.

.

BallinaPertejNë Korçë administrata publike në fushatë, por PS e mohon

Në Korçë administrata publike në fushatë, por PS e mohon

DANIELA ZISI

Përfshirja e administratës publike dhe burimeve shtetërore në fushatë elektorale, është e ndaluar me ligj, megjithatë fenomeni nuk është ndalur. Nga një verifikim për Faktoje rezulton se punonjës të Bashkisë Korçë (të angazhuar për ministrin Peleshi) dhe anëtarë të stafit të ministres Xhaçka që kandidon në këtë qark po bëjnë fushatë edhe gjatë orarit zyrtar të punës. Ndërkohë në prokurorinë e rrethit Korçë, konfirmohet depozitimi i një kallëzimi nga ana e opozitës për shpërndarje të lejeve të legalizimit nga kandidatë për deputetë.

Fushata për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit në qarkun e Korçës nuk i ka shpëtuar angazhimit dhe përfshirjes së punonjësve të administratës publike në ndihmë të kandidatëve dhe subjekteve politike. Përdorimi i administratës është kthyer në një fenomen të konsoliduar ndër vite, nga ata që janë në pushtet, në periudhat zgjedhore, edhe pse Neni 91/ pika 1 dhe 2 e Kodit Zgjedhor, e ndalon këtë.

Sipas urdhërit të KQZ, bazuar në dispozitat e Kodit Zgjedhor janë vendosur disa kufizime lidhur me përdorimin e burimeve shtetërore, për dy periudha. Disa prej tyre nisin që prej datës 26 dhjetor, ose 4 muaj para zgjedhjeve dhe disa të tjera nga data 25 mars, një muaj para zgjedhjeve.

Pjesë nga urdhëri i KQZ për kufizimet e burimeve shtetërore në fushatën zgjedhore

Pjesë nga urdhëri i KQZ për kufizimet e burimeve shtetërore në fushatën zgjedhore

Nga një verifikim për Faktoje gjatë javëve të fushatës elektorale, përfshirë edhe periudhën pas 25 marsit, rezulton se punonjës të bashkisë së Korçës dhe Ministrisë së Jashtme janë angazhuar si staf fushate i kandidatëve të PS Niko Peleshi, i cili mban edhe postin e ministrit të Mbrojtjes, dhe Olta Xhaçkës, e cila drejton Ministrinë e Jashtme. Angazhimi i punonjësve rezulton të përfshijë përgatitjen e materialeve propagandistike për kandidatët Xhaçka dhe Peleshi, (të cilët edhe vetë janë angazhuar në takime elektorale gjatë ditëve të javës) dhe shpërndarjen e tyre për media, gjatë orarit zyrtar, në ditët e punës. Faktoje konstatoi se punonjësja e bashkisë së Korçës, L.S. shpërndau gjatë orarit zyrtar edhe në ditët e punës për mediat, materiale propagandistikë të kandidatit Niko Peleshi.

Shpërndarja e teksteve dhe pamjeve filmike të takimeve të kandidatit Niko Peleshi, nga punonjësja e bashkisë së Korçës L.S, për mediat lokale dhe kombëtare ka filluar prej datës 19 mars dhe ka vijuar deri në ditën e publikimit të këtij shkrimi. Të premten e 19 marsit, L.S. shpërndau për mediat materialet filmike të një takimi elektoral të Peleshit në fshatin Goskovë, në orën 14:10. Më 23 mars, ditë e martë, materialet propagandistike u shpërndanë nga punonjësja e bashkisë së Korçës në orën 9:52, në datën 24 mars, në orën 10:05, në 25 mars, në orën 10:28, në 26 mars, në orën 10:12 min dhe në vijim pjesa më e madhe e propagandës shpërndahet nga punonjësja e bashkisë së Korçës gjatë orarit të punës.

Shpërndarja me WhatsApp e materialeve propagandistike nga punonjësa e Bashkisë Korçë

Po ashtu, këshilltarja e ministres Olta Xhaçka, A.Q, në një komunikim në WhatsApp me gazetarët lokalë dhe kombëtarë të qarkut të Korçës, në datën 19 mars shprehej:

“Në vijim të këtyre javëve do të komunikojmë bashkë për fushatën në bashkinë e Kolonjës”, e cila është edhe zona elektorale e kandidates Xhaçka.

Mesazhet në WhatsApp nga këshilltarja e ministres Xhaçka

Faktoje ka konstatuar se në datën 23 mars, ditën e martë, këshilltarja e ministres Xhaçka ka shpërndarë për mediat pamje filmike shoqëruar me tekstin e një takimi elektoral të saj në Leskovik, në orën 9:30 min. Në datën 26 mars, ditën e premte, materialet janë shpërndarë në orën 10:21 min, të martën e 30 marsit, materiali propagandistik është shpërndarë nga këshilltarja e Xhaçkës në orën 15:39 min, në datën 8 prill, ditë e enjte, në orën 12:14 min, në 13 prill, në orën 12:42 min.

Përdorimi i burimeve njerëzore të administratës publike në fushatën e kandidatëve të PS është denoncuar në disa dalje publike nga drejtuesi politik i PD për qarkun e Korçës, Edmond Spaho. Ai tha për Faktoje se PD ka depozituar edhe kallëzime penale në Prokurorinë e Korçës dhe SPAK, për disa drejtues të administratës publike, të cilët po shkelin sipas tij Kodin Zgjedhor.

“Gjatë këtyre javëve të fushatës ne si PD, kemi konstatuar dhe më pas verifikuar dhe grumbulluar prova, të përfshirjes së administratës publike dhe drejtuesve të institucionve në fushatën e kandidatëve të PS, që kanë shkelur Kodin Zgjedhor, duke shpërndarë çertifikata pronësie në këmbim të votës, apo duke ushtruar presion mbi zgjedhësit. Ne kemi ndjekur rrugën ligjore, duke depozituar kallëzime si në Prokurorinë e Korçës ashtu edhe në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, por deri tani nuk është bërë asnjë hetim për rastet, të cilat janë të rënda dhe cënojnë në thelb zgjedhjet demokratike” – përfundoi drejtuesi politik i PD për qarkun e Korçës.

Ne u interesuam në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë në lidhje me kallëzimet e kryera nga subjekti politik PD, për shkelje të Kodit Zgjedhor dhe dispozitave të Kodit Penal, që parashikojnë veprat penale në zgjedhje dhe mësuam se në datën 3 prill, në emër të drejtuesit politik të PD për qarkun e Korçës, Edmond Spaho, është depozituar një kallëzim penal, me objekt: “Kallëzimi i veprave penale, përdorimi i funksionit publik, për veprimtari politike ose zgjedhore”, parashikuar nga neni 328/a i KP dhe ushtrimi i ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike, parashikuar nga neni 245/1 i KP, për ish-drejtuesen e Agjencisë lokale të Kadastrës, që është pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të PS, Besa Spaho.

Kallëzimi i depozituar nga PD në Prokurorinë e Korçës

Drejtuesja e Prokurorisë së Korçës Dhorina Theodhori tha për Faktoje:

“Pas kallëzimit të depozituar në emër të Edmond Spahos, brenda afatit që parashikon ligji, është hedhur shorti elektronik për caktimin e prokurorit që do të hetojë çështjen. Nga ana e Prokurorisë po vazhdon kryerja e të gjitha veprimeve proceduriale në funksion të një hetimi të plotë, të paanshëm dhe të mbështetur në ligj dhe prova.”

Përfshirja e punonjësve të administratës në fushatë gjatë orarit të punës është  mohuar nga zëdhënësja e fushatës së PS të Qarkut të Korçës Ina Kosta . Ajo u shpreh për Faktoje se nuk ka punonjës apo drejtues të administratës publike, në nivel qendror dhe lokal, të cilët të punojnë si staf fushate gjatë orarit zyrtar.”

“PS është e angazhuar të respektojë Kodin Zgjedhor, duke kontribuar në garantimin e standardit të zgjedhjeve demokratike, çfarë nënkupton mes të tjerash edhe një garë të barabartë me kundërshtarët politikë. PS është treguar mjaft e kujdesshme, që të respektojë maksimalisht dispozitat e Kodit Zgjedhor, të cilat parashikojnë shprehimisht disa ndalime, mes të cilave edhe mosangazhimi i administratës publike në aktivitetin elektoral të partive dhe kandidatëve gjatë orarit zyrtar, por edhe çdo dispozitë të ligjit penal, që parashikon krimet elektorale.”-tha zëdhënësja e fushatës së PS Ina Kosta.

“Punonjësit e administratës publike, ata të cilët nuk kanë ndalime ligjore, mund të angazhohen me vullnet të lirë dhe të pandikuar, në veprimtari të ndryshme,përfshirë edhe ato politike pas orës 16:30 gjatë ditëve të punës”-konfirmoi Kosta për Faktoje.

*Ky artikull u mbështet nga projekti “Forcimi i Transparencës së Zgjedhjeve në Shqipëri” (SETA), financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë dhe Aksioni i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img