Në monitorimet e kryera kemi vërejtur një mospërputhje dhe një mungesë përshtatje të teksteve shkollore me kontekstin shqiptar,” tha Vjerdha.
“Është shumë e rëndësishme që nxënësit në shkollat publike të vendit të kenë pjesë të tyre kurrikula dhe qasje ndaj të nxënit që të arrijnë të performojnë mirë dhe kjo të jetë e përkthyer edhe në matësit e besueshëm ndërkombëtar”, theksoi ai.
E pyetur më herët për këtë çështje, Ministria e Arsimit dhe Sportit bëri të ditur tekstet në arsimin parauniversitar janë në proces të vazhdueshëm përmirësimi, gjë që lidhet edhe me ndonjë ndryshim të mundshëm kurrikular.
“Tekstet që kanë fituar konkursin për t’u përdorur në arsimin para-universitar nuk paraqesin probleme që bien ndesh me kurikulën apo programet e miratuara,” tha MAS, ndërsa shtoi se tekstet shkollore nga ana përmbajtjesorë janë në përputhje me kurikulën dhe programet lëndore.
“Rishikimi i teksteve konsiston në përmirësimin e ilustrimeve të ndryshme figurative, të ndonjë shprehjeje, ndonjë pasaktësie drejtshkrimore, etj”, shtoi Ministria e Arsimit.
Në një deklaratë dy vite më parë, edhe ish-ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi pranoi se tekstet shkollare kishin nevojë për përmirësime.
“Pavarësisht se tekstet që kemi sot të përkthyera nga Oxford, Cambridge dhe Pearson janë shumë herë më cilësore se sa tekstet që kishim deri dje, ne përsëri jemi plotësisht të vetëdijshëm që ka nevojë për shumë përmirësime”, deklaroi ish-ministrja Kushi.
Mungon infrastruktura digjitale
Rezultatet e Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve “PISA 2022”, që u bënë publike në dhjetor të vitit 2023, tregojnë se Shqipëria renditet në vendin e 62, ndër 80 vendet që kanë marrë pjesë në testim.
Në matematikë, Shqipëria mori vlerësimin prej 368 pikë nga 472 pikët e mundshme në matematikë. Nga vlerësimi i ecurisë së nxënëseve në matematikë krahasuar me programin “PISA 2018”, Shqipëria ka një rënie prej 69 pikësh, më e lartë ndër 80 shtetet e testuara.
Për aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në lexim Shqipëria u vlerësua me 358 pikë nga 476 pikë që është mesatarja e pikëve të mundshme. Edhe në lexim krahasuar me rezultatet e 2018-s rënia është 47 pikë.
“Mjafton të masim efektivitetin dhe produktivitetin e të nxënit në shkollat shqiptare duke analizuar rezultatet e PISA-s dhe kuptojmë se kurikulat mësimore dhe metodologjitë e mësimdhënies nuk janë efektive”, tha Kolindo Vjerdha.
Përmes pyetësorit të publikuar përmes platformës ECR, Faktoje mblodhi opinionet e dhjetëra prindërve dhe mësuesve mbi gjendjen e arsimit në Shqipëri.
Disa nga shqetësimet e ngritura nga dy grupet e interesit lidhen me financimin e ulët për arsimin, mungesën e infrastrukturës, laboratorëve, bibliotekave, mbingarkesën në klasa, si dhe mungesa e mbështetjes dhe trajnimeve për mësuesit.
“Sistemi arsimor bazë ka probleme të shumta të thëna prej nesh si specialistë dhe të vërtetuara për fat të keq edhe nga organizmat ndërkombëtar,” tha Ndriçim Mehmeti.
“Ende ne nuk kemi arritur pajisjen e plotë me infrastrukturën digjitale në të gjithë Shqipërinë,” shtoi ai.
Nanila Allkja Biçaku, kryeredaktore e Portalit Shkollor tregon për Faktoje se shumë prej mësuesve po hasin vështirësi në përdorimin e teknologjisë në shkolla.
“Shumë prej mësuesve nuk janë përshtatur me përdorimin e teknologjisë dhe përdorimin e sistemit të ri SMIP në arsim, ndërkohë që nga një anketë që ne kemi bërë 87% e mësuesve shprehen se përdorin pajisjet e tyre teknologjike për të kryer detyrat e tyre,” tha ajo.
“Pra mungon ende infrastruktura teknologjike në shkolla, për të ashtuquajtura shkolla të digjitalizuara”, shtoi Biçaku,.
Përveç teknologjisë, prindërit dhe mësuesit raportuan probleme me ngrohjen, klasat kolektive, mungesën e transportit të sigurt për fëmijët, si dhe faktin se nuk ka mjedise për nxënësit me aftësi e nevoja ndryshe.
“Prindërit dhe mësuesit janë ato që përballen çdo ditë me problematikat dhe vështirësitë e sistemit arsimor në vend,” tha Kolindo Vjerdha.
“Nuk zhvillohet dhe as nuk mund ta cilësojmë veten në trendin e dekadës së teknologjisë, kur në shkollat publike kemi akoma raportin 1 kompjuter që i korrespondon 20 nxënësve”, përfundoi ai.
Vullnet politik
Edvina, nënën e një djali në shkollën “Ali Demi” në Tiranë, veç teksteve me probleme, shqetësim ka edhe mësimi me turne. Ajo theksoi se duhet rritur numri i shkollave në qendër të kryeqytetit.
“Mos jenë me 40 vetë në klase, 2 turne, ku maksimalisht duhet të jenë në klasë 25 nxënës”, tha ajo.
Të dhënat e mbledhura nga Faktoje në pyetësorin online, tregojnë se 31% e prindërve kanë raportuar se fëmijët e tyre vazhdojnë të bëjnë mësim me turne në kryeqytet.
“Shumica e mësuesve, për shkak edhe të ngarkesës së madhe që u japin – me raporte, dokumente, por edhe faktit që duhet të menaxhojnë 40 vetë çdo orë, harrojnë të bëjnë mirë rolin e mësuesit”, tha Edvina.
“Duhen trajnime të vazhdueshme për mësuesit, jo vetëm në zhvillimin e mësimdhënies, por edhe trajnime psikologjike,” shtoi ajo.
Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti thekson se për të nisur ndryshimin në sistemin arsimor në vend duhet vullnet politik për depolitizimin e tij dhe rritja e financimit nga buxheti i shtetit.
“Shkolla jonë është politizuar deri në qelizën më të fundit,” tha Mehmeti.
“Ka mungesë të theksuar profesionalizmi dhe sigurisht paaftësi në ndërmarrjen e masave efektive me ndikim pozitiv,” shtoi ai, ndërsa theksoi se çdo masë nuk do të kishte efektivitet, “për sa kohë MAS shihet si një fole e ngrohtë e politikës.”