Këshilli Bashkiak i Shijakut, pritet të miratojë rritjen e tarifës së pastrimit, pas konsultimit me komunitetin. Kjo nismë erdhi disa javë pas dy shkrimeve verifikuese të Faktoje, mbi krizën e mbetjeve në bashkitë Durrës e Shijak. Këto dy bashki, të cilat kërkuan financim urgjent nga qeveria për 5-10 vite, aktualisht nuk arrijnë të mbulojnë as pagat e punonjësve të pastrimit, ndërkohë që me ligj pushteti vendor duhet t’i mbulojë vetë shpenzimet për përpunimin e mbetjeve. Kjo problematikë që u thellua, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, theksohet edhe në strategjinë vendore të menaxhimit të mbetjeve 2010-2030, ku sugjerohej rritja e rregullt e tarifës së pastrimit.
Në mbledhjen e datës 29 shtator, Këshilli Bashkiak njoftoi se do të rrisë tarifën e pastrimit të qytetit. Kjo nismë erdhi disa javë pas artikullit të publikuar nga Faktoje, ku ngriheshin dy çështje që lidhen me krizën e menaxhimit të mbetjeve. Së pari mungesa e fondeve për përballimin e këtij procesi dhe së dyti niveli i ulët i arkëtimeve të tarifës së pastrimit, që pësoi edhe më shumë rënie pas tërmetit të thuajse dy viteve më parë.
Shpenzimet e parashikuara për menaxhimin e mbetjeve për vitin 2022 janë në vlerë 41.41 milion lekë, ndërsa të ardhurat nga tarifa e menaxhimit të mbetjeve që bashkia Shijak pretendon të mbledhë, parashikohen të jenë në vlerë 31.3 milion lekë. Pra edhe në rastin më optimist, shuma e siguruar nga mbledhja e taksës së pastrimit nuk i mbulon shpenzimet për menaxhimin e mbetjeve, një proces që me ligj i takon pushtetit vendor ta mbulojë. Me firmosjen e kontratës që u miratua në mbledhjen e jashtëzakonshme me datë 6 Gusht, treguesi i mbulimit të kostove për menaxhimin e mbetjeve, nga tarifa e shërbimit do të përkeqësohej, nëse nuk do ketë rritje tarifash ose zgjerim të bazës (më shumë veta që paguajnë). Kjo është arsyeja që Këshilli Bashkiak në mbledhjen e dates 29 Shtator, paralajmëroi rritjen e tarifës së pastrimit.
“Pika 6 për miratimin e projekt-buxhetin afatmesëm 2022-2024 i rishikuar dhe pika 7, ndryshimi i tarifës së pastrimit për vitin 2022. Këto dy pika ne jemi mbledhur si kryesia e Këshillit Bashkiak dhe nuk do t’i votojmë këtë radhë, për shkak se këto dy pika do të kalojnë për konsultim publik me banorët e bashkisë Shijak.” Sipas Këshillit Bashkiak, rritja do të miratohej pas dëgjesës publike të parashikuar më 8 Tetor në orën 16:00 në oborrin e shkollës “16 Shtatori”. Sipas verifikimit në faqen zyrtare të facebookut të bashkisë Shijak kjo dëgjesë është zhvilluar Kjo vendimmarrje paralajmërohej edhe në një përgjigje zyrtare që Bashkia Shijak i kishte kthyer Faktojes më datë 30 Gusht, por në këtë rast nuk qartësohej nëse nisma do të konsultohej me komunitetin paraprakisht.
Përgjigjja nga Bashkia Shijak, 30 Gusht 2021
Aktualisht një banor i Shijakut paguan 1500 lekë në vit si tarifë pastrimi, biznesi i vogël paguan 10.000 mijë lekë,ndërsa i madhi 30.000 dhe institucionet paguajnë 5.000 lekë në vit .
Screenshot nga paketa fiskale për vitet 2019-2021 që tregon sa është tarifa e pastrimit për familjarët
Screenshot nga paketa fiskale për vitet 2019-2021 që tregon sa është tarifa e pastrimit për institucionet.
Sipas ekspertit të ekonomisë Azmi Stringa rritja e tarifës së pastrimit, duhet të shoqërohet me mirëmenaxhimin e të ardhurave.
“Nëse miratohet do ketë efekt nga viti 2022, që do të thotë se Bashkia do të ketë mundësi të mbledhë më shumë të ardhura, duke rritur mbulimin që të ardhurat nga kjo tarifë i ofrojnë shpenzimeve për menaxhimin e mbetjeve në këtë bashki. Kjo në dritën edhe të kostove shtesë që kjo bashki duhet të përballojë për depozitimin e mbetjeve në Sharrë, gjë për të cilën ka kërkuar mbeshtetje financiare nga Qeveria. Mbetet për t’u parë cila është strategjia afatgjatë e kësaj bashkie për menaxhimin e mbetjeve, përfshi sa vite do qëndrojë në Sharrë, ç’do bëhet më pas dhe cilat janë kostot për qytetarët. Çelësi është rritja e të ardhurave vendore duke bërë një mirëadministrim të tyre duke përfshirë zgjerimin e bazës së taksapaguesve dhe jo vetëm rritjen e tarifave.” -thekson eksperti për Faktojen.