.

.

BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriNë Shkodër çmimi i druve të zjarrit është rritur edhe për shkak të mungesës së lëndës vendase

Në Shkodër çmimi i druve të zjarrit është rritur edhe për shkak të mungesës së lëndës vendase

Ngrohja me dru zjarri edhe për familjet në Shkodër do ketë një faturë të kripur sivjet, pas shtrenjtimit të kësaj lënde. Tregtarët e druve konfirmojnë se rritja e çmimit është e pashmangshme për shkak të kostos më të lartë të trasportit, motosharrave etj. Por një tjetër problem në Shkodër është edhe mungesa e lëndës drusore vendase, teksa prerja abuzive e pyjeve, e nisur prej të paktën dy dekadash, nuk ka kursyer edhe zonat e mbrojtura të Alpeve.

 

Emi Kalaja

 

Në Shkodër çmimi i druve të zjarrit është rritur me 30-50%, një kosto e shtuar për qytetarët të cilët vitet e kaluara kishin zgjedhur këtë alternativë ngrohjeje si më ekonomiken.

Me shtrenjtimin e lëndës drusore, qytetarët e Shkodrës thonë se jetesa bëhet edhe më e vështirë për t’u përballuar.

“Drutë kanë shkuar deri në 7000 lekë të reja metër kubi, nuk ka qënë kurrë ky çmim. Po heqim stufat pasi nuk kemi pikën e leverdisë-thotë A.B.

“Ka shkuar 5000 të reja një kosh me dru, koshi me dru ka 8 thasë që dalin për 8 ditë, si kalohet dimri me këto çmime?

Do të thotë se 20 000 lekë shkon vetëm për ngrohje në muaj, por ne jemi pensionistë aq kemi pensionin. Nuk mendon njeri për ne…”- thotë I.K.

 

Nga ana tjetër tregtarët e druve në Shkodër thonë për Faktoje se çmimi i rritur ka qenë pasojë e imponuar pasi ato duhet të lëvizin për furnizim dhe shpërndarje me naftën e shtrenjtuar tashmë. Edhe prerja e druve bëhet me pajisje (motorsharra) të cilat kryejnë procesin me furnizim benzinë që gjithashtu është rritur.

Sipas të dhënave nga tregtarët, ngarkesa e një kamionçine me dru është shitur vitin e kaluar 11 mijë lekë të reja, ndërsa sot shitet me 16 mijë lekë. Për të kaluar sezonin dimëror, që në qarkun e Shkodrës shoqërohet nga temperatura nën zero dhe lagështirë, një familjeje i duhen disa ngarkesa të tilla, që llogaritet ta shtojnë koston me të paktën 24 mijë lekë të reja.

 

 

Kamionçinë e ngarkuar me dru për ngrohje

Ndërkohë çmimi i druve po njeh rritje edhe për shkak të mungesës në territorin e Bashkisë Shkodër, problematikë e ngritur edhe nga zyrtarë të kësaj bashkie. Menaxhimi i pyjeve në këtë bashki dhe shfrytëzimi i tyre për ngrohje me dru zjarri sipas tyre nuk plotëson as një për qind të nevojave të banorëve.

“Bashkia i ka çuar për miratim Agjencisë Kombëtare të Pyjeve projektet për furnizimin e banorëve të fshatrave me dru zjarri. 700 m3 lëndë drusore për banorët e zonave malore. Problem është mungesa e planit të menaxhimit. Ne kemi plan menaxhimi aktiv, pjesa tjetër mund t’i sigurojë përmes kompanive private jashtë vendit”, shprehet Jozef Ndoci, specialist i mbrojtjes dhe menaxhimit të pyjeve.

Sa i përket shfrytëzimit të pyjeve në territorin e saj, bashkia argumenton se kjo është e pamundur për shkak të zvarritjes, sipas saj të procesit për regjistrimin e pyjeve dhe kullotave.

“Ky proces nuk ka përfunduar nga Ministria e Mjedisit dhe Kadastra. Bashkia nuk është pajisur me certifikatatë pronësie për fondin pyjor kullosor. Presim, se është bërë pengesë dhe nuk arrin të japë me qira tek subjektet”, thotë Ndoci.

Kompanitë e licencuara për shitjen e druve të zjarrit e importojnë lëndën drusore nga Mali i Zi dhe vende të tjera, çka ka ndikuar në shtrenjtimin e çmimit.

Rritja e tyre dhe pamjaftueshmëria në sigurimin e druve të zjarrit ka rritur dhe prerjen e jashtligjshme të druve, edhe pse zyrtari i bashkisë Arben Lushaj konfirmon se bëhen rregullisht aksione dhe se që nga fillimi i vitit janë sekuestruar 100 metër kub dru. Në aksione nga ADZM ne bashkëpunim me Policinë Vendore kanë bërë 5 procedime penale ndersa kanë konfiskuar 2 kamion me lëndë drusore.

Burime nga Administrata e Zonave të Mbrojtjes tregojnë se prerja e jashtëligjshme e druve ka prekur edhe zonat e mbrojtura në alpet shqiptare, si përshembull Gropën e Selcës e më lart, në Lepushë dhe Vermosh.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img