Pretendimi: Netanyahu ka kërcënuar presidentin e Burkina Fasos për mineralet e rralla
Verdikti: I pavërtetë
Barbara Halla
Së fundmi në rrjete sociale shqiptare është shpërndarë pretendimi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka dhënë një afat 48 orësh presidentit të Burkina Fasos, Ibrahim Traoré. Sipas pretendimit, ultimatumi i Netanyahut lidhet me rikthimin e kontratave që i japin Izraelit qasje ndaj mineraleve të rralla të vendit. Në morinë e problemeve diplomatike që po kalon Izraaeli si dhe luftimeve të ashpra në Gaza, një përfshirje e mëtejshme në Afrikë mbetet një mision i pamundur. Megjithatë, nuk ka asnjë provë që Netanyahu të ketë dhënë një ultimatum të tillë.

Postimi ka një link drejt një video ku pretendon se ndodhet reagimi i Traoré ndaj ultimatumit. Në video shihet imazhi i udhëheqësit ushtarak të Burkina Fasos, i cili flet në mënyrë jo të zakonshme, duke krijuar dyshime se bëhet fjalë për një krijim të Inteligjencës Artificiale.
Asnjë media serioze ndërkombëtare nuk ka raportur që Netanyahu të ketë lëshuar një ultimatum ndaj Traoré. Agjencitë e mëdha të lajmeve– si Reuters, BBC, Al Jazeera apo AFP, nuk ka raportuar ndonjë kërkesë të ngjashme. Një kërkim në shtypin rajonal afrikan gjithashtu nuk sjell asnjë lajm që e mbështet këtë pretendim. Postimi në Facebook mesa duket është thjesht një teori konspiracioni antisemite në rrjete sociale, ose një përpjekje për dezinformim me motive politike.
Është e vërtetë që qeveria e Burkina Fasos, nën udhëheqjen e Traoré, po përpiqet të marrë më shumë kontroll mbi burimet natyrore të vendit. Përgjatë vitit të fundit, në Burkina Faso u miratua një kod i ri minerar, duke nacionalizuar minierat e vendit, sidomos ato të arit, dhe duke rinegociuar kontratat me kompanitë e huaja.
Në fakt, në internet kanë qarkulluar shpesh video apo fjalime të pavërteta të Traoré, sidomos fjalime ku ai shprehet kundra Perëndimit. Këto fjalime shpesh janë të gjeneruara përmes Inteligjencës Artificiale, siç e ka verifikuar dhe francezja Agence France Press dhe skuandra e saj e verifikuesëve të fakteve. Këto video apo deklarata që tërheqin interes në rrjetet sociale rezulton se promovohen kryesisht nga propaganda ruse me qëllim rritjen ndërkombëtare të figurës së Traore pas largimit të partnerëve evropianë dhe forcimit të ndikimit rus në Afrikë.