.

.

BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriNë Yrshek, foshnja 3 muajshe dhe familja fle nën çatinë e shtëpisë së shkatërruar nga tërmeti

Në Yrshek, foshnja 3 muajshe dhe familja fle nën çatinë e shtëpisë së shkatërruar nga tërmeti

Në korrik të këtij viti kryeministri e shpalli rindërtimin një mision të përmbushur me sukses spektakolar, duke njoftuar edhe përfundimin e misionit të Ministrisë së Rindërtimit. Por pak kilometra nga qendra e Tiranës, në Yrshek një foshnje disa muajshe dhe familja e saj janë rikthyer në banesat fantazmë, të dëmtuara nga tërmeti i 2019-s dhe presin dimrin e katërt pa një strehë dhe duke bashkëjetuar me rrezikun e shembjes nga çasti në çast.

Dy vite më parë, kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u zotuan se do t’i jepej përparësi rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti në fshatra.

“Ata në qytet janë nëpër shtëpi, jo në rrugë, ndaj për ne ka shumë rëndësi që shtëpitë nëpër fshatra t’i mbyllim sa më shpejt se janë nëpër tenda apo dhoma të përkohshme, ndaj duhet durim”, deklaroi kryeministri Rama në tetor të vitit 2020.

Mirëpo, kur po mbushen tre vite nga tërmeti tragjik, në zonën e Yrshekut në Tiranë ka ende banesa të dëmtuara që nuk janë shembur, ndërsa banorët po jetojnë në kushte të vështira. Një prej familjave të prekura është edhe ajo e Fatmira Kukës, e cila është ende në pritje të ndërtimit të shtëpisë së re, teksa bashkë me 9 anëtarët e tjerë të familjes është rikthyer të jetojë në banesën e shkatërruar.

Shtëpia e dëmtuar nga tërmeti, 7 tetor 2022

“Shtëpia më është dëmtuar nga tërmeti, jemi 10 vetë në familje. Me 93 mijë lekë (të vjetra) unë nuk kam çfarë bëj për zotin, shtëpi vetë nuk ndërtoj dot me këto të ardhura. Djali merrte pension invaliditeti, por ia kanë hequr. Me një përkrahje sociale jetojnë dhe ata e një rrogë të vogël që merr nusja. Djali tjetër ka gocën 3 muajshe. Ku nuk kam shkuar për të kërkuar që të më bëjnë shtëpinë. Para disa ditësh isha te financa dhe më thanë: ‘Ik se nuk kemi fond shteti’. Po më luan truri u thashë, mos më rrudhni krahët. Po vjen dimri, ku do ta mbaj fëmijën e vogël, ku do ta mbaj plakën 92 vjeçe?! Më kanë marrë numrin e telefonit, u bënë foto letrave dhe më thanë nëse s’të marrim në telefon për dy ditë, nuk kemi çfarë të bëjmë”, thotë e zonja e shtëpisë.

Shtëpia e dëmtuar nga tërmeti, 7 tetor 2022

Shtëpia e dëmtuar nga tërmeti, 7 tetor 2022

“Para se të vdiste burri na patën thënë që do na e bënin ata shtëpinë, pastaj thanë jo nuk bëhet. I kam bërë letrat të gjitha, këta nuk më japin lekët. Bonusin e qirasë e marrim, 180 mijë lekë, unë dhe djali i madh. Por, nuk na dalin ato lekë për të shkuar me qira. Kam dy djem të martuar këtu, njëri ka tre fëmijë, tjetri vetëm një. Jemi vetë i 10-të në familje.”- shprehet e shqetësuar Fatmira Kuka, banore e Yrshekut.

Shtëpia e dëmtuar nga tërmeti, 7 tetor 2022

Më tej ajo shton se për 6 muaj kanë jetuar në çadër dhe më pas janë kthyer në shtëpinë e dëmtuar.

“Jemi të rrezikuar në shtëpi, por çfarë do të bëjmë?! Kemi një kontenier në oborr, po ku rrihet 10 vetë aty? Patëm hapur çadrën aty, por na u prish, sepse ishte çadër verore. Pasi më vdiq burri, asnjë nuk pranonte më të kthehej të jetonte në çadër, as fëmijët e mi e as nipërit. 5-6 muaj kemi qëndruar në çadër, aty më vdiq dhe burri.

Kontenjeri, 7 tetor 2022

Te kontenieri aty janë krevatet aktualisht, por nuk dëgjojnë fëmijët që të futen. E kam bërë si magazinë, kam futur miellin aty. Kontenierin na e ka sjellë një i afërm, shteti vetëm çadrën na ka dhënë,”- tregon ajo.

Kontenjeri, 7 tetor 2022

Një tjetër familje që priste rindërtimin e shtëpisë në zonën e Yrshekut ishte edhe ajo e Shkurte Imerit. E moshuara tregon për Faktoje se në banesën e dëmtuar jetonin 10 persona, dy djemtë me fëmijët dhe bashkëshortet dhe e bija me dy vajzat. Aktualisht djemtë ishin me qira, ndërsa e bija kishte jetuar për 2 vite në çadrën që qëndronte ende e ngritur në oborrin e shtëpisë së shkatërruar.

Shtëpi e dëmtuar në masën DS-5 nga tërmeti në Yrshek, 7 tetor 2022

“Vajza me dy gocat kanë jetuar deri vonë në këtë çadër, nuk ka 5 muaj që kanë ikur. E mori i vëllai, sepse ishte e sëmurë. Po bëhet viti tretë dhe po njësoj kanë ngel gjërat.”- thotë ajo.

Çadra ku ka jetuar familja, 7 tetor 2022

Në lidhje me shqetësimin e familjes Kuka, ku 10 anëtarët e saj ishin rikthyer për të banuar në shtëpinë e dëmtuar, duke rrezikuar jetën, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës dhe Njësisë Administrative Kashar. Jemi në pritje të një përgjigjeje, duke respektuar afatet sipas Ligjit për të drejtën e Informimit.

Kërkesa për informacion dëguar Bashkisë Tiranë dhe Njësisë Administrative Kashar, 10 tetor 2022

Në 25 korrik, kryeministri Edi Rama e cilësoi rindërtimin ‘një mision të përmbushur me sukses spektakolar’, duke shkarkuar ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj. Në fund të muajit korrik, Faktoje kreu një verifikim në terren pikërisht në zonën e Kombinatit, Durrësit dhe Vorës. Në këto zona ka ende objekte të dëmtuara që nuk janë shembur dhe numërohen shumë familje që jetojnë në shtëpi me qira, pa një datë të saktë se kur do të mund të futen në shtëpitë e tyre.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img