EDIT NIKOLLI
Gjatë një vizite të përbashkët zyrtare në Pustec, bashkinë e banuar nga pakicat maqedonase, Ministrja e Arsimit Evis Kushi, premtoi ofrimin e kushteve për mësimin e gjuhës dhe përfshirjen në skemën e dhënies së librave falas. Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev garantoi një donacion prej 30 mijë eurosh nga sipërmarrësit e RMV, për rikonstruktimin e ambientit të jashtëm të shkollës. Nga verifikimi i Faktoje rezuton se punimet per rikonstruksionin ende nuk kanë nisur, ndërsa kurrikula dhe librat falas janë një realitet që prej viti 2014.
Më 18 dhjetor Ministrja e Arsimit, Evis Kushi së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe ministren e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska, vizituan shkollën e morën disa angazhimë gjatë vizitës në shkollën e mesme të bashkuar në Pustec, e cila ka një kapacitet prej 114 nxënësish.
Ministrija Kushi gjatë takimit tha:
“Si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në gjuhën e tyre amtare, kemi përmirësuar kurrikulat me bazë kompetencat edhe për nxënësit e minoriteteve kombëtare, sikurse edhe i kemi përfshirë ata në skemën mbështetëse të librave falas deri në klasën e nëntë.”
Statusi i Evis Kushit, 18 dhjetor 2020
Gjatë kësaj vizite Kryeministri i Maqedonisë së veriut Zaev tha se takimi u realizua për një ndërtim të suksesshëm të marrëdhënieve miqësore mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, të cilat vazhdojnë të përforcohen në realizimin e projekteve tjera me interes të përbashkët.
Zoti Zaev njoftoi dhurimin e një fondi që sipas tij, ishte siguruar përmes kompanive maqedonase, me qëllim rikonstruksionin e mjediseve të jashtme të shkollës së Pustecit.
“Sot u realizuan 15.000 euro prej gjithsej 30.000 eurove sa është donacioni. Mjetet e tjera do të dhurohen në shkurt të vitit 2021.”-tha kryeminsitri Zaev.
Faktoje, më 7 janar iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit ku e pyeste mbi përmirësimin e kurrikulave për nxënësit të minoritetit dhe skemën e mbështjes me libra falas.
Kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë
Pas kalimit të afateve që parashikon ligji “Për të drejtën e informimit”, “Faktoje” e ankimoi mosdhënien e informacionit nga Ministria e Arsimit në Zyrën e Koordinatorit për të Drejtën e Informimit. Vetëm pas kësaj morëm përgjigjen si më poshtë:
*Përgjigje e Ministrisë së Arsimit
“Në ligjin nr.69/2012 Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, është parashikuar që personave, të cilët i përkasin pakicave kombëtare, u krijohen mundësi të mësojnë dhe të mësohen në gjuhën amtare, të mësojnë historinë dhe kulturën e tyre, sipas planeve dhe programeve mësimore. Në institucionet arsimore ku mësojnë nxënës të pakicave kombëtare, që në vitin 2014, ka filluar zbatimi i kurrikulës se re, bazuar në kompetenca.
45 programe mësimore të reja lëndore, ku përfshihen gjuha amtare greke, gjuha amtare maqedonase, historia e Greqisë, historia e Maqedonisë së Veriut, Gjeografia e Greqisë, gjeografia e Maqedonisë së Veriut, si dhe gjuha e huaj për pakicat kombëtare.
Eshte miratuar vendimi i Këshillit të Ministrave (VKM) nr.227, datë 17.4.2019, “Për përgatitjen, shtypjen, botimin dhe shpërndarjen e teksteve shkollore të arsimit bazë për nxënësit e institucioneve publike parauniversitare ku mësojnë nxënës të pakicave kombëtare”, në bazë të së cilës përgatiten, shtypen, botohen dhe shpërndahen tekstet shkollore në gjuhën amtare të pakicave kombëtare, bazuar ne kurrikulen e re me kompetenca. Nxënesit e pakicave kombetare tekstet shkollore i marrin falas nga buxheti i shtetit.
*Pyetjet e Faktoje dhe përgjigjja e Ministrisë së Arsimit
Faktoje vendosi të verifikonte në terren këtë deklaratë të ministres sonë të Arsimit.
Ne shkuam në shkollën e mesmë të bashkuar “Mitre Kolevski dhe Trajan Gjorgijovski” ku takuam drejtorin. Ai na priti jashtë mjediseve të shkollës, me argumentin se rregullorja anti-covid na e ndalonte hyrjen. Ai na sqaroi për kurikulën mësimore dhe dhënien e librave falas, që prej viti 2014.
“E gjithë shkolla përbëhet nga 114 nxënës, gjuhë zyrtare është shqipja, dokumentacionet, regjistrat dhe të gjithë letrat zyrtare janë shqip. Kjo shkollë është e mesme dhe e bashkuar, nga klasa 1 deri në klasën dhe 4 të gjitha lëndët janë në gjuhën maqedonase. Nga klasa e dytë semestri i dytë mësohen disa fjalë bazë shqip, por jo alfabeti.
Nga klasa e 5 deri në klasën e 9, rreth 60 për qind e lëndëve zhvillohen në gjuhën maqedonase, pjesa tjeter është Shqip (Shkencat e natyrës).
I gjithë procesi mësimor zhvillohet shqip për gjimnazin, por si zgjedhje e detyruar e gjuhës së huaj është maqedonishtja dhe anglishtja.
*Shkolla e mesme e bashkuar “Mitre Kolevski dhe Trajan Gjorgijovski”, 26 janar 2021
Pasi takuam drejtuesin e shkollës, ne shkuam në bashkinë e Pustecit, ku pyetëm se kur do të niste puna për rikonstruksionin infrastrukturor të oborrit të shkollës dhe oborrit të kopshtit në Pustec, siç u premtua në vizitën zyrtare të 18 dhjetorit 2020.
Aty takuam kryetarin e Bashkisë Pustec Pali Kolefski i cili tha për Faktoje:
“Gjatë takimit me Kryeministrin Zoran Zaev dhe ministren e Arsimit të Shqipërisë Evis Kushi, na u komunikua për një donacion mbi 26.000 mijë euro nga bizneset maqedonase, një pjesë e shumës 15.000 mijë euro janë mbledhur, pjesa tjetër është në proces. Do rregullohen ambientet jashtë godinës, oborri i shkollës, ambientet sportive, reabilitimi për kopshtin.
*Bashkia e Pustecit, 26 janar 2021
“Nuk ka filluar akoma të punohet dhe nuk kemi një afat se kur do të fillojë shpresojmë shumë shpejt”-konfirmoi për Faktoje, kryebashkiaku i Pustecit Pali Kolefski.