Pretendimi: Kjo video e avionit zyrtar izraelit në aeroportin e Athinës dëshmon se kryeministri izraelit Netanyahu u largua nga vendi nga frika e sulmit hakmarrës iranian.
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————–
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon avionin shtetëror zyrtar izraelit në aeroportin e Athinës. Ajo shoqërohet me pretendimin se “Kryeministri izraelit Netanyahu dyshohet se u largua nga vendi nga frika e sulmit hakmarrës iranian.”
Që nga 13 qershori, Izraeli ka nisur një seri “sulmesh parandaluese” kundër programit bërthamor të Iranit dhe objektivave të tjera ushtarake dhe vendbanimeve civile, duke vrarë të paktën 550 persona deri më tani, përfshirë Hossein Salami, komandantin e Gardës Revolucionare Islamike. Irani është përgjigjur menjëherë me një seri sulmesh me raketa balistike ndaj Izraelit.
Më 13 qershor, ndërsa forcat ushtarake izraelite po nisnin një sulm ushtarak kundër Iranit, avioni zyrtar i Kryeministrit dhe Presidentit izraelit, i përdorur si transport zyrtar gjatë vizitave ndërkombëtare dhe i njohur si “Krahu i Sionit”, u nis nga aeroporti Ben Gurion i Tel Avivit për t’u ulur në Athinë, Greqi.
Megjithatë, aeroplani nuk mbante as Netanyahu, as Presidentin Isaac Herzog, por Noam Katz, ambasadorin izraelit në Greqi. Sipas burimeve në Ministrinë e Jashtme izraelite të cituara nga CNN Greece, avioni shtetëror u përdor për ambasadorin sepse transporti ajror komercial për në Izrael ishte pezulluar pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit.
Ambasadori ishte i vetmi pasagjer në bord.
Nuk ka prova zyrtare që Greqia i ka ofruar mbrojtje ndërkombëtare Netanyahut. Kryeministri izraelit u konsultua në telefon më 14 qershor me Kyriakos Mitsotakis, kryeministrin e Greqisë, i cili theksoi nevojën për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe një ulje të përshkallëzimit të sulmeve ushtarake me Iranin.